Ndërlidhjet

PAVARËSIA E MALIT TË ZI NUK DO TË NDIKOJË NË ZGJIDHJEN E STATUSIT


Albana Isufi, Prishtinë

Analistët kosovarë dhe ndërkombëtarë mendojnë se deklarimi i malaziasve për pavarësi nuk do të ketë ndonjë ndikim direkt në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kjo, sepse që nga krijimi i unionit Serbi- Mali i Zi në vitin 2002, qe paraparë, që pas tre vjetësh këto shtete të deklaroheshin nëse do vazhdojnë ose jo funksionimin brenda unionit.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare Enver Hasani, thotë se referendumi për pavarësinë e Malit të Zi në Kosovë do ketë vetëm ndikim psikologjik, por jo edhe politik.
“Ndikimi më shumë është psikologjik, sepse referendumi i Malit të Zi, te ne është pranuar në të kundërtën e asaj që ka synuar Solana, sepse këtu te ne referendumi dhe deklarimi i vullneti të lirë shihet si diçka, që është pranuar edhe nga entitetet që kanë përbërë ish Jugosllavinë, që nënkupton edhe Kosovën”.
Shefi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën Alex Anderson, Kosovën dhe Malin e Zi i sheh si dy vende që kanë pasur proceset e ndara. Rrjedhimisht rezultati i referendumit nuk do ketë ndikim në Kosovë. Megjithatë, Anderson thotë se nuk mund t’i iket efektit të dominosë.
“Referendumi dhe rezultatet e tij, që Mali i Zi do të bëhet shpejt shtet i pavarur, krijon efektin domino në Kosovë. Do ndikojë në Serbi, në qasjen e saj ndaj statusit përfundimtar të Kosovës. Pra, në njërën anë do jetë një nga tronditjet më serioze për Serbinë në këtë vit, që mund të ketë efekt destabilizues. Në anën tjetër ndodhin reagimet e qeta nga njerëzit në Beograd dhe të atyre që ndihen më lojalë në Serbi sesa në Mal të Zi, duke krijuar një ndjenjë se edhe ndonjë rezolutë të re për Kosovën, do të pranohet më lehtë sesa që mendohet,” thotë Aleks Anderson.
Ndërkohë, profesori i së drejtës ndërkombëtare Enver Hasani parasheh një zvarritje të bisedimeve për statusin mes Kosovës dhe Serbisë.
“Unë pres që procesi i bisedimeve të shkojë me tempo të njëjtë të ngadalshme, ashtu sië ka qenë deri tash. Sipas të gjitha gjasave do ketë edhe zvarritje. Ndërsa, zvarritjet do kishin qenë edhe po qe se kishte dështuar referendumi në Mal të Zi, dinamika nuk besoj se do të ndryshonte esencialisht”.
Aleks Anderson nga GNK sheh efektet pozitive të krijimit të shtetit të Malit të Zi, nga të cilat do të përfitojë Kosova si një vend pavarur në të ardhmen.
“Rezultati i bisedimeve për statusin e Kosovës do dihen në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit të ardhshëm, që do jetë një lloj pavarësie e kushtëzuar. Dihet se pas kësaj nuk mund të pritet për një kohë të gjatë bashkëpunimi me Serbinë. Pra, me Malin e Zi të pavarur krijohen opsione më të mëdha rajonale për Kosovën”, thotë Anderson, duke përmendur faktin se edhe sa ka qenë në union, Mali i Zi ua ka lehtësuar jetën kosovarëve duke ua njohur atyre dokumentet e udhëtimit dhe duke bashkëpunuar në fusha të ndryshme ekonomike, gjë që s’ka ndodhur me Serbinë.
Enver Hasani ndërkaq, thotë se mbajtja e referendumit në Mal të Zi është bërë në kohën e duhur.
“Mendoj se referendumi në Mal të Zi duhet shikuar në kuadër të realizimit të marrëveshjes së Serbisë e Malit të Zi, që është e 2002-shit, dhe si e tillë do të paraqesë sukses të Solanës, sepse ai e ka organizuar referendumin deri këtu dhe e ka shtyrë atë për disa vite, sepse po ta kishte lënë të mbahej para vitit 2002, do kishte komplikime serioze në radhë të parë për Kosovën, por edhe për rajonin”.
Analisti Aleks Anderson mendon se Kosova mund të marrë mësim nga Mali i Zi si një vend multietnik, i cili ka arritur të funksionojë si i tillë pa e shtyrë askush, ndryshe nga Kosova, ku krijimi i shoqërisë multietnike kushtëzohet nga bashkësia ndërkombëtare përmes programit për përmbushjen e standardeve.

XS
SM
MD
LG