Ndërlidhjet

NË DITËN BOTËRORE TË REFUGJATËVE KOSOVA OFRON PROJEKTE PËR 70 MIJË TË ZHVENDOSUR


Albana Isufi, Prishtinë

Mbi 20 milionë njerëz në botë kanë statusin e refugjatit. Në Kosovë, sipas Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, 10 përqind e popullatës janë të zhvendosur në vendet përreth.
Nën moton “Duke mbajtur të gjallë shpresën”, bota shënon sot Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve. Në Kosovë, kjo shpresë synohet të mbahet e gjallë për rreth 70 mijë persona, sa llogariten të jenë të zhvendosur që nga viti 1999.
Zëvendësministri për Kthim dhe Komunitete Nazmi Fejza, pret që brenda këtij viti të kthehen rreth 2 000 persona, kryesisht pjesëtarë të komunitetit serb. Numri i të kthyerve sipas Fejzës ka pak gjasa të rritet, për shkak të mungesës së fondeve të cilat do t’u mundësonin kthimin e qëndrueshëm të zhvendosurve.
“Kohët e fundit jemi të shtrënguar që të veprojmë vetëm me paratë e mbledhura nga tatimpaguesit e Kosovës”.
Fejza kërkon nga donatorët ndërkombëtarë, që premtimet për ndihma t’i jetësojnë në praktike.
“Kohët e fundit më tepër janë verbale premtimet e bashkësisë ndërkombëtare, kurse nuk ka hapje të zemrës dhe të qeses, d.m.th që t’i kontribuohet këtij procesi, që është humanitar”.
Ndërkohë, sipas të dhënave Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, brenda për brenda Kosovës janë rreth 21 mijë të zhvendosur.
Shpend Halili nga UNHCR, thotë se duhet punuar më shumë për të kthyer të zhvendosurit në shtëpinë e tyre.
"Në këtë shifër janë të gjitha komunitetet, pra duke patur parasysh edhe shqiptarët të cilët jetojnë në vendet, të cilat paraqesin minoritet. Gjendja e refugjatëve dhe të të zhvendosurve është jo e mirë, mirëpo UNHCR, ashtu sikurse dhe çdo autoritet tjetër vendor, i cili i jep kujdes kësaj çështjeje, merret me krijimin e kushteve të mira për këta të zhvendosur."
Faktorë parësorë në pengimin e kthimit sipas autoriteteve në Kosovë mbetet mungesa e zhvillimit ekonomik. Këtë e pohon edhe zëvendësministri Nazmi Fejza.
“Derisa më herët liria e lëvizjes dhe siguria ishin pengesa, tani ka vetëm një pengesë themelore, ajo është mungesa e financave, kurse si pengesë afër saj është përdorimi për konsum të brendshëm të qytetarëve të Kosovës, në radhë të parë ata, ata që janë të vendosur në Serbi nga regjimi në Beograd”.
Ditë më parë, drejtuesja e Zyrës për kthim dhe komunitete ne UNMIK, Sara Mitchel, ka kërkuar nga donatorët që të japin më tepër para për kthimin e të zhvendosurve. Ajo pati thënë se hezitimi i donatorëve për të dhënë para, ka të bëjë edhe me vetë hezitimin e të zhvendosurve për t’u kthyer.
Sidoqoftë, Sara Mitchel ka thënë se aktualisht ka më shumë kërkesa për kthim, sesa që ka buxhet për të mbuluar kthimin. Ajo pati rekomanduar uljen e kostos për kthimin e një familje në Kosovë, që kushton rreth 20 mijë euro. Sipas zonjës Mitchel kjo është ndër kostot më të larta në botë.

XS
SM
MD
LG