Ndërlidhjet

BILL GATES DO TË NDIKOJË SHUMË FILANTROPINË


Andrew Tully

Bill Gates, themelues i Korporatës Microsoft është njeriu më i pasur në botë.
12 vjet më parë, ai dhe bashkëshortja Belinda, formuan fondacionin "Bill dhe Belinda Gates", e cila u bë organizata më e pasur filantropike në botë, me një pasuri prej 29 miliardë dollarë.
Ditë më parë, Bill Gates njoftoi se do ta reduktojë angazhimin e përditshëm në Microsoft, për t'u përqëndruar më shumë në punët e fondacionit.
Duke bërë publik vendimin, Bill Gates tha se do t'i riorganizojë prioritetet e veta.
Vendimi do të ketë ndikim të madh jo vetëm në fondacionin humanitar, por edhe te organizatat e tjera në botë, thotë për Radion Evropa e Lirë Stacy Palmer, kryeredaktor i revistës "Kronika e Filantropisë", që botohet në Uashington.
"Mendoj se do të ketë ndikim të jashtzakonshëm nëse ai do të kalojë më shumë kohë me aktivitetet e fondacionit. Besoj se përveç kohës më të madhe, do të ketë rrjedhje më të madhe parash", thotë Palmer.
Ai thotë se fondacioni "Bill dhe Belinda Gates" është fokusuar në fusha të ndryshme globale, por edhe në përmirësimin e gjendjes së arsimit në Shtetet e Bashkuara. Palmer shprehet i bindur se Bill Gates do të përpiqet të ndikojë te qeveria dhe bizneset që ato të bëjnë më shumë për të përmirësuar shoqërinë. Por ku do të mundohet Bill Gates të ndikojë qeverinë?
"Sigurisht që në arsim, ku tashmë janë bërë disa përpjekje për të ndërtuar shkolla më të vogla. Këto eksperimente ende janë në fazën fillestare dhe funksionojnë me paratë e fondacionit. Disa shkolla kanë përkrahur idenë, por jo të gjithë mendojnë se kjo është zgjidhja e vërtetë për ngritjen e cilësisë së arsimit", vazhdon Palmer.
Sidoqoftë, duke e përqëndruar punën ekskluzivisht në fondacionin e tij, Bill Gates mund të ketë ndikim më të madh në aktivitetet filantropike në mbarë botën.
"Po, mendoj ashtu sepse ai do të përpiqet të gjejë partnerë të tjerë, dhe do të kuptojë se pavarësisht shumës së parave që jep, ato nuk mjaftojnë për të zgjidhur problemet që kanë qeveritë. Nisur nga fakti se Gates gjithmonë ka qenë frymëzim për filantropët e tjerë, mendoj se bashkëpunimi nuk do të mungojë", thotë Palmer, duke shtuar se Bill Gates do të sjellë risi në fushën e filantropisë.
"Po, mendoj se kjo pjesërisht është bërë shkaku i parave, por ai në të vërtetë është përpjekur të përdorë fuqinë e tregut për t'i ndryshuar gjërat, p.sh. duke ulur çmimin e vaksinave. Nëse vazhdon kështu edhe me gjërat e tjera, besoj që Gates do ta ndryshojë mënyrën e funksionimit të filantropisë", thotë Palmer.
15 vjet më parë, shumë ndërmarrës të rinj dhe të pasur që vinin nga fusha e teknologjisë, përfshirë Bill Gates-in, u kritikuan se shpenzojnë para vetëm për veten. Pak më vonë, Bill Gates themeloi fondacionin. A ishte kjo një rritje e natyrshme e personalitetit të tij, apo ai e shihte filantropinë si mundësi për të lënë një trashëgimi më të pëlqyer? Palmer përgjigjet.
"Mendoj se ishin të dyja. Ai e krijoi fondacionin filantropik në kohën kur ishte nën presionin e madh të opinionit. Atij i duhej ndihmesë për imazhin publik. Por gjithashtu mendoj se lindja e fondacionit i kishte rrënjët në dëshirën e Bill Gates-it për t'i ndryshuar gjërat. Ai nuk do të mbahet mend vetëm për biznesin, por edhe për kontributet e mira për shoqërinë", përfundon Stacy Palmer.


XS
SM
MD
LG