Ndërlidhjet

DANIEL SERWER: STATUSI MUND TË ZGJIDHET EDHE PARA PËRFUNDIMIT TË KËTIJ VITI


"Më duket se po bëhet gjithnjë e më e qartë që Kosova, siç u pëlqen disa kosovarëve të deklarojnë, është tashmë e pavarur në kuptimin që e qeverisë vetveten dhe nuk mund të qeveriset nga Beogradi. Ajo që nuk është po aq e qartë është se si do të jetë forma e ardhshme e një Kosove, që ka status të përcaktuar, meqë duket mjaft qartë që Beogradi po përpiqet të arrijë, në mos de jure, një ndarje de fakto", thotë, pos tjerash, Daniel Serwer, drejtor i operacioneve për paqe dhe stabilitet në Institutin për paqe të SHBA-ve në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Ne tash kemi situatën ku kanë përfunduar bisedimet për decentralizim ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Por ka pasur raporte për pozicione krejtësisht të ndryshme të të dy palëve. Nga këndvështrimi juaj, çka do të pasoj tash?

DANIEL SERWER
Do të ndodhë ajo që ndodhë në të gjitha negociatat, do të ketë përpjekje prapa perdeve për zvogëlimin e dallimeve dhe do të shohim nëse kjo do të jetë pjesërisht e suksesshme. Do të supozoja, përfundimisht, që Ahtisaari dhe ndihmësit e tij Lehne dhe Wisner do të duhej të dilnin me një propozim të tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendet zotin Ahtisaari, i cili këto ditë është në Shtetet e Bashkuara për biseda me zyrtarë amerikanë dhe të Kombeve të Bashkuara. Sipas jush, çfarë lloj mesazhi do të japin palët?

DANIEL SERWER
Nuk jam i sigurt se çfarë do të thotë Martti Ahtisaari. Vlerësoj që do të japë një përmbledhje të zhvillimeve më të fundit se në ç'pikë qëndrojnë negociatat dhe do të sugjeroj se si ka ndërmend që të ecë përpara, apo cilët mendon të jenë hapat e tij të mëtejshëm. Mendoj se nga ana amerikane do të thuhet që ne duam të ecim përpara me këtë proces dhe ta kemi të përfunduar. Kjo më duket të jetë ndjenja në Uashington sot.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se ju mendoni se statusi i Kosovës do të zgjidhet deri në fund të këtij viti?

DANIEL SERWER
Po, madje ndoshta edhe para fundit të vitit. Ky mendoj është ende afati kohor që njerëzit duan ta respektojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ata do ta arrijnë këtë?

DANIEL SERWER
Mendoj se është e mundur. Nuk ka ndonjë rëndësi shumë të madhe nëse ka disa muaj vonesë, përsa kohë që ka ecje përpara në proces. Ajo që nuk duan që të ndodhë është ngecja e plotë e procesit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka shumë diskutime rreth asaj se kush do ta përcaktoj statusin e Kosovës. Kryeministri Agim Çeku ka thënë se këtë vendim do ta marrë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Sipas jush, kush do të vendosë përfundimisht për statusin e Kosovës?

DANIEL SERWER
Mendoj që Agim Çeku ka të drejtë, por mendoj se të gjithë vëzhguesit objektivë do ta konfirmonin këtë gjë. Madje as nga pala serbe nuk kam dëgjuar askënd që të thotë diçka tjetër nga kjo. Është mjaft e qartë që, nëse do të merret një vendim për statusin përfundimtar, ai do të merret nga Këshilli i Sigurimit, sepse rezoluta 1244 parashikon që Kosova është një protektorat dhe për ta ndryshuar atë nevojitet një vendim i ri i Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë lloj vendimi mendoni se do të merret në fund?

DANIEL SERWER
Kjo është ajo për të cilën po zhvillohen negociatat. Më duket se po bëhet gjithnjë e më e qartë që Kosova, siç u pëlqen disa kosovarëve që të deklarojnë, është tashmë e pavarur në kuptimin që e qeverisë vetëveten dhe nuk mund të qeveriset nga Beogradi. Ajo që nuk është po aq e qartë është se si do të jetë forma e ardhshme e një Kosove, që ka status të përcaktuar, meqë duket mjaft qartë që Beogradi po përpiqet të arrijë, në mos de jure, një ndarje de fakto.

RADIO EVROPA E LIRË
E shtrova këtë pyetje sepse më herët këtë vit, ish sekretari i jashtëm britanik, Jack Straw ka thënë se "pavarësia e Kosovës është pothuajse e pashmangshme". Si e komentoni ju këtë deklaratë duke pasur parasysh se në atë kohë kjo ishte deklarata e parë e këtillë nga një zyrtar i lartë?

DANIEL SERWER
Në të vërtetë nuk e di mirë se çfarë nënkuptonte ai me këtë deklaratë, pasi nuk e kam të qartë se çfarë nënkupton pavarësia: sovranitet apo pavarësi? Pavarësia është një gjë relative. Mund të ketë më shumë apo më pak pavarësi. Sovraniteti është një koncept shumë më i qartë dhe Kosova sot nuk është sovrane. Sovraniteti ushtrohet nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, siç është specifikuar në rezolutën 1244. Është mjaft e vështirë për mua të imagjinoj që një sovranitet i vërtetë mbi të gjithë territorin e Kosovës mund t'i rikthehet Beogradit. Por Beogradi duket se do të vazhdojë të ketë sovranitet mbi popullsinë serbe dhe territorin në të cilin ata banojnë. Kjo do të thoshte ndarje. Grupi i Kontaktit e ka hequr si opsion të mundshëm ndarjen në parim, por duhet të bëjnë më shumë dhe ta heqin si opsion të mundshëm në praktikë, pasi në Kosovë tashmë ka ndarje, ka pjesë të cilat janë nën kontrollin e Beogradit. Prandaj lind pyetja se si do të ndryshohet kjo situatë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Bashkësia ndërkombëtare do ta ndryshoj këtë situatë?

DANIEL SERWER
Bashkësia ndërkombëtare vetëm nuk mund ta ndryshojë situatën. Që t'ia arrijë kësaj ka nevojë për bashkëpunimin si të Prishtinës, ashtu dhe të Beogradit, ka nevojë për bashkëpunimin e serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës. Mendoj se është mjaft e qartë që Prishtina nuk mund të llogarisë që do të ketë autoritet të menjëhershëm qeverisës mbi popullsinë serbe, pa shkaktuar joqëllimisht zhvendosjen e popullsisë serbe. Prandaj ka nevojë për një zgjidhje tranzitore, e cila mendoj se po diskutohet tash dhe Bashkësia ndërkombëtare do të kishte, siç ka, një rol qendror në atë zgjidhje kalimtare për pjesët e populluara serbe të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ti kthehemi sërish Këshillit të Sigurimit, pasi anëtarë të tij me të drejtë të vetos, janë edhe Rusia e Kina. Çfarë qëndrimi mund të presim nga ata gjatë diskutimit për këtë çështje në Këshillin e Sigurimit?

DANIEL SERWER
Është pak e vështirë për t'u parashikuar, por si Rusia ashtu dhe Kina kanë shqetësime për provincat të tyre, të cilat do të donin të ishin të pavarura, si për shembull Çeçenia kërkon të jetë e pavarur, ndërsa shumë në Tibet kërkojnë që ai të jetë i pavarur. Pra Pekini dhe Moska do të kenë shqetësime për integritetin e tyre territorial dhe sovranitetin e tyre. Në të njëjtën kohë, në rastin e Moskës, ka disa që thonë se nuk u vjen keq ta shohin Kosovën të pavarur pasi do shërbente si precedent për pjesët e Gjeorgjisë, siç është për shembull, Abhazia. T'ju them të drejtën, nuk mendoj se kjo është e mundur. Mendoj se si Rusia ashtu edhe Kina, që janë shtete sovrane, e që ndjejnë se kanë rreziqe nga vështirësitë e brendshme, nuk do të jenë të shqetësuara se çka do të ndodhë me Kosovën, pasi kjo nuk është precedent për provincat e tyre.
Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG