Ndërlidhjet

VJENË: BISEDIMET PRISHTINË BEOGRAD PËR EKONOMINË NUK DHANË REZULTAT


Beqë Cufaj, Vjenë

Raundi i gjashtë i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjet e ekonomisë ka kaluar sot në Vjenë pa rezultate konkrete. Mikëpritësit dhe moderatorët e takimit të sotëm, Albert Rohan dhe Stefan Lehne, thanë në konferencën për gazetarët se takimi megjithatë ishte i dobishëm, sepse është mundur të përfitohet një pasqyrë rreth qëndrimeve të Prishtinës dhe Beogradit për tematikën e borxheve të jashtme të Kosovës, pronave shoqërore, shtetërore dhe private, të kontove të ngrira të kosovarëve në kohën e Millosheviçit, të sigurimeve pensionale, dëmeve të luftës dhe një varg temash të tjera. Lehne dhe Rohan njoftuan gazetarët që në pah doli që shumë gjëra lidhur me pakon e ekonomisë, dalin drejtpërdrejt të lidhura me procesin e statusit të rregulluar të Kosovës. Kështu derisa Prishtina është treguar e gatshme që të marrë përsipër pagimin e borxheve të jashtme të Kosovës, në bazë të marrëveshjeve për sukcesion në hapësirën e ish-Jugosllavisë, dhe atë vetëm në periudhën e para regjimit të Millosheviçit, Beogradi nuk e ka bërë të qartë nëse do t'i japë të dhënat dhe statistikat e këtyre borxheve, para dhe gjatë regjimit të Millosheviçit. Në të njëjtën kohë Beogradi ka insistuar dhe është ankuar për pronat shoqërore dhe sidomos procesin e privatizimit në Kosovë, duke kërkuar nga UNMIK-u, por dhe nga zyra e zotit Ahtisari që ky proces të ndalet, sepse sipas pikëpamjes së tyre, kjo prek në interesat e drejtpërdrejta të Serbisë. Këto pikëpamje të parashtruara nga Rohan dhe Lehne, u vërtetuan dhe nga delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit nga konferencat e veçanta për shtyp. Po kështu zoti Rohan nuk ka dashur t'i komentojë akuzat ndaj delegacionit serb për gjoja mos përgatitjen e duhur të këtyre negociatave, ndërsa për propozimin e fundit të Tadiçit dhe Koshtunicës për statusin e ardhshëm të Kosovës, Rohan ka thënë që ky propozim ka arritur sot në Vjenë dhe se do të studjohet nga zyra e Ahtisarit.
Përndryshe duket se ky ishte takimi i fundit i drejtpërdrejtë mes shqiptarëve dhe serbëve, para fillimit të negociatave për statusin. Thuhet drejpërdrejt, sepse që nesër, përfaqësuesit i delegacionit kosovar për decentralizimin do të kenë një takim të mbyllur dhe larg syve dhe veshëve të mediave me ekspertë ndërkombëtarë për decentralizimin nga zyra e Ahtisarit ndërsa pas dy ditësh pritet që po këta ekspertë të udhëtojnë edhe në Beograd për t'u takuar me ekspertët serbë po për këtë temë. Për t'u diskutuar në nivel ekspertësh ka në mbetur edhe temat e trashëgimisë kulturore dhe objekteve fetare, por sipas gjasave, tema më e rëndë dhe më e vështirë pritet që të jetë ajo e decentralizimit, ndërsa çështja e ekonomisë e diskutuar sot duket vërtet t'i jetë lënë Kosovës me statusin e rregulluar.

XS
SM
MD
LG