Ndërlidhjet

AHTISARI: BISEDIMET PËR STATUSIN MUND TË MOS PËRFUNDOJNË BRENDA 2006


Augustin Palokaj, Bruksel

Kryenegociatori ndërkombëtar për statusin e Kosovës Marti Ahtisari është takuar sot në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, dhe ka folur për më shumë se dy orë për herë të parë para Këshillit të Atlantikut të veriut. Ai ka folur për ecurinë e procesit të negociatave, duke paralajmëruar se pas raportit në Këshillin e Sigurimit në qershor, pritet të kalohet në fazën e vetë bisedave të statusit, pasi tani më shumë diskutohet për decentralizimin.
NATO-ja është në Kosovë për të mbrojtur si shumicën ashtu dhe pakicat, të mbrojë dhe objektet fetare dhe të parandalojë ata që dëshirojnë të keqpërdorin situatën dhe procesin e vështirë, që udhëhiqet nga ish presidenti Ahtisari, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, pas takimit me Ahtisarin. Ai u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që të angazhohen më shumë në përmbushjen e standardeve, ku duhet të bëhet më shumë punë, ndërsa po ashtu ka ftuar Beogradin që të inkurajojë serbët e Kosovës të integrohen në mënyrë konstruktive në institucionet kosovare.
"Aleanca e kupton se ka një numër gjërash që duhen bërë. Ato janë përmbushja e standardeve, pjesëmarrja e pakicës serbe në institucionet e Kosovës, është dhe bashkëpunimi me zotin Petersen", ka thënë shefi i NATO-s.
Ndërkaq Ahtisari ka falenderuar NATO-n për angazhimet që ka bërë dhe aranzhimet me ekipin e tij, duke dërguar një zyrtar ushtarak dhe një civil për lidhje, të cilët bashkëpunojnë ngushtë me ta. Duke folur për rolin e NATO-s, kryenegociatori ndërkombëtar për Kosovën ka nënvizuar se i tërë sektori i sigurisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë proces. Çfarëdo që të jetë statusi i Kosovës, atje do të ketë prani ndërkombëtare dhe NATO-ja do të jetë atje dhe prania e NATO-s është vitale, ka thënë ai.
I pyetur se si do të veprohet në rast se palët nuk merren vesh dhe a do të ketë një zgjidhje të imponuar nga bashkësia ndërkombëtare, Ahtisari ka thënë se ekziston edhe diçka në mes të kësaj.
"Në jetën time ka diçka në mes të zgjidhjes me marrëveshje dhe asaj të imponuar. Jeta shpesh ofron lloj lloj zgjidhjesh. Këto dy janë ekstreme, por kemi dhe një zonë gri në mes", ka thënë Ahtisari, duke shtuar se nuk duhet folur se si të vijnë deri në fund, por përgjegjësia e tij është të sigurojë se mund të zgjidhet ky problem.
Ahtisari ka përsëritur se mbetet afati për të gjetur zgjidhjen deri në fund të këtij viti, por nuk e ka përjashtuar as zgjatjen për një pjesë të vitit që vjen.
"Nëse zgjidhja nuk ndodh më 31 dhjetor dhe vazhdon pak gjatë vitit që vjen, atëhere ne duhet të jetojmë me këtë. Por nuk kemi afat tjetër kohor pos atij që ka thënë Grupi i Kontaktit," tha ai. Siç dihet Grupi i Kontaktit u ka bërë ftesë të gjitha palëve që të angazhohen për të gjetur zgjidhje deri në fund të këtij viti.
Marti Ahtisari ka vlerësuar se zgjidhja e problemit në Açeh të Indonezisë, ku po ashtu ai kishte ndërmjetësuar, ka qenë e mirë, por mendon se nuk ekziston ndonjë model për Kosovën, sepse Kosova është problem i ndryshëm.
Marti Ahtisari nga Brukseli do të shkojë për vizitë në Këshillin e Evropës në Strasburg, por më vonë do të vizitojë edhe Moskën dhe Pekinin.

XS
SM
MD
LG