Ndërlidhjet

UNDP: NË KOSOVË ËSHTË RRITUR PESIMIZMI EKONOMIK


Albana Isufi, Prishtinë

Raporti i Paralajmërimit të Hershëm ka vënë në pah dëshpërimin e qytetarëve kosovarë rreth mos zhvillimit ekonomik dhe varfërisë. Nga anketa që UNDP me partnerë të tjerë ka bërë me qytetarë të të gjitha përkatësive etnike në Kosovë, rrjedh se 58 përqind janë të gatshëm të protestojnë për çështje ekonomike, përderisa vetëm 40 përqind do të bënin të njëjtën gjë për çështje politike.
Shefi i UNDP-së në Kosovë Frode Mauring, ka thënë se me gjithë problemet e theksuara ekonomike, nuk duhen harruar çështjet politike, të cilat mund të jenë pengesë për zhvillim.
“Shumë nga respondentët presin që statusi të zgjidhet në fund të vitit. Ata gjithashtu statusin e shohin si çështjen më kërcënuese për stabilitetin. Megjithatë, statusi nuk është një shkop magjik që do t’i zhdukte problemet sociale dhe ekonomike,” tha Frode Mauring.
88 përqind e kosovarëve mendojnë se zgjidhja më e mirë për Kosovën do jetë pavarësia. Për këtë opsion janë shprehur 95 përqind të shqiptarëve, përderisa ky opsion nuk është përkrahur nga asnjë serb. Për dallim nga anketat e mëhershme serbët, nuk e shohin më autonominë nën Serbinë si zgjidhjen optimale, por ndarjen e Kosovës.
Ndërkohë, raporti vë në pah se tek kosovarët ka pësuar rënie kënaqshmëria me institucionet e Kosovës, sidomos me Kuvendin e Kosovës.
Mytaher Haskuka, njëri nga përpiluesit e raportit, thotë se shumica e respondentëve mendojnë se në institucionet e Kosovës ka korrupsion dhe kjo mund të humbasë legjitimitetin e tyre.
“Është brengosës fakti i perceptimit për korrupsion d.m.th. varësisht nga institucionet. Perceptimet e korrupsionit janë shumë të larta, që mund të shkaktojnë mosbesim te institucionet dhe humbje të legjitimitetit në këtë aspekt, në plan afatgjatë”, tha Haskuka.
KEK-u, AKM, shërbimet mjekësore, PTK dhe Doganat u prijnë institucioneve për të cilat qytetarët mendojnë se janë ndër më të korruptuarat.
Pas publikimit, raporti do t’u dërgohet institucioneve të Kosovës, Frode Mauring shpreson se qeveritarët do të të kenë parasysh gjetjet e raportit për të ndryshuar kursin e politikës, për të cilin nuk pajtohen qytetarët.
“Jam i bindur se institucionet e ndryshme përfshirë edhe qeverinë do ta lexojnë e shqyrtojnë këtë raport me interesim të madh dhe varësisht se çka paraqet raporti, do të varen edhe veprimet dhe masat e ndërmarra nga organet e duhura”, tha Mauring.
Raporti në tërësi do të publikohet gjatë muajit korrik. Ky raport është pjesë e Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm të bashkëfinancuar nga UNDP dhe USAID. Sistemi ka për qëllim ndërtimin e kapaciteteve të analistëve për të parashikuar krizat e mundshme.



XS
SM
MD
LG