Ndërlidhjet

TRAUMAT E LUFTËS DHE GJENDJA SOCIALE SHTOJNË NUMRIN E VETËVRASJEVE NË KOSOVË


NadieAhmeti, Prishtinë

Gjatë javës së fundit, një person ka bërë vetëvrasje dhe pesë të tjerë kanë tentuar të vetëvriten, njofton Shërbimi Policor i Kosovës. Zëdhënësja e këtij Shërbimi, Sabrije Kamberi, thotë se që prej vitit 2000 e deri në vitin 2005, janë raportuar 362 vetëvrasje.
“Ndërsa sa i përket muajit maj, është shënuar një rast i vetëvrasjes dhe tre raste të tjera tentim vetëvrasje,” tha zonja Kamberi.
Numri kaq i madh i vetëvrasjeve është shndërruar në dukuri shqetësuese për institucionet dhe shoqërinë kosovare në përgjithësi, thonë psikologë dhe përfaqësues të këshillit për Mbrojtjen dhe Liritë e të Drejtave të Njeriut. Ibrahim Makolli, nga ky këshill, pohon se mosha e personave që janë vetëvrarë sillet prej 17 deri në 35 vjeç dhe tani Kosova ka vendin e parë në rajon me numrin më të madh të vetëvrasjeve.
“Duke pasur parasysh edhe të kaluarën se Kosova ka qenë në vendin e fundit për nga vetëvrasjet, ndërkaq tani prin në top listën e rasteve të vetëvrasjes në raport me numrin e banorëve në Kosovë,” tha zoti Makolli.
Gjendja e rëndë ekonomike, mungesa e një perspektive për të ardhmen dhe traumat që njerëzit kanë përjetuar gjatë luftës, janë disa nga shkaktarët kryesorë, sipas një hulumtimi të këshillit, që njerëzit të ndërmarrin këtë akt.
“Kemi arritur në përfundim se një nga faktorët kryesorë është gjendja e tyre emotive, duke pasur parasysh edhe periudhën e pas luftës, traumat te individë të ndryshëm dhe pamundësia e përballjes së tyre me sfidat që i ka jeta përpara", tha zoti Makolli.
Dashamir Bërxulli psikolog, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, thotë se gjendja emotive që e nxit një njeri të bëjë vetëvrasje është depresioni.
“Arsyet janë të shumta, por kryesisht kanë lidhje me depresionin, si një nga çrregullimet e mëdha të psikologjisë së njeriut." tha zoti Bërxulli.
Zoti Bërxulli gjithashtu thotë se situata e rëndë ekonomike në Kosovë dhe pasojat që ka sjellë kjo situatë, i ka gjetur institucionet të papërgatitura në këtë drejtim. Ai thotë se strukturat e shëndetit mendor duhet gjithsesi të investojnë në kuadro profesionale që të merren me këtë problem.
“Kjo edhe një herë tregon mosefikasitetin dhe dobësinë e veprimit të efikasitetit të strukturave të shëndetit mendor, të cilat nuk janë të organizuara mirë dhe nuk po u përgjigjen në kohë nevojave të shëndetit mendor që i ka popullata,” tha zoti Bërxulli.
Ndërkaq zoti Makolli, pohon se institucionet vendore janë ato që duhet të bëjnë përpjekje që së paku të merren me pasojat dhe shkaqet që i sjellin njerëzit para aktit të vetëvrasjes.
“Përderisa ne nuk kemi hulumtime, identifikim të saktë shkencor të faktorëve të cilët ndikojnë në ta, absolutisht nuk mund të flitet për ndërtimin e mekanizmave të efektshëm për parandalimin dhe jo vetëm me marrjen e pasojave të gjithë kësaj,” tha zoti Makolli.
Sidoqoftë, që prej vitit 2000, numri i personave që kanë bërë përpjekje të vetëvriten ka arritur në 800. Organet kompetente pohojnë se në kategorinë e personave që rrezikohen nga vetëvrasja janë njerëzit që kryesisht përballen me kriza të disponimit, por edhe ata të cilët radhiten në grupin e alkoolistëve dhe narkomanëve.



XS
SM
MD
LG