Ndërlidhjet

EDHE NË SISTEMIN E ARSIMIT EKZISTON KORRUPSIONI


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Edhe në sistemin e arsimit ekziston korrupsioni, duke filluar prej nivelit fillor e deri tek ai universitar, thonë organet kompetente. Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, pohon se korrupsioni është i përfshirë në forma të ndryshme duke filluar nga shitja e notave nga profesorët universitarë e deri tek pranimi i studentëve në forma të parregullta. Sipas zotit Hyseni, kjo formë e korrupsionit e dëmton rëndë procesin e tërësishëm arsimor.
“Në qoftë se mund të flitet për korrupsion,atëherë mendoj se kjo ndodh në sistemin e arsimit superior, përkatësisht akademik dhe në fakultete, e kështu më radhë”, tha zoti Hyseni.
Edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, pohojnë se në fushën e arsimit është i pranishëm korrupsioni, por nuk dihet se në çfarë niveli gjendet. Xhavit Rexhaj, drejtor i departamentit të arsimit të lartë, thotë se problemi kryesor që korrupsioni është i pazbuluar është për faktin se studentët nuk paraqesin dëshmi.
“Mos të harrojmë se për t'u korruptuar duhet dy palë. Duhet edhe ai që jep ryshfet dhe ai që merr ryshfet. Prandaj nuk duhet të lirohen imponimet për korrupsion. Mirëpo duhet edhe studentët që konkurrojnë për pranim të jenë më të sigurt në vetvete, të mos japin dhe të mos ofrojnë korrupsion se ashtu krijohet korrupsioni dhe është po aq e dënueshme,” tha zoti Rexhaj.
Zoti Hyseni, ndërkaq thotë se Ministria e Arsimit dhe shoqëria kosovare, korrupsionit në arsim duhet t’i shpallë luftë të organizuar përmes procesit të edukimit. Edhe pse, sipas tij, eliminimi i korrupsionit në këtë fushë është një proces i gjatë, i cili kërkon shumë punë dhe angazhim.
“Mendoj se shoqëria duhet të organizohet në atë mënyrë, që duke zhvilluar potencialet, kapacitetet profesionale dhe etikën profesionale të njerëzve, korrupsioni të evitohet dhe të eliminohet në tërësi”, tha zoti Hyseni.
Zoti Rexhaj, nga Ministria e Arsimit,ndërkaq thotë se kjo ministri është e gatshme të trajtojë dhe të marrë masa ndaj cilitdo profesor për të cilin ka fakte.
“Mirëpo qëllimi është që të sigurohen prova dhe palët duhet të bashkëpunojë me ne. Ne ndërkaq bashkëpunojmë me njësinë e krimeve serioze, atëherë sigurojmë kushte të vërtetohet një korrupsion. Jemi zakonisht të afërt ndaj kësaj, por njerëzit janë shumë të prirur të flasin shumë për korrupsionin, por konkretisht nuk vijnë të na tregojnë”, tha zoti Rexhaj.
Por zoti Hyseni, thotë se kjo ndodh për arsye të mos zbatimit të ligjit në nivel të duhur:
“Mendoj se legjistratura duhet të jetë shumë në nivel,një legjistraturë funksionale, llogari dhënia dhe përgjegjësia. Pra këtu nuk ka llogari dhënie, dhe kur nuk ka llogari dhënie, mundësitë për korrupsion dhe mito gjithmonë janë të mëdha”, tha zoti Hyseni.


XS
SM
MD
LG