Ndërlidhjet

JUHA OTTMAN:BE-JA PËRGATIT KONFERENCËN E DONATORËVE PËR KOSOVËN E PAS STATUSIT


Juha Ottman, drejtor për Ballkanin në MPJ të Finlandës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ottman, Finlanda do të marrë presidencën e rradhës së Bashkimit Evropian më 1 korrik. Cili do jetë vendi i Ballkanit perëndimor dhe Kosovës në veçanti gjatë presidencës suaj?

JUHA OTTMAN
Ballkani perëndimor vazhdon të mbetet një nga përparësitë e marrëdhënieve të jashtme të Bashkimit Evropian. Kështu do jetë dhe gjatë presidencës finlandeze, ndonëse më duhet të theksoj se ne kemi një qasje më të baraspeshuar. Ballkani perëndimor për ne është përparësi, por ka dhe të tjera siç janë marrëdhëniet me Rusinë, apo ato transatlantike. Megjithatë ne do vazhdojmë punën e mirë të nisur nga presidenca austriake, çfarë do të thotë se Ballkani perëndimor dhe Kosova në veçanti, do jenë në mesin e përparësive dhe për presidencën finlandeze.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të jetë e përfshirë Finlanda në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke pasur parsysh se bisedimet për statusin janë në fazë kyçe?

JUHA OTTMAN
Në cilësinë e kryesueses së rradhës të Bashkimit Evropian, Finlanda do marrë pjesë në takimet e Grupit të Kontaktit.
Tashmë dihet se Bashkimi Evropian do të marrë rolin kyç në një numër fushash në Kosovën e pas statusit, siç janë ato të rendit e ligjit dhe ekonomisë. Ne duhet të drejtojmë gjithë punën brenda Unionit në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Do mbetesha pikërisht tek misioni i Bashkimit Evropian pas statusit në Kosovë. Cili do jetë konkretisht kontributi juaj në cilësinë e kryesueses së Unionit, por edhe si Finlandë?

JUHA OTTMAN
Misioni i ardhshëm në fushën e rendit dhe policisë do përbëhet nga ekspertë të vendeve anëtare. Në këtë kuptim Finlanda ka kontribuar në përgatitjet e këtij misioni, që veç ka filluar punën. Pas statusit, kur misioni do jetë në funksion të plotë, Helsinki do kontribuojë me ekspertë në fushat përkatëse.
Sa i përket anës ekonomike, Komisioni Evropian në bashkëpunim me Bankën Botërore, po përgatisin konferencën e donatorëve për Kosovën. Ne po shohim mundësitë se si të ndihmojmë Kosovën ekonomikisht në të ardhmen.
Pas përcaktimit të statusit, KFOR-i do të mbetet në Kosovë dhe Finlanda do vazhdojë të mbajë kontigjentin e trupave në kuadër të forcës së NATO-s.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur do të zhvillohet konferenca e donatorëve për Kosovën dhe a do adresojë ajo nevojat e Kosovës së pas statusit?

JUHA OTTMAN
Ende nuk është vendosur, por siç e përmenda Komisioni Evropian po punon me Bankën Botërore dhe sipas informacioneve që kemi, konferenca e donatorëve mund zhvillohet në fillim të 2007.
Konferenca do fokusohet në nevojat e periudhës së pas statusit dhe në zbatimin e zgjidhjes së statusit, që deri atëherë do jetë vendosur.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilën zgjidhje do favorizonte Finlanda sa i përket statusit të Kosovës?

JUHA OTTMAN
Ne nuk kemi një pozicion të qartë në këtë drejtim, pasi siç e dini ish presidenti ynë Ahtisari po drejton bisedimet për statusin dhe ne nuk duam të paragjykojmë përfundimin. Por përsërisim mbështetjen e plotë për punën e zotit Ahtisari dhe Grupit të Kontaktit.
Ne mbështesim plotësisht fundin e këtij viti, si kohën e përcaktuar në fillim për përfundimin e negociatave dhe gjetjen e zgjidhjes për statusin. Jemi gjithashtu të ndërgjegjshëm se bisedimet mund të zgjasin pak më shumë se kjo datë. Ideale do ishte një zgjidhje e negociuar, por kjo mbetet të shihet nëse është e realizueshme apo jo.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë se me Finlandën si kryesuese të Bashkimit Evropian zoti Ahtisari do të ketë një mbështetje edhe më të fuqishme për të arritur një zgjidhje brenda 2006-ës, si dhe për të vendosur për një zgjidhje të imponuar, nëse bisedimet nuk janë të frutshme?

JUHA OTTMAN
Si kryesuese e rradhës së Bashkimit Evropian ne do veprojmë në emër të Unionit, pasi do jetë ky që do marrë rolin kryesor në Kosovën e pas statusit. Qëllimi ynë është të jemi lehtësues të procesit, por pa pasur një axhendë tonën nacionale në këtë drejtim.
Ne do përpiqemi që të gjitha vendeve anëtare t'u japim mundësinë që të thonë mendimin e tyre për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe rolin e ardhshëm atje të Bashkimit Evropian.
Natyrisht ne do kemi qasje në Grupin e Kontaktit, që përgatit një numër dokumentash për Kosovën. Në këtë kuptim ne do jemi të dobishëm.
Më duhet të them se në fund procesi i përcaktimit të statusit është proces i Kombeve të Bashkuara dhe shumë do varet nga Këshilli i Sigurimit. Në çdo rast, edhe të një zgjidhjeje të negociuar, edhe të një zgjidhjeje të imponuar, ajo duhet të marrë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit.

Intervistoi: Ilirjana A. Bajo

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG