Ndërlidhjet

PRISHTINË: VIKTIMAT KUNDËRSHTOJNË HEQJEN E AKTAKUZAVE PËR MASAKRAT E REÇAKUT, DUBRAVËS DHE PADALLISHTËS


Albana Isufi, Prishtinë

I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Besim Zymberi nga Ferizaj, e quan cënim të drejtësisë ndërkombëtare heqjen e kësaj masakre, së bashku me atë të Reçakut dhe të Padallishtës, nga lista e aktakuzës kundër Millan Millutinoviqit dhe ish politikanëve e ish gjeneralëve të tjerë serbë, të akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte të kryera në Kosovë.
“Si i mbijetuar i masakrës së Dubravës, e them me përgjegjësi të plotë, se pikërisht kjo masakër është dëshmia më e prekshme materiale e ekzistimit dhe ekzekutimit të projektit shtetëror serb gjenodicial antishqiptar dhe nuk mund të jetë incident i izoluar krimi, me implikim vetëm një regjimor, siç po mundohet ta paraqesë Tribunali i Hagës në procesin kundër Millutinoviqit”, tha Zymberi.
Dje në Tribunalin e Hagës ka nisur procesi gjyqësor kundër ish presidentit serb Millan Millutinoviq dhe 5 ish zyrtarëve të tjerë të lartë serbë, të cilat akuzohen për vrasje dhe dëbim të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.
Nga lista e gjatë e aktakuzës, me kërkesën e kryegjykatësit, Ian Bonomy janë hequr masakra e Dubravës, e Reçakut dhe e Padallishtës, me arsyetimin se procesi duhet të përbëhet me më pak raste. Prokuroria ka paralajmëruar se do të paraqesë ankesë.
Ibrahim Makolli nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se ngjarjet nuk mund të shkëputen nga njëra–tjetra dhe sidomos nuk duhen lënë anash masakrat e mëdha.
“Anashkalimi i masakrave të mëdha, siç është ajo e Dubravës, në të cilën duhet të ketë tretman krejt tjetër, do të paraqesin një cungim të gjithë asaj që ka ndodhur dhe gjykata duhet ta ketë parasysh sidomos rastin e Dubravës”.
Ish i burgosuri politik Besim Zymberi, thotë se ai së bashku me të mbijetuarit e tjerë të burgut të Dubravës, ka qenë i gatshëm që të dëshmojë në tribunal rreth masakrës së majit të vitit 1999.
Sido që të jetë, vetë fillimin e procesit gjyqësor, ndër më të madhin deri tani kundër ish krerëve të lartë serbë, Zymberi e sheh si tejet të vonuar.
“Nga këndvështrimi im, procesin kundër Millutinoviqit e zyrtarëve të tjerë e vlerësoj si tepër të vonuar dhe fatkeqësisht si një model të stërkeqjes së drejtësisë, veçanërisht asaj ndërkombëtare”, thotë Zymberi.
Aktivisti për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Ibrahim Makolli, beson se megjithëse i vonuar, procesi do të vërtetojë se krimet e kryera në Kosovë kanë qenë të planifikuara direkt nga kreu shtetëror serb.
“Fillimi i këtij gjykimi do të vërtetojë për tragjeditë e shkaktuara në Kosovë dhe që kanë qënë të disenjuara dhe të menduara me saktësi nga nga kreu i lartë në Serbi”.
Makolli thekson se ky duhet të jetë vetëm fillimi i gjykimit të përgjegjësve për krimet e luftës të kryera në Kosovë. Ai thotë se duhet të jenë edhe vetë gjykatat lokale, ato që duhet të zbardhin në tërësi krimet e kryera gjatë luftës, nga të cilat edhe më tej rreth 3000 persona figurojnë si të zhdukur.
XS
SM
MD
LG