Ndërlidhjet

ANDERSON: MARRËVESHJA MES PRISHTINËS DHE BEOGRADIT PËR TË ARDHMEN E KOSOVËS ËSHTË E PAMUNDUR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Arritja e kompromisit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës është një gjë e pamundur, tha sot për radion Evropa e Lirë shefi i zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Alex Anderson. Ai tha se negociatorët ndërkombëtarë do të përpiqen të arrijnë marrëveshje për çështjet teknike, si decentralizimi dhe trashëgimia kulturore:
"Kur është fjala për çështje më të mëdha, si statusi, arritja e kompromisit është e pamundur," tha Anderson.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, zëvendëskryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan tha se duhet të arrihet përparim në çështjet praktike në mënyrë që të mund të kalohet në bisedimet për statusin. Duke përkujtuar se ditët e fundit liderët serbë kanë përsëritur kundërshtimin e tyre ndaj çfarëdo zgjidhjeje të imponuar për statusin, Anderson tha se Serbia është kundër modelit të zgjidhjes që po e aplikon bashkësia ndërkombëtare:
"Strategjia e Ahtisarit dhe Rohanit është që të përpiqen që sa të jetë e mundur të arrihet marrëveshje për të ashtuquajturat çështje teknike, në mënyrë që më pas bashkë me Grupin e Kontaktit të vazhdohet shqyrtimi i çështjes së statusit, por Serbia do ta kundërshtojë këtë model për zgjidhjen e statusit të Kosovës," tha Anderson.
Me rastin e deklaratës së fundit të presidentit të Rusisë Vladimir Putin, se me rastin e zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe të rajoneve të tjera në botë duhet të aplikohen kritere të njëjta, Aleks Anderson tha se kjo çështje do të ndikojë në agjendën e zgjidhjes së statusit, pasi do të shkaktojë debate në Grupin e Kontaktit ndërmjet Rusisë dhe shteteve të tjera. Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera perëndimore do të insistojnë që deri në fund të vitit të miratohet rezoluta për statusin, ndërsa Rusia do të tërheqë vërejtjen për mundësinë e efekteve zinxhirore nëse Kosova fton ndonjë lloj pavarësie, me qëllim që të fitohet status i njëjtë për republikat e papranuara gjeorgjiane, tha shefi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Alex Anderson:
"SHBA dhe shtetet perëndimore duan të theksojnë se Kosova është rast unik me rezolutën 1244 mandati i së cilës është që Kosova të përgatitet për statusin politik, se rrethanat janë unike dhe se Kosova është në duart e administratës ndërkombëtare nga viti 1999," tha Anderson, sipas të cilit kjo do të shkaktojë debate në Grupin e Kontaktit dhe për këtë arsye nuk dihet se si do të rrjedhin gjërat më tej:
"Nuk dihet se si do të veprojë bashkësia ndërkombëtare nëse Rusia vazhdon të bllokojë zgjidhjen e imponuar që do të përkrahej nga Grupit i Kontaktit dhe nga ekipi i Ahtisarit," tha Anderson, sipas të cilit zgjidhjen e imponuar do ta kundërshtojë edhe Serbia dhe mbetet vetëm të shihet se cilat do të jenë format e këtij kundërshtimi në terren. Anderson tha se këto zhvillime do të ndikojnë posaçërisht në veriun e Kosovës, pasi serbët e atjeshëm mund të ndërmarrin veprime drastike për t’u siguruar se nuk do të përfundojnë në një Kosovë të pavarur.


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG