Ndërlidhjet

TIRANË: MBAHET KONFERENCA" KOSOVA- STATUSI DHE SFIDAT"


Alma Çupi, Tiranë

Intelektualë, deputetë, akademikë, diskutuan sot në Tiranë në konferencën me temë "Kosova- statusi dhe sfidat". I ftuar ishte dhe historiani britanik Noel Malcolm, autor i librit "Kosova, një histori e shkurtër", të cilin presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, e nderoi me medaljen e " Mirënjohjes", për kontributin e tij në çështjen e Kosovës.
Për historianin britanik, pavarësia e Kosovës mbetet zgjidhja kryesore për të patur një rajon të sigurt dhe ai shprehu bindjen se vitin e ardhshëm Kosova do të jetë shtet më vete.
"Është gjithashtu e rëndësishme që Kosova duhet të bëhet e pavarur për të mirën e sigurisë në rajon dhe Ballkan. Unë mendoj se stabiliteti në afat të gjatë varet nga kjo dhe përsa kohë që pozicioni i Kosovës është i papërcaktuar, destabiliteti është i garantuar. Kosova do të jetë e pavarur brenda vitit tjetër dhe jam i bindur se Kosova do të ketë pavarësi në një formë, por jam më pak i bindur për kushtet që ndoshta ka. Dhe ajo që ndiej unë është që kushtet e vëna për statusin janë të mira, sepse të gjitha vlejnë në fund të fundit për një shtet normal, si të gjitha shtetet e tjera, ku të gjithë qytetarët përfshirë minoritetin serb, të bëjnë një jetë normale". Më pas historiani i njohur Malcolm tha se tashmë pavarësia e Kosovës është e domosdoshme edhe për përmirësimin e nivelit ekonomik të saj dhe për tërheqjen e investimeve të huaja.
"Është e qartë se ka arsye të forta ekonomike dhe përse situata aktuale në Kosovë nuk mund të vazhdojë më. Raporti i vitit 2004 i Bankës Botërore, nënvizon se Kosova nuk mundet të tërheqë investime të huaja serioze dhe për një kohë të gjatë, përsa kohë që statusi i saj nuk është i përcaktuar dhe legjislacioni ekonomik është i panjohur", tha historiani britanik Noel Malcolm.
Ish ministri i jashtëm Ilir Meta, në fjalën e tij, tha se pavarësia e Kosovës është e nevojshme, pasi është e vetmja mënyrë që Kosovës i krijon mundësinë t'u bashkohet vendeve të rajonit për të hyrë në Bashkimin Evropian.
"Dihet se statusi i papërcaktuar i Kosovës është një problem, jo vetëm për të ardhmen evropiane të vetë Kosovës, por për të ardhmen evropiane të të gjithë Ballkanit perëndimor, sepse si çështje është ngushtësisht e lidhur me stabilitetin edhe të vendeve përreth Kosovës dhe me vetë procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian, i cili është tashmë një proces i kushtëzuar rajonal. Pavarësia e Kosovës, realizimi i saj dhe i sovranitetit të Kosovës shikohet si një proces i lidhur ngushtësisht me bërjen e Kosovës, një vend anëtar, një shtet anëtar të Bashkimit Evropian."
Ajo që i bashkoi në një mendim të gjithë intelektualët shqiptarë, akademikët dhe politikanët sot ishte se pavarësia e Kosovës është domosdoshmëri për rajonin dhe sigurisht për vetë të ardhmen e saj. Kushtet e vëna nga vetë komuniteti ndërkombëtar u vlerësuan si pozitive, që i vlejnë Kosovës që të jetë një shtet normal si të gjitha shtetet e tjera, ku të respektohen edhe të drejtat e minoriteteve.



XS
SM
MD
LG