Ndërlidhjet

EKIPI NEGOCIUES: BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE NUK DO TË IMPONOJË ZGJIDHJE TË PAFAVORSHME PËR DECENTRALIZIMIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ekipi negociues i Kosovës vlerësoi sot se nuk ka rrezik nga imponimi i ndonjë zgjidhjeje të pafavorshme për Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare lidhur me decentralizimin. Skënder Hyseni, anëtar i delegacionit të Kosovës dhe këshilltar i presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu, tha se nuk ka vend për frikë të tillë, pasi në raundin e katërt të bisedimeve të Vjenës për decentralizimin, delegacioni i Kosovës ka bërë ofertë serioze. Këto komente zoti Hyseni i bëri pas takimit të ekipit negociues, në të cilin pos përgatitjeve për vizitën e zëvendësnegociatorit për statusin e Kosovës Albert Rohan në Prishtinë më 18 maj, është biseduar edhe për takimin e fundit në Vjenë për decentralizimin:
"Besoj se bashkësia ndërkombëtare do të dijë të jetë racionale si ka qenë vazhdimisht dhe jam i sigurt që bashkësia ndërkombëtare nuk do të kërkojë nga ne që të krijojmë diçka të paqëndrueshme, sepse nuk mund të kesh komuna me 500,100 apo edhe me 1.000 banorë, prandaj nuk kemi arsye të kemi ndonjë drojë se bashkësia ndërkombëtare do të vijë me propozime të papranueshme te ne."
Zoti Hyseni tha se bashkësia ndërkombëtare e ka vërejtur se pala kosovare ka qenë serioze në takimet e Vjenës, ndërsa pala serbe sipas tij ka ofruar zgjidhje të pakuptimta.
Megjithatë, Hyseni deklaroi se pala kosovare do t’i thotë jo çdo varianti që nënkupton minim të funksionimit të sistemit shtetëror administrativ në Kosovë që do të thotë edhe minim të funksionimit të komunave.
"Nëse pranohen domethënë variantet që janë propozuar nga Beogradi, esencialisht kjo do ta pamundësonte jetën apo funksionimin e komunave në Kosovë, do ta izolonte komunitetin serb edhe më tej, do t’ia bënte jetën të vështirë çdo qytetari dhe ne këtë nuk do ta lejojmë, pavarësisht se nga cila anë vijnë sugjerimet e tilla".
Sidoqoftë, zoti Hyseni tha se ekipi negociues është aktualisht i preokupuar me vizitën që zoti Rohan do t’i bëjë Kosovës më 18 maj. Përqendrimi i spektrit politik dhe institucional të Kosovës në procesin e përcaktimit të statusit, duket të ketë shtyrë OSBE-në të pozicionohet pro shtyrjes së zgjedhjeve lokale, që është dashur të mbahen këtë vjeshtë. Kështu tha sot Jens Modvig, ushtrues i detyrës së shefit të OSBE-së në Kosovë:
"Ne pajtohemi se sa më shpejt duhet të mbahen zgjedhjet lokale, sigurisht pas statusit, në mënyrë që t’i shmangemi mbajtjes së zgjedhjeve para dhe pas statusit, për të mos i dyfishuar," tha Jens Modvig, sipas të cilit ka mundësi që të arrihet pajtueshmëri në këtë plan, ndërsa konsultimet do të vazhdojnë, përpara se shefi i UNMIK-ut ta marrë vendimin e tij. Zoti Modvig i ka bërë këto komente pas një takimi që ka pasur me kryetarin e Partisë ORA, Veton Surroi. Ky i fundit tha se pikërisht mbajtja e zgjedhjeve sivjet do të dëshmonte pjekurinë e Kosovës dhe aftësinë e saj për të ecur në dy rrugë paralelisht.


XS
SM
MD
LG