Ndërlidhjet

DELEGACIONET E KOSOVËS PËRGATITEN PËR TAKIMET E VJENËS DHE SELANIKUT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Ekipi Negociator për statusin ka caktuar sot përbërjen e delegacionit që do të përfaqësojë Prishtinën në takimin e 31 majit në Vjenë ku do të bisedohet lidhur me ekonominë. Po ashtu, delegacioni i Kosovës është përgjigjur sot në një pyetësor të kryenegociatorit Marti Ahtisari, i cili, sipas zëdhënësit Skender Hyseni, bien në çështjet e sukcesionit që do të shtrohen në takimin e radhës në Vjenë:
“Po ka pyetje të ndryshme nga sukcesioni, domethënë pak a shumë të gjitha bien në kuadër të sukcesionit, siç janë borxhi i jashtëm, pasuritë e jashtme, prona, pensionet, depozitat revizore, kursimet revizore etj., domethënë të gjitha këto janë çështje që e përbëjnë korpusin e çështjeve ekonomike, që do të shtrohen pa evitueshëm gjatë takimit të radhës në Vjenë”, tha Hyseni.
Një prej pikave kryesore që do të shtrohet në bisedimet Prishtinë – Beograd lidhur me ekonominë, parashihet të jetë dhe çështja e borxheve të Kosovës të trashëguara nga ish-Federata Jugosllave, si dhe kërkesa e palës kosovare për kompensimin e dëmeve të luftës. Zëdhënësi Hyseni, i cili në takimin e 31 majit do të jetë dhe udhëheqës i ekipit kosovar, tha se pala nga Prishtina i ka të specifikuara qëndrimet se si do t’i adresojë këto çështje:
“Sa i përket borxhit të jashtëm, ka borxhe të alokuara dhe ka borxhe të pa alokuara. Borxhe të alokuara domethënë kur dihet përfituesi i fundit dhe ne sigurisht që do ta përqafojmë parimin e përfituesit të fundit, sepse kjo është më e lehtë, më praktike dhe më pragmatike. Dihet përfituesi i fundit i një borxhi të caktuar të Bankës Botërore ose Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe në bazë të kësaj shifrat janë më lehtë për t'u identifikuar”, theksoi Hyseni.
Po në kuadër të përgatitjeve për takimet e radhës për çështjet e përcaktuara si praktike nga ana e kryenegociatorit Marti Ahtisari, sot është mbledhur dhe Këshilli Konsultativ për Komunitete. Përfaqësuesi i këtij këshilli dhe anëtari i grupit politik, Ylber Hysa, tha se Prishtina i ka dëgjuar pikëpamjet e të gjitha grupeve etnike për trajtimin dhe pozitën e tyre që duan të kenë në Kosovë, pas përcaktimit të statusit. Në këtë aspekt, Hysa tha se dokumenti i Prishtinës që do të prezantohet në takimin e 3 qershorit në Selanik, ku do të marrin pjesë dhe përfaqësuesit e partive politike nga shumica dhe ata të pakicave, si dhe përfaqësues ndërkombëtarë dhe ata të zyrës së Ahtisarit, mëton që gradualisht të sjellë miratimin e Ligjit Kushtetues me të cilin do të rregullohej çështja e pakicave në Kosovë:
“Është një dokument voluminoz, i cili në vete përfshin standardet më të avancuara për të drejtat e komuniteteve që përfshijnë të drejtën për përfaqësim në institucione politike, në institucione qeveritare, në parlament, të drejtat e gjuhës, të drejtat në pushtet lokal dhe shumëçka tjetër që është ngritur nga komunitetet dhe si i tillë garanton që është një prej dokumenteve më të avancuara, i cili do t’ua lehtësojë jetën, jo vetëm komuniteteve por besoj se do të jetë diçka shumë e favorshme që i ndihmon edhe procesit negociator për Kosovën”, tha Hysa.
Pas decentralizimit, bisedimeve për trashëgiminë kulturore, hapja e bisedimeve për çështjet ekonomike dhe ato që kanë të bëjnë me pakicat, shënon pjesën përfundimtare të agjendës së fazës së parë të diskutimeve mbi çështjet praktike. Pas kësaj faze, kryenegociatori Ahtisaari ka përsëritur disa herë se do të kalohet në fazën vendimtare, atë të përcaktimin të statusit të Kosovës.




Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG