Ndërlidhjet

DEPARTAMENTI I SHTETIT: SHBA-TË DO LUAJNË ROL QËNDROR NË PROCESIN E STATUSIT


I dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari ka qëndruar gjatë ditës në Uashington. Lidhur me takimet e zotit Ahtisari, Jerry Kinner, zëdhënëse e Departamentit të Shtetit për çështjet Evropiane, për radion Evropa e Lirë deklaroi:
"Ahtisari u takua sot me nënsekretarin e shtetit për çështjet politike zotin Nikolas Bërns, përfaqësuesin amerikan në bisedimet për statusin Frenk Uisner si dhe me zyrtarë të tjerë amerikanë."
Kjo vizitë e zotit Ahtisari në Uashington, sipas zyrës së tij në Vjenë është bërë me kërkesë të palës amerikane. Lidhur me arsyet e kësaj vizite për programin tonë zonja Kiner shpjegon:
"Presidenti Ahtisari rregullisht viziton Uashingtonin si dhe kryeqytetet e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit për këshillime." Më tej lidhur me temën e takimeve zëdhënësja e Departamentit të Shtetit shton:
"Ata kanë disktuar se cilat do jenë hapat e ardhshëm lidhur me ecurinë e procesit të bisedimeve për statusin." Kinner vlerësoi se nuk mund të jepen më shumë detaje për momentin kur dihet se çdo lloj negociate realizohet më mirë larg syve të publikut.
"Ndërmjetësuesit duhet të ndërmjetësojnë larg syve të publikut. Ka shumë të interesuar për këto çështje, por bisedimet ecin më mirë nëse bëhen me dyer të mbyllura."
Më tej për radion Evropa e Lirë Kinner konfirmon mbështetjen amerikane për procesin e përcaktitmit të statusit, por dhe faktin se Shtetet e Bahskuara do të luajnë një rol qëndror në të gjitha fazat e këtij procesi.
"Ne mbështesim plotësisht presidentin Ahtisari në përpjekjet e tij për të gjetur një zgjidhje për statusin e Kosovës. Shtetet e Bashkuara do mbeten të përfshira në mënyrë thelbësore dhe qëndrore në procesin e statusit të Kosovës", tha për radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jerry Kinner.
Zoti Ahtisari para udhëtimit të rradhës në Uashington ka qëndruar në një numër vendesh të rajonit, derisa destinacioni tjetër pas Uashingtonit do të jetë Nju Jorku. Atje ai do të ketë takime me zyrtarët më të lartë të Kombeve të Bashkuara.

Ilirjana Bajo
XS
SM
MD
LG