Ndërlidhjet

SHQIPTARËT E KOSOVËS PRESIN DREJTËSINË


Uashington Post

Në fshatin Krusha e Vogël në Kosovë, shumë prej grave nuk kanë burra dhe djem, e as varre për të qarë mbi to".
Emrat e disa të vrarëve nga ky fshat, janë në listën e viktimave të përmendura në akuzën kundër gjashtë ish zyrtarëve të lartë serbë e jugosllavë, të akuzuar për krime të luftës gjatë sulmeve kundër shqiptarëve të Kosovës në vitet 1998 dhe 1999, procesi i të cilëve filloi sot në Gjykatën e Hagës.
Për gratë e Krushës së Vogël, procesi është një rast i pritur gjatë për drejtësi.
Prokurorët akuzojnë se Krusha e Vogël dhe një fshat i afërt ishin sulmuar nga forcat serbe, një ditë pasi NATO-ja filloi bombardimin për t'i ndalur sulmet.
Banorët dolën në mal, nga ku ata thonë se kishin parë policët serbë duke i djegur dhe vjedhur shtëpitë e tyre.
Ditën tjetër, policia serbe i gjeti fshatarët në mal, urdhëroi gratë dhe fëmijët që të shkojnë në Shqipëri, ndërsa burrat dhe djemtë i dërgoi në një shtëpi të zbrazët. Atëherë, ata hapën zjarr, thonë prokurorët. Pastaj policia ua vuri zjarrin burrave dhe djemve. Prokurorët thonë se 105 vetë ishin vrarë.
Hyreshahe Shehut i kujtohet se si ajo e mbante për dore djalin e saj të frikësuar 13 vjeçar, Xhelalin, derisa ata i shikonin forcat serbe duke e marrë djalin më të vjetër dhe burrin e saj. Pas pak minutash ata e kishin marrë edhe Xhelalin.
"Shpirti im vuan ditë e natë", thotë ajo dhe shton se "ata ma vranë burrin dhe dy djemtë e mi të vetëm. Ata e çrrënjosën familjen time".
Millan Millitunoviq, Nikolla Shainoviq, Dragolub Ojdaniq, Nebojsha Pavkoviq, Vladimir Llazareviq dhe Sreten Lukiq, akuzohen me krime, përfshirë edhe dëbimin e 800 mijë shqiptarëve, për vrasje dhe shtypje të mijëra shqiptarëve të Kosovës.
Prokurorët e Kombeve të Bashkuara do të synojnë të provojnë se liderët serbë e kanë udhëhequr fushatën e terrorit dhe të dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës, duke marrë pjesë në ndërmjarrjen kriminale, me qëllim të ndryshimit të balancit etnik në Kosovë dhe për të siguruar kontrollin serb ndaj Kosovës.
Gruaja nga Krusha e Vogël, thotë se ajo dëshiron t'i shohë edhe serbët lokalë dhe ata që dhanë urdhëra në Krushë të Vogël, që po ashtu të dalin para drejtësisë.
"Nuk dëshiroj që ata të jenë të vrarë", thotë Hyreshahe Shehu, duke i fshirë lotët dhe shton se: "Dëshiroj që ata të vuajnë, ashtu siç po vuajmë ne për aq sa të jemi gjallë".
XS
SM
MD
LG