Ndërlidhjet

STUDENTËT E UP PROTESTOJNË KUNDËR VENDIMIT TË MINISTRISË


Albana Isufi, Prishtinë

Disa qindra studentë të Universitetit të Prishtinës kanë kërkuar sot dorëheqjen e Ministrit të Arsimit Agim Veliu. Ata kanë hedhur vezë mbi ndërtesën e Ministrisë së Arsimit në shenjë revolte, siç kanë thënë, të ndërhyrjes së politikës në Universitetin e Prishtinës.
Studentët fillimisht janë mbledhur para Fakultetit Filologjik për të marshuar më pas drejt ndërtesës së qeverisë, ku i kanë dorëzuar një letër me kërkesat e tyre kryeministrit Agim Çeku.
Kryetari i Parlamentit Studentor Elbasan Hoti, ka thënë se ndër kërkesat e studentëve është shfuqizimi i udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit, me të cilin ministrit i jepet fuqi që të shkarkojë nga detyra çdo njërin prej atyre që i shkel dispozitat ligjore të ligjeve në fuqi dhe të Udhëzimeve Administrative të aprovuara nga Qeveria e Kosovës.
“Kërkojmë dorëheqje të parevokueshme të atyre, që më nuk na duhen as në qeveri e as në universitet, pra dorëheqjen e Agim Veliut nga Ministria e Arsimit. Ai që dy vite po e pengon punën në universitet, ai që dy vite është duke e shkatërruar universitetin.”
Studentët kërkuan edhe zgjedhjen e rektorit të ri të universitetit. Një vendim për shpalljen e konkursit për rektor e pati marrë në muajin e kaluar Senati i Universitetit, por ai u shpall i pavlefshëm nga Ministria e Arsimit. Këtu edhe rifilluan tensionet mes këtyre dy institucioneve arsimore, që kulmuan me shkarkimin e kreut të Këshillit Drejtues të Universitetit Jahi Hoxha, nga ana e Ministrit të Arsimit. Hoxha qe caktuar në këtë detyrë nga vetë Ministria e Arsimit.
Elbasan Hoti ka paralajmëruar protesta të tjera, nëse nuk plotësohen kërkesat e Parlamentit Studentor, që është ombrellë e 5 organizatave të tjera studentore.
“Dëshiroj ta njoftoj qeverinë e Kosovës se nëse nuk i merr parasysh kërkesat tona, përpos bojkotit tonë, do të ftojmë protestë gjithëpopullore të dhunshme”.
Në anën tjetër Ministri i Arsimit Agim Veliu, u ka kërkuar studentëve që të heqin dorë nga rruga dhe t’i kthehen mësimit. Ai ka kërkuar nga studentët, që të mos bien pre e grupacioneve të ndryshme politike.
“Nuk ka të drejtë askush të thërrasë për bojkot, fundja studentët vetë vendosin a të shkojnë në mësim a të bojkotojnë. Por, është interes i tyre që të jenë në vendet e tyre në mënyrë që të përmbyllin me sukses këtë vit akademik. Unë edhe njëherë u bëj thirrje që t’i kthehen mësimit dhe mos të merren me probleme, që atyre nuk u takojnë”.
Por, ministri Veliu ka insistuar në vendimin e Ministrisë së Arsimit, që sërish të organizohen zgjedhjet të përgjithshme në Universitet, kërkesë kjo e një grupi të ekspertëve, që ka shqyrtuar kohë më parë gjendjen në Universitetin e Prishtinës. Sërish ministri Agim Veliu:
“Nuk ka nevojë që procesi të kthehet në pikën zero dhe prapë edhe një vit ose dy të merren me këto probleme”.
Mësimi në universitet po mbahet i bojkotuar nga dje. Ndërkohë, studentët paralajmërojnë bojkotimin e mësimit deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Kuvendi i Kosovës, ndërkaq me kërkesë të opozitës ka caktuar një seancë plenare për të diskutuar gjendjen e krijuar në universitet.
XS
SM
MD
LG