Ndërlidhjet

PRISHTINA MIRËPRET REZULTATET E REFERENDUMIT NË MAL TË ZI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Rezultati i referendumit për të ardhmen e Malit të Zi është shprehje e vullnetit të popullit, i cili duhet të respektohet, thanë sot udhëheqës të institucioneve dhe të partive kryesore politike të Kosovës. Ata kanë thënë se pavarësimi i Malit të Zi dhe më pas edhe i Kosovës, do të shënojë shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë. Duke komentuar rezultatin pozitiv të referendumit për pavarësinë e Malit të Zi, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu e ka përgëzuar popullin e Malit të Zi për vendimin e djeshëm:
"Ne kemi thënë se e respektojmë vullnetin politik të qytetarëve të Malit të Zi dhe ai vendim është i vlefshëm, pasi kjo është zgjedhja e popullit të Malit të Zi," tha presidenti Sejdiu, sipas të cilit Kosova dhe Mali i Zi kanë dhe do të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore.
Presidenti Sejdiu tha se rezultati i referendumit në Malin e Zi nuk ka ndonjë ndikim mbi të ardhmen e Kosovës:
"Çështja e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi nuk mund të lidhen. Kosova e ka rregullën e saj të veçantë dhe ne angazhohemi që moti për pavarësi, ndërsa insistojmë që kjo çështje të zgjidhet gjatë këtij viti."
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Agim Çeku,në emër të qeverisë ka përgëzuar qytetarët e Malit të Zi për referendumin paqësor dhe demokratik në vend, përmes së cilit ata i rikthejnë sovranitetin vendit të tyre.
"Populli i Malit të Zi ka shprehur vullnetin për të jetuar i lirë në vendin e vet të pavarur dhe këtë ne, si qytetarë të Kosovës, e respektojmë. Ky proces ka dëshmuar se Mali i Zi ka një demokraci funksionale, ku qytetarët pavarësisht nga etnia apo religjioni, shprehin lirshëm zërin e tyre për përcaktimin e të ardhmes së vendit të tyre."
Kryeministri Çeku tha se shpresonte që Mali i Zi të vazhdonte rrugën e demokracisë dhe të integrimit evropian, ashtu si edhe Kosova si pjesë e shpërbërjes së Jugosllavisë:
"Jam i bindur se deri në fund të vitit edhe Kosova do t’i bashkëngjitet Malit të Zi në përcaktimin e statusit të pavarur dhe kjo përfundimisht do të thotë shpërbërje të një tregimi të pasuksesshëm të ish-Jugosllavisë. Mali i Zi do ta gjejë në Kosovë një partner serioz në ndërtimin e rrugës së përbashkët drejt integrimit në Evropë, një partner serioz në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe besoj që ky referendum i kontribuon vendosjes përfundimtare të marrëdhënieve të mira në rajon, mes vendeve dhe popujve".
Edhe udhëheqësi i partisë më të madhe opozitare Hashim Thaçi, pas një takimi me të dërguarin amerikan për statusin e Kosovës, Frank Wisner e ka përshëndetur rezultatin e referendumit në Malin e Zi, i cili mundëson pavarësimin e Malit të Zi.
"I kam përshëndetur dhe i përshëndes përsëri rezultatet e referendumit në Mal të Zi. Është respektim i vullnetit të qytetarëve të Malit të Zi dhe i uroj popullit të Malit Zi dhe besojmë se edhe viti 2006 do të jetë vit edhe i pavarësimit të Kosovës dhe këtë vit do të kemi tre shtete të reja të pavarura dhe do të përfundojë shpërbërja e ish-Jugosllavisë, pra Kosova e pavarur, Mali i Zi i pavarur dhe vetë Serbia e pavarur", tha zoti Thaçi, sipas të cilit me pavarësimin e Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë, hapet procesi i integrimit të rajonit si shtete të veçanta në strukturat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
XS
SM
MD
LG