Ndërlidhjet

BISEDIMET PËR KOSOVËN NUK JANË VETËM PËR KOSOVËN


Financial Times

Nëse je qytetar i Kosovës, apo turk nga Qiproja apo një banor i vendeve të brishta që kanë dalë nga Bashkimi Sovjetik, atëherë je një qenie njerëzore e klasit të dytë: nuk mund të udhëtosh, nuk mund të kesh një transferë ndërkombëtare bankare, kurse ekipi yt nuk mund të luajë as në ndeshjet për kualifikim për kampionatin botëror. Për vite të tëra, në këtë formë ka funksionuar rregulli ndërkombëtar, megjithëse gjërat në Ballkan tani kanë filluar të marrin një kahje tjetër. Megjithë pritjet se shqiptarët e Kosovës më në fund do ta fitojnë pavarësinë, ata deri më tash janë dënuar pse kanë qenë qytetarë të një shteti, i cili asnjëherë nuk i ka pranuar si duhet. Mirëpo, pavarësia i ka edhe përgjegjësitë e veta, nga kosovarët tani po kërkohet që të dëshmojnë se do të respektojnë fqinjët dhe komunitetin serb, i cili kryesisht jeton në enklava. Dhe çfarë shembulli do të ofrojë Kosova për shtetet e tjera të panjohura ndërkombëtarisht në botë? Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë thirrje për parime universale dhe ka paralajmëruar se modeli që do të zbatohet në Kosovë do të mund të aplikohej edhe për Abkhazinë dhe Osetinë jugore, dy territore praktikisht të ndara Gjeorgjia, të cilat gëzojnë mbështetjen e Moskës. Abkhazia, Osetia Jugore dhe Nargorny Karabakh janë tri konflikte ende të pazgjidhura, të cilat gjenden midis luftës dhe paqes në Kavkazin jugor. Në secilin rast separatistët thonë se bota është duke i mbajtur të mbyllur brenda kufijve të Stalinit dhe kjo është arsyeja pse pavarësisht nga motivet e zotit Putin, fjalët e tij kërkojnë vëmendje serioze. Shembulli që po zbatohet në Kosovë ka hedhur idenë se rrugëdalja mbase qëndron në zhvillimin e bisedimeve jo edhe aq të lehta mbi sigurinë, pakicat, demokracinë dhe pavarësinë e mundshme. Procesi në Kosovë dhe në territoret e tjera me status të pazgjidhur, mbase është një proces shumë i komplikuar, por alternativa - që nënkupton ngrirjen e konflikteve dhe trajtimin e këtyre territoreve si jetimë - është gjithashtu e papranueshme.

Nga Thomas De Waal, Instituti për Raportim në Luftë dhe Paqe
XS
SM
MD
LG