Ndërlidhjet

BAJRAMI: KUSHTETUTA NUK MUND T'I PARAPRIJË STATUSIT PËRFUNDIMTAR TË KOSOVËS


Arsim Bajrami, bashkëkryesues i grupit për hartimin e kushtetutës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bajrami, ju jeni bashkëkryesues i grupit për hartimin e kushtetutës së Kosovës. Aktualisht ku qëndrojnë punët lidhur me hartimin e kësaj kushtetute, që është caktuar si një prej prioriteteve të delegacionit të Kosovës?

ARSIM BAJRAMI
Nuk ka dyshim se hartimi i kushtetutës së re të Kosovës paraqet një nga përparësitë e procesit politik, apo një nga elementet e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Mirëpo mendoj se çështja e kushtetutës duhet të shihet plotësisht realisht edhe në kontekstin politik ndërkombëtar, në të cilin po kalon Kosova dhe duhet domosdoshmërisht të reflektojë këtë proces. Kur them këtë, mendoj se kushtetuta duhet të përcjellë dinamikën e negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës, dhe të jetë e gatshme në momentin kur do të jetë i gatshëm edhe statusi përfundimtar i Kosovës. Pra nuk duhen patur iluzione se kushtetuta mund t'i paraprijë statusit përfundimtar të Kosovës, sepse çështja e statusit përfundimtar të Kosovës është një çështje që do të vendoset nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mirëpo, menjëherë pas marrëveshjes për statusin përfundimtar, domosdoshmërisht Kosova përballet me sfidën e bërjes së kushtetutës dhe është synim i joni që Kosova të mos presë shumë gjatë për kushtetutën e re, por ajo të jetë e gatshme menjëherë pas përfundimit të statusit. Mund të them që tanimë ka filluar hartimi i kushtetutës. Një draft është hartuar nga ekspertët e delegacionit të Kosovës, por duhet kuptuar se procedimi i Kushtetutës është detyrë e parlamentit. Në momentin kur delegacioni i Kosovës do të kërkojë nga ne draftin, ne do ta prezantojmë në delegacion dhe pastaj komplet projekti i shkon parlamentit të Kosovës për miratim. Ideja është që në qoftë se do të kemi deri në fund të vitit statusin përfundimtar të Kosovës. Atëhere brenda një muaji parlamenti i Kosovës do të mund të procesojë me debatet për kushtetutën, duke qenë se kjo kushtetutë ka rëndësi të veçantë sepse bën pjesë në rradhën e kushtetutave konstituive, themelon një shtet të ri, i cili për herë të parë materializon statusin e vet. Ne si ekspertë kemi vendosur që kushtetuta ta marrë dhe legjitimitetin e qytetarëve të Kosovës në një referendum për kushtetutë. Kjo është plotësisht racionale, sepse nëse nuk mund të kemi një referendum për statusin përfundimtar apo për pavarësinë e Kosovës, atëhere domosdoshmërisht duhet të kemi një referendum për aktin më të lartë politiko-juridik të Kosovës së pavarur. Dhënia e legjitimitetit dhe nga populli, do ta bëjë këtë kushtetutë shumë më të qëndrueshme dhe shumë më të pranueshme për qytetarët e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë cila do të jetë ndërlidhshmëria ndërmjet kushtetutës së re të Kosovës me procesin negociues të udhëhequr nga presidenti Ahtisari?

ARSIM BAJRAMI
Kushtetuta e ardhshme e Kosovës duhet të jetë një akt modern juridik, i frymëzuar plotësisht me frymën evropiane. Pra duhet të pretendojmë evropianizimin e Kosovës, sepse kjo kushtetutë do të ketë tre funksione kryesore. Funksioni i parë do të përmbyllë statusin përfundimtar, i cili paraprakisht do të përcaktohet nga marrëveshja që po e përgatit zoti Ahtisari, funksioni i dytë është themelimi i shtetit të Kosovës dhe funksioni i tretë është që do të jetë një kartë e Kosovës për integrimet evropiane. Duke qënë se kushtetuta është dhe një ofertë e Kosovës për integrime evropiane, ne kemi kërkuar që në fillim ndihmën e Komisionit të Venedikut, i cili është një komision i Këshillit të Evropës për hartimin e kushtetutave. Natyrisht ju keni të drejtë kur e shtroni këtë pyetje, sepse kushtetuta organikisht është e lidhur me marrëveshjen që po përgatit Marti Ahtisari dhe Këshilli i Sigurimit, dhe duhet ta reflektojë atë marrëveshje. Tanimë disa pjesë së kushtetutës po diskutohen në bisedimet në Vjenë si përshembull çështja e të drejtave të pakicave, çështja e reformës së pushtetit lokal, që është një çështje kushtetuese, por edhe garancione të tjera për mbrojtjen e minoriteteve. Mund të them që ne këto çështje po i përcjellim dhe po i marrim si çështje që do të rregullohen në aspektin kushtetues dhe të hënën e ardhshme, pra në dt. 19, e kemi një sesion përfundimtar në Selanik, ku do të përfundojmë hartimin e pjesës së kushtetutës, apo ligjit kushtetues për të drejtat e komuniteteve, i cili do të jetë organikisht i lidhur me kushtetutën e ardhshme të Kosovës.
Ndërkaq janë disa çështje që duhet të bisedohen nga faktori i brendshëm politik, siç është sistemi i qeverisjes. Kosova ka nevojë për një sistem të qeverisjes pas UNMIK-ut. Nuk mund të kemi një qeverisje të plotë parlamentare, sepse asnjë shtet i tranzicionit, me përjashtim të Shqipërisë, nuk ka një qeverisje të plotë parlamentare. Duhet të pretendojmë që ta reformojmë për t'i dhënë sa më shumë elemente të qeverisjes së përzier parlamentare, presidenciale, me një sistem të kontrolleve të pushtetit, me një sistem të ri elektoral, i cili do të mundësojë një demokraci parlamentare funksionale.
Një sfidë e jona në hartimin e kushtetutës janë edhe të drejtat e pakicave, sidomos përfaqësimi i tyre në parlament, në qeveri dhe në gjyqësi. Ne tani dëshirojmë dhe mendojmë se Kosova e ka kaluar atë fazën emergjente të integrimit të pakicave dhe nuk ka më nevojë për demokraci parazitore. Kemi propozuar që të hiqen të ashtuquajturat vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës dhe në vendin e tyre të aplikohet institucioni i vendeve të garantuara. Njëkohësisht edhe në qeverinë e Kosovës kemi propozuar që formimi i kësaj qeverie të jetë çështje e marrëveshjeve politike dhe jo çështje e çelsave etnikë, siç është tani. Ndërkaq kemi aplikuar standardet e larta të përfaqësimit të pakicave në sistemet e gjyqësisë, në administratën publike, në shërbimin policor të Kosovës dhe në segmente të tjera të shërbimeve publike të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju vetëm i përmendët parimet bazë. Në anën tjetër sa janë të qëndrueshme disa komente, në të cilat thuhet se delegacioni i Kosovës sikur po nxiton dhe po prejudikon statusin e Kosovës përmes aktit juridik.

ARSIM BAJRAMI
Mendoj se Kosovës i duhet shumë një racionalitet në politikë. Ka kaluar koha e një nevoje të një veprimi politik që në fakt ka rritur shpresat e popullit tonë. Tani hapat tonë duhet të jenë të matur dhe të marrin menjëherë njohje ndërkombëtare. Është fjala dhe për kushtetutën. Është shumë pozitive në qoftë se delegacioni i Kosovës, vërtet është koshient për bërjen sa më të shpejtë të kushtetutës, është shumë pozitive nëse brenda Kosovës krijohet një konsensus politik dhe qytetar rreth kushtetutës, rreth vlerave që duhet të mbrojë ajo. Por me rastin e procedimit për kushtetutën ne duhet plotësisht t'i përcjellim veprimet e procesit të negociatave dhe në momentin kur ky proces do të përmbyllet me vendim ndërkombëtar, ne të tregohemi të pjekur, mos humbim kohë si shtetet e tjera me vite me muaj, por menjëherë të procedojmë me kushtetutën, e cila ndërkohë duhet të përgatitet nga ekspertë dhe është duke u punuar me të madhe. Janë marrë modelet më të përparuara të kushtetutave, në mënyrë që vërtet kësaj rradhe, çdo veprim që bëjmë të marrë dhe njohje ndërkombëtare. Ne nuk na duhen më veprimet e njëanshme, na duhen veprime të cilat marrin legjitimitetin ndërkombëtar dh emundësojnë funksionimin e një shteti real, pra shtetit të ardhshëm të Kosovës dhe njohjen e tij ndërkombëtare dhe fillimin e proceseve të anëtarësimit të Kosovës në strukturat evroatlantike.

Intervistoi: Zijadin Gashi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG