Ndërlidhjet

AKTIVISTËT E "VETËVENDOSJES" NUK RESPEKTOJNË VENDIMIN E GJYKATËS


Bekim Bislimi, Prishtinë

Aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosja” nuk do t'i respektojnë vendimet e organeve, të cilat janë të instaluara nga Administrata Ndërkombëtare në Kosovë, sepse ato i konsiderojnë si antidemokratike. Kjo është arsyeja pse 9 aktivistët e kësaj lëvizjeje kanë vendosur që të mos respektojnë vendimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë për arrest shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaji. Liburn Aliu, anëtar i kësaj lëvizjeje, të cilit i është shqiptuar një masë e tillë, ka theksuar se ky vendim, tashmë mund të konsiderohet si i thyer.
“Natyrisht që vendimi i gjykatës për arrest shtëpiak për ne nuk do të vlejë. Ne edhe ashtu tash jemi këtu dhe nuk jemi nëpër shtëpitë tona, e ne jemi të dënuar momentalisht. Kjo do të thotë se aktivitetet e lëvizjes “Vetëvendosje” nuk na lejojnë që ta respektojmë një vendim të tillë”, tha Liburn Aliu.
Ngjashëm ka pohuar edhe Milot Kelmendi, po ashtu anëtar i lëvizjes “Vetëvendosje".
“Ne na është caktuar paraburgimi 1 muaj, si arrest shtëpiak. Por, ne nuk mbyllemi dot. Kosova është shtëpia e lëvizjes dhe ne jemi aktivistë të saj.”
Vendimi i gjykatës për arrestin shtëpiak të 9 aktivistëve të lëvizjes “Vetëvendosje” ka pasuar pas arrestimit të 22 anëtarëve të kësaj lëvizjeje gjatë protestës së djeshme të organizuar nga kjo lëvizje. Aktivistët e “Vetëvendosjes” kanë pohuar se gjatë arrestimit të tyre policia i ka tejkaluar autorizimet dhe disa prej tyre, siç thanë ata, i kanë rrahur këta aktivistë edhe në stacionin e policisë. Liburn Aliu thotë:
“Si gjatë arrestimit, po ashtu edhe pas dërgimit në stacionin e policisë, aktivistët janë rrahur, janë sharë dhe janë fyer brutalisht nga policia”.
Në anën tjetër policia e UNMIK-ut ka bërë të ditur se gjatë protestës së mbajtur të premten që shkoi, aktivistët e “Vetëvendosjes” kanë sulmuar pjesëtarët e policisë dhe se me këtë rast janë arrestuar 22 persona, 13 prej të cilëve janë liruar me arsyetimin se nuk kanë pasur rolin kyq për sulmin kundër policëve. Ndryshe, aktivistët e “Vetëvendosjes” kanë mohuar se ata kanë sulmuar policinë, duke i quajtur shpifje pohimet e tilla.
Megjithë këtë, është bërë e ditur se, komisari i policisë së UNMIK-ut, Kai Vitrup ka urdhëruar të fillojnë hetimet e brendshme lidhur me akuzat për sjelljen në kundërshtim me rregullat të një polici të stacionit qendror të policisë në Prishtinë, me rastin e arrestimit të djeshëm të 22 protestuesve.

XS
SM
MD
LG