Ndërlidhjet

EKIPI NEGOCIATOR PËRGATITET PËR TAKIMIN E RADHËS ME ROHANIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pala kosovare në bisedimet për statusin nuk do të bëjë kompromise për decentralizimin për projekte që do të bien ndesh me parimet e prezantuara nga Prishtina zyrtare në takimet e Vjenës, ka thënë sot zëdhënësi i Grupit Negociues, Skender Hyseni. Në takimin e sotëm, ekipi kosovar për statusin ka shqyrtuar dhe një herë pozicionin që do të mbajë gjatë takimit me zëvendësin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan, i cili vjen në Prishtinë të enjten për të biseduar lidhur me kompromiset e mundshme sa i përket decentralizimit. Ndërsa Rohan do të paraqesë të enjten pozicionin ndërkombëtar për decentralizimin, sipas zëdhënësit Hyseni, qëndrimet e palës kosovare janë ato që kanë qenë më parë, edhe pse ai tha se për disa çështje mund të ketë lëvizje nga pozicionet e ngurta:
“Grupi negociator ka qëndrime të qarta të cilat janë paraqitur në Vjenë në takimin e fundit përmes delegacionit që ka qenë në Vjenë dhe nuk ka qëndrime të reja, sepse ekipi negociator mendon se Kosova ka bërë propozimin më të mirë të mundshëm që krijon dhe ofron një funksionalitet të duhur për komunat, por edhe për pushtetin qendror të Kosovës. Ne nuk do të ngurtësohemi në një pozicion pa arsye, por pozicioni që ne kemi marrë është shumë i arsyeshëm dhe ne jemi të sigurt se këtë do ta demonstrojmë dhe do të mbërrijmë ta argumentojmë edhe në takim me Rohanin”, theksoi Hyseni.
Hyseni tha se takimi i të enjtes me Rohanin pritet të rrumbullakësojë tërë procesin e decentralizimit. Ndërkohë lidhur me disa njoftime nga mediat e ndryshme për një pako të përgatitur nga kryenegociatori Marti Ahtisari, sipas të cilave Kosova edhe në rast të pavarësisë së saj, do të kishte limitime në krijimin e ushtrisë dhe disa fusha të tjera, Hyseni tha se Grupi Negociues nuk ka marrë një pako të tillë nga Ahtisari. Ai parashikoi që Kosova si një vend i pavarur që do të dalë nga procesi negociues, do të jetë një shtet me sovranitet dhe fuqiplotë:
“Ajo që mund të thuhet me siguri të plotë është se Kosova do ta ketë ushtrinë e vet, do të ketë ushtri në proporcion me nevojat për mbrojtje të Kosovës dhe kjo ushtri presim dhe jemi të sigurt që do të trajnohet nga NATO dhe sipas standardeve të NATO-s. D.m.th. në këtë nuk duhet të kemi asnjë dyshim, sepse nuk ka shtet pa ushtri e Kosova po bëhet shtet dhe sigurisht shtet i plotfuqishëm”, pohoi zëdhënësi Hyseni.
Po në takimin e sotëm, ekipi negociues ka caktuar dhe përbërjen e delegacionit të Prishtinës për takimin e 23 majit në Vjenë, ku do të diskutohet për trashëgiminë kulturore. Shef i këtij delegacioni është caktuar Ylber Hysa, nënkryetar i partisë së dytë opozitare Ora, ndërkohë që përbërja tjetër e delegacionit mbetet përafërsisht e njëjtë me ekipin që ka biseduar me Beogradin gjatë katër raundeve të takimeve për decentralizimin.



XS
SM
MD
LG