Ndërlidhjet

KAMPIONATI BOTËROR SYNON TË MBROHET NGA RACIZMI


International Herald Tribune

Derisa po largohej nga fusha në futbollit në qytetin Halle të Gjermanisë, futbollisti nigerian, Adebowale Ogungbure, është pështyrë dhe tallur me zhurma majmunësh. Duke u kundërpërgjigjur, ai ka simuluar Hitlerin dhe është përshëndetur në formën naziste.
FIFA tani thotë se kohët e fundit është shtuar sjellja diskriminuese e simpatizantëve dhe lojtarëve kundër futbollistëve zezakë. Ky trend i dënueshëm, siç e ka quajtur FIFA, kërcënon ta turpërojë futbollin në kampionatin botëror në Gjermani, i cili fillon më 9 qershor. Lojtarët, trajnerët dhe zyrtarët kanë kërcënuar me sanksione, por FIFA ka thënë se në rastet kur simpatizantët kanë sjellje raciste, nuk do të ishte praktike për të zbatuar dënimet më të rënda të mundshme, sikur që është ndalimi i ndeshjeve, zhvillimi i tyre në stadium të zbrazët, apo heqja e pikëve për ekipe të caktuara.
Lojtarë të ndryshëm dhe ekspertë për çështje kundër racizmit, thonë se presin sjellje fyese gjatë kampionatit, përfshirë këtu zhurma majmunësh, këngë sarkastike, mbishkrime që pasqyrojnë besime raciste, e madje edhe hedhje të bananeve.
Në të njëjtën kohë, ekziston edhe besimi se sjelljet raciste do të mund të jenë të kufizura gjatë kampionatit botëror për shkak të masave të jashtëzakonshme të sigurisë, çmimit të lartë të biletave dhe karakterit prestigjioz që ka kjo ngjarje.
Megjithatë, Kurt Wachter, nga projekti “Futbolli Kundër Racizmit në Evropë”, është i bindur se sjelljet e këtilla nuk do të ndalen vetëm për shkak se bëhet fjalë për Kampionatin Botëror. Gjermania ka nivelin më të ulët të krimeve të dhunshme, por një grup emigrantësh nga Afrika ka publikuar një listë të rajoneve të caktuara të Gjermanisë, duke rekomanduar jo të bardhët që të mos shkojnë atje.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka tërhequr vërejtjen se “secili që kërcënon, sulmon ose edhe më keq, vret dikë për shkak të ngjyrës së lëkurës apo prejardhjes, do të përballet me gjithë forcën e ligjit”.
Nën trysninë e luftës kundër incidenteve në rritje me motive raciste, FIFA ka vendosur që në sanksione të përfshihet suspendimi me pesë ndeshje për lojtarët dhe zyrtarët që bëjnë gjeste diskriminuese, gjoba prej 16 deri më 25 mijë dollarë për çdo fyerje dhe ndalim hyrjeje dy vjeçare në stadium për spektatorët që fyejnë.
“Identifikimi i spektatorëve fyes gjatë kampionatit do të jetë i vështirë, për faktin se publiku do të jetë shumëkombësh”, ka thënë zëdhënësi i FIFA-s, Nicolas Maingot. Por kritikët kanë propozuar që secili spektator në biletë të ketë edhe emrin e shtypur për të mundësuar identifikimin e atyre që fyejnë.



XS
SM
MD
LG