Ndërlidhjet

DOBBINS: KOSOVA DO TË KETË VEND NË OKB SI SHTET SOVRAN


James DOBBINS, ish i dërguar i presidentit Clinton për Ballkanin

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dobbins, Kosova ka hyrë në procesin e përcaktimit të statusit. Si do ta vlerësonit ecurinë e procesit dhe a mendoni se Kosova do ta ketë statusin deri në fund të vitit 2006?

JAMES DOBBINS
Mendoj se përparimi ka qenë i ngadalshëm, por së paku kemi diskutim mes palëve, ndonëse ato duken të jenë shumë të ndara në çështjet bazë. Duke analizuar qëndrimet dhe situatën dikush mund të vlerësojë se do duhej të ketë një kompromis të arsyeshëm por a do të mund të arrihet deri atje kjo nuk është e qartë.
Duket se në fund palët nuk do bien dakord dhe Ahtisari duhet të bëjë rekomandimet e tij për Këshillin e Sigurimit dhe do jetë Këshilli i Sigurimit që do vendosë për statusin përfundimtar të Kosovës, pa pasur mirëkuptimin e palëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra do të kemi një zgjidhje të imponuar?

JAMES DOBBINS
Sipas të gjitha gjasave do kemi një zgjidhje të imponuar. Ahtisari do përpiqet të sigurojë që propozimet e tij marrin parasysh nevojat bazë të të gjithëve në mënyrë që kundërshtimet e mundshme të mos jenë shumë të forta.
Por nga ana tjetër politikat e brendshme në dy shoqëritë e bëjnë të vështirë të besojmë se do kemi një përfundim politik të cilin udhëheqësit politikë do jenë në gjendje ta pranojnë plotësisht.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Këshilli i Sigurimit do mund të marrë një vendim deri në fund të vitit 2006 apo do kërkojë më shumë kohë?

JAMES DOBBINS
Në procese të tilla afatet kohore gjithmonë shtyhen, por jo pafundësisht. Mendoj se Ahtisari do bëjë rekomandimet para fundit të vitit, derisa do kemi më pas debatin brenda Grupit të Kontaktit rreth asaj se çfarë duhet të përmbajë rezoluta e Këshillit të Sigurimit. Grupi i Kontaktit do jetë në gjendje që të dorëzojë projekt rezolutën në Këshillin e Sigurimit deri në fund të vitit, por mund të marrë pak më shumë kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush cili do jetë statusi i Kosovës, si do duket Kosova?

JAMES DOBBINS
Mendoj se çdokush e kupton se cili do jetë përfundimi. Do të jetë një lloj forme e pavarësisë së kushtëzuar, ku Kosova do të ketë vendin e saj në Kombet e Bashkuara dhe do të pranohet si shtet sovran. Megjithatë në Kosovë do të kemi një mbikqyrje ndërkombëtare, prani të paqeruajtësve, dhe një mbikqyrje ndërkombëtare për të siguruar se angazhimet për pakicat dhe shoqërinë demokratike po plotësohen. Njëherësh do kemi një lloj autonomie dhe decentralizimi që do t'i lejojë pakicave të kontrollojnë disa aspekte të jetës së tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët ulësen në Kombet e Bashkuara. Ka raporte se ekziston një ndarje brenda Grupit të Kontaktit apo bashkësisë ndërkombëtare pikërisht rreth ulëses së Kosovës në Kombet e Bashkuara. Çfarë ka të vërtetë rreth këtyre dallimeve?

JAMES DOBBINS
Nëse Këshilli i Sigurimit nuk bie dakord rreth përcaktimit të statusit të Kosovës, atëherë Kosova nuk mund të ketë vendin e saj në Kombet e Bashkuara. Në një skenar të tillë Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre evropianë duhet të vendosin çfarë të bëjnë. Dhe më duhet të them se ata i kanë disa alternativa në këtë drejtim. Por nuk jam i sigurt nëse Rusia do të bllokojë një vendim konsensual të Grupit të Kontaktit. Dhe nëse Rusia bie dakord, të njëjtën gjë do të bëjë dhe Kina.

RADIO EVROPA E LIRË
Sapo përmendët mundësinë që Këshilli i Sigurimit të mos bjerë dakord për statusin derisa thatë se ekzistojnë alternativa në një rast të tillë. Cilat janë ato?

JAMES DOBBINS
Nëse Grupi i Kontaktit nuk gjen një gjuhë të përbashkët atëherë SHBA-të dhe aleatët e tyre evropianë duhet të gjejnë zgjidhje se si t'i tejkalojnë këto mosmarrëveshje. Herën e fundit që KS-ja nuk ishte në gjendje të binte dakord, SHBA-të, BE-ja dhe NATO-ja vepruan jashtë kornizës së Kombeve të Bashkuara. Nuk mund ta përjashtoj këtë mundësi, por nuk e parashoh se do të ndodhë, pasi besoj se në fund Këshilli i Sigurimit do të bjerë dakord bazuar në rekomandimet e Grupit të Kontaktit.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mbetur tek statusi. Ka analistë që thonë se zgjidhja do jetë e tillë që t'i bëjë shqiptarët të ndihen fitues dhe serbët të mos ndihen humbës. Çfarë do të thotë kjo, apo është vetëm lojë fjalësh?

JAMES DOBBINS
Kjo varet shumë nga ajo se si shqiptarët dhe serbët përcaktojnë interesat e tyre. Nëse serbët duan të ndihen humbës askush nuk do t'i ndalojë ata të ndihen të tillë.
Është fakt se nuk ka asnjë udhëheqës në Beograd që do të qeverisë Kosovën. Nuk ka asnjë udhëheqës serb që mendon se Serbia duhet të marrë përsipër përgjegjësitë për ekonominë apo sigurinë e Kosovës. Në një shkallë të gjerë këto janë bisedime rreth simboleve. Nëse serbët zgjedhin që t'i interpretojnë rezultatet e bisedimeve si humbje, askush nuk do përpiqet t'i bindë që është e kundërta.

Intervistoi: Iliriana A. Bajo
XS
SM
MD
LG