Ndërlidhjet

SHËNOHET DITA E EVROPËS NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Me të përfunduar procesi i përcaktimit të statusit, përpjekjet e qeverisë së Kosovës do të përqendrohen në përmbushjen e detyrimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tha sot në Prishtinë, kryeministri i Kosovës Agim Çeku, duke folur në një forum me rastin e 9 majit, ditës së Evropës, duke e cilësuar anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian një ëndërr të realizueshme:
"E ardhmja e një vendi dizajnohet nga qytetarët e saj dhe ky dizajn ka për qëllim ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë. Por edhe e ardhmja është proces i ndryshueshëm dhe kërkon vullnet, punë dhe përkushtim të vazhdueshëm. Në Kosovë të ardhmen e identifikojmë me zgjidhjen e statusit, implementimin e standardeve e më vonë me edukimin."
Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se Kosova sot gjendet para mundësisë historike për integrimet evropiane:
"Me të përfunduar procesi i statusit përfundimtar gjatë këtij viti, të gjitha përpjekjet e qeverisë së Kosovës do të fokusohen në implementimin e detyrimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe në harmonizimin e politikave në raport me integrimin evropian. Kosova sot gjendet para një mundësie historike – për disa vjet ne mund të bëhemi anëtarë të familjes evropiane".
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku tha se anëtarësimi në BE nuk është ëndërr e paarritshme, pasi implementimi i standardeve do të bëjë më të mundshëm këtë anëtarësim, edhe pse ky është një proces që kërkon sakrifica, por Kosova nuk është e vetme në këtë rrugë, pasi do të ndihmohet nga institucionet ndërkombëtare.
Vetë shefi i zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Giorgio Mamberto tha se Bashkimi Evropian do ta ndihmojë Kosovën në fushë të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë ekonomike:
"Edhe në Kosovë Bashkimi Evropian do të luajë rol të rëndësishëm për të promovuar rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik për të krijuar kushtet e një bashkëpunimi të plotë rajonal," tha Giorgo Mamberto.
Ndërkaq, Alexander Bayerl shefi i zyrës së Austrisë në Kosovë, si kryesuese e radhës e Bashkimit Evropian tha se integrimi evropian lindi si nevojë për tejkalimin e armiqësive në të kaluarën:
"Procesi i integrimeve evropiane nuk ra nga qielli dhe më duhet ta them me vetëkritikë se procesi i integrimit evropian nuk ishte rezultat i mençurisë së njerëzve, por përkundrazi i marrëzisë së tyre," tha Alexander Bayerl, sipas të cilit integrimi evropian ishte përgjigje e pamundësisë së njerëzve në të kaluarën që t’i tejkalojnë problemet me dialog dhe bisedime.
"Prandaj duhet të them se edhe në këtë rajon, në Kosovë, në Serbi dhe Maqedoni ku ka pasur konflikt na duhet procesi i integrimit evropian, si përgjigje ndaj të kaluarës së rëndë," tha Alexander Bayerl, shef i zyrës austriake në Prishtinë. Gjatë ditës së sotme në Kosovë u mbajtën shumë manifestime për të shënuar ditën e Evropës.

XS
SM
MD
LG