Ndërlidhjet

MALCOLM:"KOSOVA ËSHTË RAST SPECIAL DHE JO PRECEDENT"


Noel MALCOLM, historian dhe studiues britanik

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Malcolm flitet për pavarësinë e Kosovës, por edhe për disa kushte rreth të cilave është krijuar konfuzion. Çfarë do të thotë pavarësi e kushtëzuar?

NOEL MALCOLM
Mendoj se ka patur një konfuzion rreth pavarësisë së kushtëzuar. Në të kaluarën kjo frazë përdorej për të folur për kushtet që duhen plotësuar para pavarësisë. Dhe ishte ideja e aplikimit të standardeve përpara statusit. Por, tash flitet për një pavarësi të kushtëzuar në kuptimin e një lloji të veçantë të pavarësisë. Pra në fakt flitet për një pavarësi të kufizuar, jo të kushtëzuar, por të kufizuar. Mendoj se është në parim gabim të vendosësh kufizime të caktuara në statusin e një shteti që do të bëhet i pavarur. Sa më shumë kufizime speciale të vihen aq më shumë e bën ndryshe nga një shtet normal. Për shembull nëse decentralizimi do të thotë fuqi më të mëdha për autoritetet vendore, si ato në disa shtete të decentralizuara, kjo nuk ka asnjë problem. Por nëse decentralizimi do të thotë krijim i një lloj blloku, me bashki dhe komuna serbe, që bashkohen për të krijuar një lloj enklave ose geto, që ka lidhje të veçanta me Beogradin, atëherë mendoj se do të krijohet një rrezik serioz për të ardhmen e Kosovës. Dhe mbi të gjitha do të krijohen rrethana getosh që nuk do të ndihmojnë aspak vetë serbët. Rrjedhimisht ka disa probleme serioze me të cilat duhet ballafaquar.

RADIO EVROPA E LIRË
Kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës përmendin disa argumenta juridik në favor të tyre. Si qëndron e vërteta?

NOEL MALCOLM
Rezoluta 12-44 fliste për integritetin teritorial të ish – Jugollavisë, ajo nuk fliste për sovranitetin e Serbisë. Serbia nuk është një shtet sovran. Dhe më duken pak të çuditshme këto bisedime dhe negociata që tash po zhvillohen ndërmjet Prishtinës dhe përfaqësuesve të qeverisë serbe, sepse Serbia nuk është një shtet sovran. Sidoqoftë nëse shikoni historinë ligjore dhe kushtetuese të Kosovës në ish – Jugosllavi mund ta hetosh që komuniteti ndërkombëtar nuk e ka kuptuar saktësisht situatën e vërtetë juridike. Ish – Jugosllavia u shpërbë dhe ky ishte konkludim i Komisionit të Badinterit. Çdo interpretim i saktë i kushtetutës së vjetër jugosllave do të tregonte se Kosova ishte një nga pjesët federale dhe përbërëse të atij sistemi dhe rrjedhimisht kishte një të drejtë të barabartë për të kërkuar pavarësinë, ashtu siç bëri Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia. Unë mendoj se u bë një gabim nga fuqitë perendimore në vitin 1991 – 1992 që injoruan të drejtën e Kosovës dhe pretenduan se vetëm gjashtë pjesët përbërëse të ish – Jugosllavisë ishin ato që mund të bëheshin të pavarura. Kjo u vendos me një analizë të gabuar dhe ky gabim është bërë akoma më i dukshëm tani. Por, mendoj se kur të shohim një Mal të Zi të pavarur, kjo e dhënë do të qartësojë këtë çështje, sepse nuk mund të pretendosh që Kosova thjesht është pjesë e një shteti sovran serb.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa flasin për preçedentin që mund të krijohet nga pavarësia e Kosovës për rajone të tjera të botës. Sa qëndron ky pohim?

NOEL MALCOLM
Unë e di se disa politikanëve ndërkombëtarë u është bërë obsesion krijimi i një preçedenti. Ndoshta kjo është pikërisht arsyeja përse kanë hezituar dhe e kanë zhagitur për një kohë të gjatë zgjidhjen e problemit të Kosovës. Gjithsesi unë mendoj se nuk krijon asnjë preçedent. Këtë e dëshmoj me argumenti të cilin sapo përmblodha rreth statusit të saj në federatën e vjetër dhe faktit që ajo federatë tashmë është shpërbërë. Nuk ka asnjë mundësi për një preçedent, si për shembull në rastin e kurdëve në Turqi, apo baskëve në Spanjë, sepse ato vende nuk janë federata. Madje edhe po të ishin federata ato nuk kanë hyrë në një situatë të një shpërbërje totale. Shumë larg krijimit të një preçedenti, ky është një rast shumë special, që del nga historia e shpërbërjes së Jugosllavisë së vjetër. Supozoj se njerëzit që besojnë tek preçedenti janë të shqetësuar më shumë për një preçedent për Republikën Serbe, që të kërkojë pavarësi nga Bosnja e Hercegovina ose për një pjesë të Maqedonisë..., por përgjigja është jo. Përkundrazi, nëse statusi i Kosovës është një e drejtë që rrjedh nga fakti që ajo ishte pjesë përbërëse e feeratës së vjetër jugosllave, atëherë i njeti fakt mbron sovranitetin e Bosnjë Hercegovinës dhe sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Liderët serbë në Beograd në vazhdimësi kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Sa ndikim ka mosrënja dakort e serbëve për pavarësinë e Kosovës?

NOEL MALCOLM
Komuniteti ndërkombëtar do të preferonte që të kishte pëlqimin e Beogradit. Kjo do ta bënte gjithçka më të lehtë për ta. Por mund të kuptohet duke patur parasysh kulturën politike të Serbisë, që nuk është diçka shumë popullore për t'u bërë nga ana e politikanëve serb. Por nuk është sekret që studiues politikë të Beogradit prej disa kohësh kanë kuptuar se nuk mund të ketë një të ardhme serioze të Kosovës në një lloj shteti serb. Ata kanë bërë llogari demografike dhe e kanë kuptuar se shumë shpjet do të kishin një situatë në të cilën rreth 40 për qind e ushtrisë serbe do të duheshte të kishin rekrutë shqiptarë, vende në parlamentin serb...Ata nuk e duan këtë gjë. Dobrica Çosiç i ashtuquajturi baabi i nacionalizmit modern serb, që ka ende një influencë të madhe në Beograd dhe unë mendoj një influencë personale mbi presidentin Tadiç, e ka përshkruar Kosovën si një kancer në trupin e Serbisë. Ata e kuptojnë se do ta humbin këtë territor. Dhe disa prej tyre mund të preferojnë një skenar ndarje në të cillin ata mbajnë një pjesë të saj me pasuri minerale. Por komuniteti ndërkombëtar ka qenë shumë i qartë kundër ndarjes dhe mendoj se nuk ka asnjë mundësi të ndodh. Përfundimisht ne kemi një situatë në të cilën duket vërtetë se politikanët në Beograd duan që komuniteti ndërkombëtar të vendosë për ta.

Intervistoi: Alma ÇUPI
XS
SM
MD
LG