Ndërlidhjet

MOORE: SHBA-të DHE JO BE-ja VENDIMTARE PËR BALLKANIN


Patrick MOORE, analist i Radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara këto ditë ka debatuar për Kosovën. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe ishte jo identik me ate të Bashkimit Evropian. Uashingtoni dha Londra theksuan nevojën që zgjidhja e statusit të bëhet deri në fund të këtij viti dhe të jetë e pranueshme për popullatën shumicë, krahas respektimit të të drejtave të pakicave. Një gjë e tillë nuk është dëgjuar nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian. Ç'do të thotë kjo?

PATRICK MOORE
Kjo mbase ka ndodhur si pasojë e ndikimit të miqve të Serbisë brenda Bashkimit Evropian, para së gjithash Greqisë dhe ndoshta Francës dhe dikujt tjetër. Por, esenca e çështjes qëndron te fakti se në Bashkimin Evropian aktualisht ka shumë paqartësi. Duket se ata nuk kanë arritur pajtueshmëri rreth disa çështjeve të rëndësishme që kanë trazuar Brukselin siç janë reformat e brendshme, kushtetuta e ardhshme, çështja e zgjërimit. Duket se në konfuzionin ekzistues është krejt normale që për Ballkanin të mbetet pak hapësirë. Por, ajo që thotë ose jo Bashkimi Evropian nuk është vendimtare për zhvillimet në Ballkan. Kanë qenë Shtetet e Bashkuara ato që kanë avancuar gjërat dhe do të jetë edhe tash Amerika motori i ndryshimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas samitit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në Vjenë, BE-ja ka dalur me qëndrimin se viti i ardhshëm do të jetë shumë i rëndësishëm për Ballkanin perëndimor. A do të thotë kjo se statusi i Kosovës do të zgjidhet vitin e ardhshëm dhe jo këtë vit?

PATRICK MOORE
Mund të jetë ashtu, por nuk është e thënë, sepse ata përmes kësaj kumtese i janë referuar gjithë Ballkanit dhe jo vetëm Kosovës. Fjalën e kam për zgjërimin. Ata duhet të bëjnë diç për të mbajtur të gjallë interesimin e vendeve ballkanike për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pavarësisht faktit që pas Rumanisë dhe Bullgarisë askush nuk do të pranohet në BE së paku deri në vitin 2009 ose edhe më larg. Por, shpresën duhet mbajtur gjallë, sepse ndryshe reformat që i duhen Serbisë ose Bosnjës, nuk do të kenë gjasa të realizohen. Bashkimi Evropian e ka të qartë se nëse vendet e këtij rajoni e kuptojnë se nuk kanë gjasa të anëtarësohen në BE, ndikimi i Brukselit në këtë hapësirë do të jetë i zbehtë. Rrjedhimisht, ata flasin për vitin 2007 si vit shumë i rëndësishëm, por esencialisht kjo nuk ka ndonjë rëndësi, sepse pos anëtarësimut në Bashkimin Evropian nuk kanë çfarë t'u ofrojnë vendeve të Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkimi Evropian ka kërkuar rolin prijës në Ballkan dhe një mision në Kosovë pas përcaktimit të statusit. BE-ja nga njëra anë ka qëndrim të rezervuar për Kosovën, ndërsa nga ana tjetër kërkon rol prijës në Ballkan dhe mision në Kosovë. Kemi të bëjmë me qëndrim kontradiktor apo jo?

PATRICK MOORE
Mendoj se rezervat që Bashkimi Evropian i ka ndaj vetëvendosjes së kosovarëve dhe pushtetit të shumicës janë pasojë e njëanshmërisë pro-serbe të disa vendeve anëtare të BE-së. Bashkimi Evropian gjithmonë ka dëshiruar t'i tregojë aftësitë e veta për të menaxhuar gjërat në Ballkan pas shterpësisë që e tregoi gjatë luftërave të viteve 90-ta. Atëbotë ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës që lëvizën gjërat në drejtimin e duhur. Ishte lidershipi amerikan faktori që zgjidhi çështjen në Kosovë. Bashkimi Evropian dëshiroi të marrë gjërat në duart e veta në Bosnje pasi që çdo gjë kishte marrë fund dhe kështu ishte edhe në rastin e Maqedonisë. Synimi që BE-ja të marrë udhëheqjen edhe në Kosovë, jo vetëm që nuk është i domosdoshëm, por mund të jetë edhe kundërproduktiv.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG