Ndërlidhjet

LION: BEOGRADI ENDE KA OREKSE TERRITORIALE


James Lion, shef i Zyrës së GNK-së në Beograd

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lion, Parlamenti i Serbisë ka konstatuar pavarësinë pas referendumit në Mal të Zi. Përse është përdorur termi konstatoj dhe jo shpall pavarësinë? A është ky thjesht dallim gjuhësor apo diçka më shumë?

JAMES LION
Mendoj se në këtë rast shprehja konstatoj është përpjekje për të shpëtuar fytyrën. Përdorimi i kësaj shprehje është bërë kryesisht për qëllime politike, pasi kishin vështirësi që të arrinin kuorumin prej 126 deputetësh.
Qëllimi i deklaratës para së gjithash ishte që ata të ruanin subjektivitetin ndërkombëtar të Unionit Serbi e Mal i Zi. Derisa Malit të Zi do t'i duhet të aplikojë për anëtarësi në Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare, Serbia nuk ka nevojë për hapa të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të ndalesha pikërisht tek fakti që Serbia do jetë trashëgimtare e ish bashkësisë shtetërore, përfshi dhe rezolutën 1244. Nga pikëpamja ligjore si do ndikojë kjo në statusin e Kosovës?

JAMES LION
Nuk ka asnjë ndikim. Kjo deklaratë ishte pjesë e kartës së bashkësisë shtetërore dhe ishte paraparë kohë më parë.
Sa i përket Kosovës kjo nuk ka asnjë ndikim, pasi Kosova kontrollohet nga Kombet e Bashkuara dhe gjithçka që ndodh në Beograd nuk do ketë asnjë pasojë mbi Kosovën. Kosova është e pavarur nga Beogradi që nga korriku i vitit 1999.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas referendumit në Mal të Zi, serbët e Bosnjës kërkuan që të vendosin po me referendum për të ardhmen e tyre. A mendoni se Beogradi do përdorë serbët jashtë Serbisë për të vënë në pikëpyetje kufijtë aktualë?

JAMES LION
Beogradi gjithmonë është përpjekur ta bëjë një gjë të tillë, pasi ka ende një oreks të pashuar për territore. Beogradi mendon se duhet të kompensohet për humbjen e Malit të Zi dhe të Kosovës. Në këtë kuptim mendon se meriton që Republika Serbe të shkëputet nga Bosnja. Kemi parë kryeministrin Koshtunica dhe politikanë të tjerë në Beograd të bëjnë komente se Serbia dhe Republika Serbe e Bosnjës duhet të bashkohen. Edhe thirrja e fundit e kryeministrit të Republikës Serbe, Millorad Dodik për mbajtjen e referendumit, besoj se është bërë me mbështetjen e fuqishme të Beogradit.
Por duhet të kemi parasysh se një referendum i tillë mund të ketë pasoja dhe të godasë vetë Serbinë. Një referendum i tillë, përveç rrezikut se mund të ringjallë luftën në Bosnjë, ka pasoja mbi vetë Serbinë. Shtrohet pyetja nëse një e drejtë e tillë i jepet serbëve të Bosnjës, atëherë përse hungarezët e Vojvodinës, shqiptarët e Luginës se Preshevës, boshnjakët e Sanxhakut të mos kenë të njëjtat të drejta?
Në këto kushte tundimi i Serbisë për territore, mund t'i kthehet mbrapsht dhe ta lerë Serbinë edhe më të vogël se ç'është.
Kjo është një çështje për të cilën të gjithë shpresojnë se Beogradi do të tregohet i mençur dhe do të heqë dorë. Por momentalisht Beogradi nuk po tregon ndonjë shenjë se është i mençur.

RADIO EVROPA E LIRË
Në të njëjtën ditë që parlamenti i Serbisë konstaton pavarësinë, serbët e katër komunave në veri të Kosovës deklaruan se ndërpresin çdo komunikim me institucionet ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë. Sipas jush a kanë lidhje këto ngjarje?

JAMES LION
Kjo është diçka që po ndodh për një kohë të gjatë. Të gjithë e dimë se Beogradi dëshiron copëtimin e Kosovës, mundësisht me kufij aty ku kalon lumi Ibër, për të përfituar sa më shumë që të jetë e mundur.
Bashkësia ndërkombëtare për një kohë të gjatë në një mënyrë kishte hequr dorë nga pjesa veriore dhe vetëm së fundi ka filluar të përpiqet të vendosë kontrollin mbi pjesën veriore. Së fundi kemi hapjen e një baze të KFOR-it në veri, funksionimin e së cilës mbetet ta shohim në të ardhmen. Mendoj se kjo deklaratë e serbëve të Kosovës ishte në përgjigje të hapjes së bazës së NATO-s në veri dhe drojës se kjo do pengojë ndarjen e Kosovës ashtu siç dëshiron Serbia.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG