Ndërlidhjet

FËMIJËT, VIKTIMAT MË TË SHPESHTA TË TORTURËS


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Numri i viktimave nga torturat e ndryshme në Kosovë vazhdon të rritet çdo ditë e më shumë, ndërkaq qendrat për rehabilitimin e tyre janë të pakta. Në qendrën kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, që prej përfundimit të luftës janë trajtuar mbi 13 mijë e 500 viktima. Udhëheqësja e kësaj qendre, Feride Rushiti, thotë se më shumë se 25 përqind e popullatës së përgjithshme në Kosovë ka përjetuar tortura fizike, psiqike apo emocionale.
“Nëse flasim për periudhën e tanishme mund të themi se numri i klientëve që kërkojnë ndihmë profesionale është në rritje e sipër. Duke u nisur prej rrethanave socio-ekonomike, pasigurisë, frustracionit, të gjitha këto me radhë ballafaqohen në shoqërinë kosovare, kështu që numri i këtyre klientëve sa vjen e rritet, nuk është në shuarje e sipër, si do të duhej të shkonte nëpër vendet e tjera”
Një numër i konsiderueshëm i këtyre viktimave janë fëmijë, ndonëse numri i tyre i saktë nuk dihet. Përveç kësaj qendre, në Kosovë ekziston edhe një pushimore në Deçan, e cila ka trajtuar fëmijët viktima të torturës fizike dhe psiqike. Por, që prej përfundimit të luftës, pushimorja shfrytëzohet nga paqeruajtësit italianë në përbërje të KFOR-it.
Osman Tolaj, drejtor i kësaj pushimoreje, thotë se ky institucion është me interes të posaçëm për fëmijët e traumatizuar.
“Që në fillim kemi treguar rëndësinë e madhe që kjo pushimore ka për fëmijët e Kosovës, sidomos rëndësinë e madhe që ka për fëmijët e traumatizuar, fëmijët të cilët panë tmerret e luftës, për nevojën e madhe për shërimin e atyre traumave, shërimin e streseve të ndryshme, shërimin e sëmundjeve psikike, por edhe fizike të fëmijëve”, tha zoti Tolaj.
Zoti Tolaj, pohon se vite me radhë punëtorët e kësaj pushimoreje kanë bërë përpjekje dhe kanë kërkuar nga forcat paqeruajtëse të KFOR-it që ta lirojnë këtë objekt, kapaciteti i të cilit numëron 600 shtretër.
“Kemi kërkuar lirimin e pushimores dhe kemi thënë se nuk ka diçka tjetër më të rëndësishme për fëmijët e Kosovës se lirimi i pushimores së fëmijëve në Deçan”, tha zoti Tolaj.
Zëdhënësi i KFOR-it, koloneli italian Pio Sabeta thotë se tash për tash nuk ka asnjë plan specifik për ta liruar pushimoren e fëmijëve në Deçan.
“Lokacioni për të cilin po flisni është një nga vendet që KFOR-i ka përdorur nga 1999 për të kryer misionin e tij. Aktualisht nuk ka ndonjë plan specifik për ta lëshuar atë vend”, tha zoti Sabeta.
Zoti Tolaj ndërkaq, duke theksuar kontributin e forcave paqeruajtëse për Kosovën, pohon se këto forca e kanë shumë lehtë të gjejnë ndonjë objekt tjetër.
“Menjëherë kemi treguar se KFOR-i ka mundësi të gjejë një vend tjetër për vendosjen e vet në Deçan apo edhe në Pejë,” tha zoti Tolaj.
Zonja Rushiti nga Qendra për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, pohon se trajtimi adekuat i viktimave është i domosdoshëm, aq më tepër për faktin se pasojat tek të traumatizuarit shfaqen më vonë, e kjo vlen posaçërisht për fëmijët.


XS
SM
MD
LG