Ndërlidhjet

SA ËSHTË E PËRGATITUR KOSOVA TË THITHË INVESTIMET E HUAJA?


Iliriana A. Bajo, RFE/RL

Investimet e huaja në Kosovë do të njohin stinën e mbarë pas përcaktimit të statusit. Kjo është një nga zgjidhjet e përsëritura më së shumti nga politikanët në Kosovë, kur flasin për zgjidhjen e problemeve ekonomike.
Derisa ekspertët ndajnë të njëjtin mendim për rëndësinë e statusit, ata nuk harrojnë të theksojnë dhe kushte të tjera që duhet të plotësohen për të thithur investitorët e huaj.
"Padyshim ka shumë faktorë që vendosin se ku do të investojë një kompani, por shkalla e arsimimit të fuqisë punëtore dhe mundësia e gjetjes së njerëzve të kualifikuar është faktor i rëndësishëm", vlerëson për radion Evropa e Lirë, Anjalika Bardalai nga Economist Intelligence Unit.
Sipas Bankës Botërore energjia, bujqësia dhe minierat duket të jenë sektorët më tërheqës për investitorët e huaj në Kosovë.
Por a i përmbush Kosova nevojat me ekspertë në fusha si bujqësia, inxhinieria elektronike, e minierave e me rradhë?
"Tani për tani është vështirë të përcaktohet nëse Kosova i përmbush nevojat me profilet që i përmendët ju, pasi bujqësia dhe industria nuk janë të zhvilluara dhe as në vulgun e zhvillimit", përgjigjet për programin tonë Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Agim Veliu.
Por mendon ndryshe Luan Ahma, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës.
"Unë besoj se jo, pasi një numër i vogël studentësh i kryejnë studimet në këtë fakultet, ndoshta dhe për shkak të interesimit të vogël. Por dua të theksoj një fakt se asnjë i diplomuar i joni nuk është pa punë", thotë Ahma.
Derisa numri i studentëve në fakultetet e përmenduara është disa qindra, studentët në drejtimet shoqërore dhe ato ekonomike e juridike numërohen me mijëra.
Bashkim Bellaça, drejtor në departamentin e statistikave sociale në Entin Statistikor të Kosovës, sjell shifrat e mëposhtme për vitin akademik 2003-2004:
"Në Fakultetin Filozofik janë regjistruar për herë të parë 1970 studentë, në Fakultetin Filologjik 2177, në Fakultetin Juridik 2034, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës 798, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike 654, në Fakultetin e Makinerisë 596, në Fakultetin e Mjekësisë 1383.", thotë Bellaça, për të shtuar se në Fakultetin Zehetaro Metalurgjik janë regjistruar 183 studentë.
Pyetjes se përse ka pak studentë të regjistruar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dekani Ahma i përgjigjet:
"Kjo pyetje i duhet drejtuar dikujt tjetër, përkatësisht qeverisë. Qeveria është ajo që mendon për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Qeveria duhet të përcaktojë që inxhinjeria duhet të përgatisë kaq njerëz se i duhet për këto kapacatite. Ne si fakultet nuk jemi ata që e dimë se sa i duhen ekonomisë. Nuk është kryer asnjë hulumtim se ekonomisë së Kosovës i duhen kaq inxhinjerë."
Por ministri Veliu thotë se përcaktimi i numrit të studentëve për çdo fakultet propozohet nga njësitë akademike:
"Planifikimi i numrit të studentëve për vitin përkatës bëhet nga njësitë akademike në bazë të mundësive të tyre, miratohet nga senati i Universitetit dhe pastaj i kalon Ministrisë së Arsimit si vendim i senatit."
Natyrisht ministri Veliu nënvizon se ministria ka të drejtë të ndërhyjë në rishikimin e kuotave, por thekson se buxheti luan një rol të rëndësishëm:
"Kosova ofron shërbime të arsimit të lartë në bazë të mundësive buxhetore. Ndodh që në vend të hapjes së një programi në një fushë të caktuar, të organizohen bursa si zgjidhja më e lirë. Siç është rasti i veterinës tek ne".
Statistikat flasin qartë për një orientim në shkencat shoqërore të të rinjve, derisa ka numër të kufizuar në sektorët prodhues.
"Popullata në Kosovë është më shumë e orientuar në shkencat ekonomike juridike, në drejtimet e inxhinjerisë pak janë të orientuar. Duhet Ministria e Arsimit të krijojë një politikë sa më frytdhënëse në sistemin e arsimit në Kosovë", thotë Bashkim Bellaça nga Enti Statistikor.
Të njëjtin mendim lidhur me politikat arsimore të qeverisë ndan dhe Anjalika Bardalai nga Economist Intelligence Unit në Nju Jork, duke sjellë shembullin e suksesit të Indisë.
"Në Indi kualifikimi i fuqisë punëtore është kyç pasi në Indi kemi pasur një fluks të disa investimeve specifike. Një nivel i lartë arsimimi veçanërisht në fusha si programatorë dhe inxhinierë elektronikë, ka bërë që të ketë investime të shtuara në këtë fushë", thotë Bardalai.
Por ministri Veliu ka shpjegimin e vet për këtë orientim të të rinjve:
"Momentalisht tregu kosovar kërkon përkthyes, menaxherë, punëtorë në industrinë shërbyese, mësimdhënës, punëtorë shëndetësorë etj. Pra më shumë profile shërbyese dhe jo prodhuese", thotë ministri Veliu.
E derisa gjithçka t'i lihet rastësisë, rreth 70 mijë nxënës që mbarojnë shkollat e mesme çdo vit të ardhmen e tyre duhet t'ia lënë rastësisë.

XS
SM
MD
LG