Ndërlidhjet

MODVIG: ZGJEDHJET LOKALE DUHEN MBAJTUR PAS STATUSIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian mendon se zgjedhjet lokale në Kosovës duhet të mbahen pas përcaktimit të statusit, tha sot ushtruesi i detyrës së shefit të OSBE-së në Kosovë, Jens Modvig, pas një takimi me kryetarin e Partisë ORA Veton Surroi, i cili edhe një herë e ka konfirmuar qëndrimin e partisë së tij kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale që është dashur të mbahen gjatë vjeshtës së sivjetme:
"Pas përcaktimit të statusit domosdo duhet të shkojmë në zgjedhje parlamentare, për shkak të legjitimimit të ri të pushtetit të ri në statusin e ri të Kosovës së pavarur, por për sa u përket zgjedhjeve lokale, mendojmë se ato duhet të mbahen sivjet dhe do të jetë pjesë e pjekurisë së Kosovës që të mbajë edhe proces negociator edhe proces zgjedhor".
Pikërisht shmangia e dyfishimit të zgjedhjeve ishte edhe arsyeja kryesore për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas zotit Modvig:
"Ne pajtohemi se sa më shpejt duhet të mbahen zgjedhjet lokale, sigurisht pas statusit, në mënyrë që t’i shmangemi mbajtjes së zgjedhjeve para dhe pas statusit, për të mos i dyfishuar," tha Jens Modvig, sipas të cilit ka mundësi që të arrihet pajtueshmëri në këtë plan, ndërsa konsultimet do të vazhdojnë, përpara se shefi i UNMIK-ut ta marrë vendimin e tij.
"Nëse do të bëhet shtyrja e zgjedhjeve, është me rëndësi që koha e shtyrjes të jetë e dakorduar," tha ushtruesi i detyrës së shefit të OSBE-së, Jens Modvig, ndërkohë që zoti Veton Surroi i ka quajtur të pambështetura arsyetimet se gara zgjedhore mund ta dëmtojë unitetin politik në kohën e bisedave për statusin:
"Ne mendojmë se nuk do të dëmtohet uniteti politik, pasi kemi dallime esenciale politike me koalicionin në pushtet, por jemi duke bashkëpunuar me ta në çështjet madhore të statusit", tha zoti Surroi, sipas të cilit institucionet dhe partitë duhet të jenë të gatshme të merren edhe me statusin, edhe me arsimin, edhe me ekonominë, edhe me zgjedhjet:
"Nuk ekziston kurrfarë dallimi ndërmjet nesh për statusin, sa i përket formës se si duhet të rregullohet Kosova, por kemi dallime esencial ndërmjet asaj se a duhet të mbushen apo të mos mbushen gropat në qytet".
Zoti Surroi tha se shtyrja e zgjedhjeve do të jetë ftesë për pushtet e papërgjegjshme komunale që ta vazhdojnë veprimtarinë e tyre.
Ndërkohë partitë e tjera politike janë të gatshme të pajtohen për shtyrjen e zgjedhjeve lokale.



XS
SM
MD
LG