Ndërlidhjet

PODGORICË


Presidenti i Serbisë Boris Tadiq sot e ka pranuar rezultatin e referendumit për pavarësinë e Malit të Zi.
Rezultatet zyrtare konfirmuan se 55.5% e votuesve u përcaktuan për ndarje nga Serbia. Kreu i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Frantishek Lipka tha se 230.711 votues zgjodhën pavarësinë, ndërsa 184.954 votuan për të unionin me Serbinë.
Parlamenti i Malit të Zi duhet që 15 ditë pas rezultatit zyrtar të shpallë pavarësinë, ndërsa presidenti i unionit serbomalazez Svetozar Maroviq ka thënë se të enjten do të japë dorëheqje.
Në Bruksel, Komisioneri për Zgjërimin, Oli Rehn tha se Bashkimi Evropian synon t'i ofrojë anëtarësim eventual Malit të Zi, pas referendumit të suksesshëm për pavarësi. Rehn tha se Komisioni Evropian do t'i rekomandojë negociatat për lidhje më të ngushta me shtetin e ri ballkanik, duke shtruar kështu rrugën për anëtarësim në unionin.
Presidenca austriake e BE-së tha se "plotësisht e respekton vendimin e popullit të Malit të Zi". Ministreja e Jashtme Ursula Plassnik tha se "njerëzit e rajonit nxorrën mësime nga e kaluara dhe vendimet tash i marrin në mënyrë paqësore dhe demokratike".
Sipas ambasadorit amerikan në Beograd Michael Polt, "njerëzit dhe politikanët e dy palëve dëshmuan pjekuri politike në këtë rast historik".
Duke përshëndetur referendumin, ministri britanik për Evropën, Goeffrey Hoon ka thënë se "ky është moment i rëndësishëm në historinë e Malit të Zi".
Ministria e Jashtme e Rusisë gjithashtu tha se i pranon rezultatet. "Për Rusinë, Mali i Zi dhe Serbia do të mbeten partnerë të afërt dhe solid", thuhet në deklaratën e ministrisë.
XS
SM
MD
LG