Ndërlidhjet

O'BRIEN: PAVARËSIA E KOSOVËS, ZGJIDHJA E VETME E LOGJIKSHME


James O'Brien, ish diplomat amerikan i ngarkuar për Ballkanin

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti O'Brien si do t'a vlerësonit ecurinë e deritashme të bisedimeve për statusin e Kosovës?

JAMES O'BRIEN
Gjëja e parë që do theksoja është fakti se ekipi ndërkombëtar, zoti Ahtisari apo zoti Rohan, janë tepër të aftë dhe kanë qenë të përfshirë në rajon. Kjo tregon angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare që ta zgjidhë këtë çështje shpejt. Jam befasuar për mirë dhe nga vëmendja që i kanë kushtuar kësaj çështje vendet e Grupit të Kontaktit. Për herë të parë pas disa vitesh kemi një angazhim të vazhdueshëm e për më tepër fakti që Shtetet e Bashkuara caktuan një të dërguar të posaçëm, është shenjë e seriozitetit për ta zgjidhur këtë çështje shpejt.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fillim të bisedimeve zoti Ahtisari këmbëngulte se procesi do mbyllej këtë vit, por së fundi ai ka thënë se mund të zgjasë pak më shumë. A mendoni se procesi do përfundojë këtë vit?

JAMES O'BRIEN
Padyshim do të mbyllet këtë vit. Bisedimet janë pjesë e procesit, por themelore do jetë gatishmëria e Beogradit që të përfshihet në mënyrë konstruktive. Vetë kam qenë i përfshirë në diskutimet diplomatike në rajon nga viti 1998 deri në vitin 2000 dhe krijova bindjen se duhej një periudhë për të pasur koka të ftohta. Kur fillova ta vizitoja Kosovën sërish në vitin 2003, erdha në përfundimin se procesi nuk mund të shtyhej më tej dhe se pavarësia është përfundimi i vetëm llogjik. Ky është një vendim shumë i rëndë për t'u pranuar nga Beogradi, por është detyrë e udhëheqësve politikë që ta përgatisin popullin për këtë dhe të bëjnë gjithçka për t'ia mundësuar serbëve në Kosovë që të vazhdojnë të jetojnë atje.
Mendoj se themeli i bisedimeve lidhet me atë se sa është i përgatitur Beogradi ta bëjë një gjë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sapo thatë se kohëzgjatja e bisedimeve do varet nga aftësia e Beogradit për t'u përfshirë në mënyrë konstruktive. Por nga Beogradi përgjigja është se pavarësia e Kosovës do të shkaktojë trazira në Ballkan. Nga ana tjetër, së fundi kemi serbët e Bosnjës që kërkojnë referendum për të ardhmen e tyre. Sa janë gjasat për trazira?

JAMES O'BRIEN?
Stabiliteti i rajonit varet nga prespektiva evropiane e tyre. Sa më shumë punë të bëjnë për t'iu bashkangjitur Unionit Evropian, aq më stabël do jetë rajoni.
Diçka vetëshkatërruese që mund të bëjnë serbët është të fillojnë të nxisin trazira apo frymën e shkëputjes në rajon. Mendoj se Serbia duhet të jetë motori i Ballkanit. Ka pasur një rol të tillë historik më parë dhe shpresoj ta luajë sërish. Shpresoj që udhëheqësit politikë të fokusohen në perspektivën evropiane. Kjo është ajo që meriton populli i Serbisë. Serbia mund të jetë ekonomia me rritjen më të madhe në dekadën e ardhshme, por lidershipi politik duhet të bëjë kthesën drejt të ardhmes.

RADIO EVROPA E LIRË
E nëse Beogradi zyrtar nuk e bën këtë pikë kthese, cilat janë gjasat për një zgjidhje të imponuar për Kosovën?

JAMES O'BRIEN
Janë gjasa shumë të mira. Nuk e di nëse do të thosha zgjidhje e imponuar. Nëse bisedimet nuk do lëvizin drejt një zgjidhje konstruktive, atëherë bashkësia ndërkombëtare duhet të thotë se u mbush kupa dhe duhet të merret një vendim.
Jam i kënaqur që bisedimet janë bërë më intensive, veçanërisht muajin e fundit. Besoj se kjo do të vazhdojë dhe gjatë verës, duke diskutuar dhe çështje që prekin statusin. Rreth gushtit njerëzit e përfshirë në negociata do ta kenë ndjesinë nëse bisedimet e mëtejshme do të çojnë drejt një marrëveshjeje. Unë pres që në shtator, kohë dhe kur hapet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, do të kemi rekomandimet nga presidenti Ahtisari se si do të ecet më tutje. Nëse ai vlerëson se bisedimet shtesë nuk do çojnë askund, atëherë bashkësia ndërkombëtare do vendosë të lëvizë në një fazë të re. Kjo nuk do të thotë se do kemi vendimin e menjëhershëm për pavarësinë e Kosovës, por do të pasojnë aktivitete të ngjeshura në rajon.
Do shohim ministra të jashtëm të vizitojnë rajonin, përfshi ndoshta dhe disa krerë shtetesh.
Të gjitha këto do të bëjnë që rreth nëntorit apo dhjetorit të arrihet në një vendim, derisa bisedimet e mëtejshme mes palëve nuk do sjellin gjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do jetë roli i Kinës dhe Rusisë nëse çështja shkon në Këshillin e Sigurimit?

JAMES O'BRIEN
Kinezët nuk besoj se do të veprojë kokë më vete. Çështja shtrohet se si do sillet Rusia. Për Rusinë shtrohet pyetja se çfarë roli shohin për vetveten në rajon. Rusia duhet të zgjedhë nëse do mbështesë popujt e rajonit e veçanërisht ata ortodoksë, që të bëhen pjesë e ekonomisë globale, ose do vazhdojë të mbështesë idenë e krijimit të precedentit. Dhe nëse ndalojmë tek precedenti, pyetja është cili precedent. Ministri i jashtëm ka thënë disa herë se është i shqetësuar për ndikimin që mund të ketë kjo çështje në Çeçeni, por nga ana tjetër mirëpret ndikimin në territoret me popullsi ruse jashtë Rusisë.
Nëse Rusia nuk vendos deri në vjeshtë atëherë do ta shohë vetveten duke e abstenuar zgjidhjen.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se pavarësia do të jetë statusi i Kosovës. Por cili është raporti pavarësi-sovranitet, përfshi këtu dhe ulësen në OKB?

JAMES O'BRIEN
Jo, nëse jeni i pavarur atëherë keni të drejtë të kërkoni ulësen tuaj në Kombet e Bashkuara. Ajo që besoj se do të ndodhë është se Serbia do jetë në trenin e shpejtë për t'iu bashkangjitur BE-së. Kosovës do t'i duhet një kohë më e gjatë, pasi nuk ka kapacitetet e duhura institucionale. Do të duhen disa vite për t'i zhvilluar institucionet e nevojshme. Ajo që shoh në këtë proces është se vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, duhet të vendosin nëse është ndihmë për një vend që është duke zhvilluar kapacitetet e veta të pranohet në organizatën botërore apo jo. Dhe mendoj se ato do thonë po, le të na bashkohet. Po ky vendim do varet nga vendet anëtare dhe nga mënyra se si do të jetë mbyllja e procesit.
Por është kyçe për fundin e procesit që të dyja palët të evitojnë dhunën. Protestat e fundit që pamë janë shumë problematike dhe shpresoj të mos i shoh sërish. Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës duhet ta bëjnë të qartë se serbët mund të kenë jetë normale në Kosovë.
Nga ana tjetër Beogradi duhet të punojë me serbët e Kosovës, që këta të fundit të ndihen mirë në Kosovë. Beogradi duhet të mënjanojë çdo sygjerim që mund të provokojë dhunë.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi keni pasur takime me disa drejtues të Kosovës. Si do t'a vlerësonit ecurinë e institucioneve dhe udhëheqësve të Kosovës deri tani?

JAMES O'BRIEN
Ato janë shumë të reja. Ndryshimet e fundit në qeveri kanë rritur mbështetjen për angazhimin kosovar që serbët, romët dhe të tjerët të jetojnë në Kosovë. Ata e kanë kuptuar se kjo është rruga e vetme për të pasur mbështetjen ndërkombëtare drejt integrimit evropian.
Institucionet e Kosovës për dekada kanë qenë të lëna pas dore. Fillimisht në kohën e Serbisë dhe për disa vjet nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, gjatë të cilave nuk kanë pasur mundësi të ushtrojnë qeverisje. Institucionet e Kosovës po rriten shpejt, por kërkon kohë të ngrejnë institucionet që u nevojiten.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni praninë ndërkombëtare në Kosovën e pas statusit?

JAMES O'BRIEN
Do ketë ndihmë ndërkombëtare substanciale në Kosovë, veçanërisht në tre shtylla. Së pari do të punohet për anëtarësimin në BE, së dyti do kemi një prani civile, pasi kosovarët do kenë nevojë për ndihmë në fusha si lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit. Shtylla e tretë është siguria e kjo ka të bëjë me praninë e NATO-s.
Mendoj se e ardhmja e rajonit shtrihet në Evropë. Shtetet e Bashkuara luajnë një rol të rëndësishëm veçanërisht duke siguruar praninë e NATO-s në rajon. Së dyti SHBA-të kanë një pozicion unik veçanërisht në tensionet e fundit me Serbinë, pasi Uashingtoni mund të thotë se është larg rivaliteteve historike të rajonit. Ky është roli që shpresoj të shohë për SHBA-të në rajon. Por është një rol ndihmës për iniciativën evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet disa herë të ardhmen evropiane të rajonit dhe kjo është thënë dhe nga Brukseli. Por është fakt se zërat dyshues janë rritur në Bashkimin Evropian rreth të ardhmes së Ballkanit perëndimor. A do dëmtojë ky lloj dyshimi zgjidhjen e problemeve në rajon?

JAMES O'BRIEN
Shpresoj që jo dhe jam i bindur që një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Edhe dyshuesit e zgjerimit të BE-së e pranojnë që vendet e Ballkanit perëndimor janë rast specifik dhe kjo ka një llogjikë. Sllovenia është anëtare e Bashkimit Evropian, Kroacia bëhet për pak vjet, Maqedonia ka statusin e vendit kandidat, Bosnja ka filluar bisedimet, Serbia gjithashtu, ndaj nuk ka kuptim të krijohet një lloj getoje e vendeve kandidate apo jo, në mes të Greqisë dhe vendeve të tjera të Evropës.
Edhe koha punon për vendet e Ballkanit. Në dy-tre vitet e ardhshme ekonomia evropiane do jetë në gjendje më të mirë dhe udhëheqësit evropianë do flasin për një union të fortë, derisa tendenca e publikut do jetë e ndryshme nga një vit më parë, apo nga ajo që është aktualisht. Në këtë mënyrë do jetë më e lehtë për Ballkanin që të ecë përpara.

Intervistoi: Ilirjana A. Bajo

XS
SM
MD
LG