Ndërlidhjet

M. KUSARI-LILA: PËR INVESTIME TË JASHTME DUHEN PROJEKTE KONKRETE


Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kusari-Lila, Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës, tashmë është akredituar nga Oda Ekonomike Amerikane. Çfarë rëndësie ka kjo për ekonominë e Kosovës?

MIMOZA KUSARI-LILA
Fillimisht është një hap i mirë, sepse zyrtarisht tashmë legalizohet një institucion që ka vepruar në Kosovë që gati dy vite. Ndërkaq në anën tjetër për vetë ekonominë e Kosovës është një rëndësi e madhe, sepse cilido biznes amerikan, që ka ndonjë interes dhe mendon të vijë në Kosovë, derën e parë apo vendin e parë që do të shikojë për informata është zyra jonë. Në këtë rast ne do të japim kontributin maksimal për tërheqjen e kompanive amerikane që të vinë dhe të mbesin në Kosovë, duke marrë parasysh se Odat Ekonomike Amerikane në rajon kanë bërë punë të madhe, si ajo në Maqedoni, Shqipëri, gjithashtu edhe në Serbi Mali i Zi dhe vendet e tjera, si Greqia dhe Bullgaria.

RADIO EVROPA E LIRË
Oda Ekonomike Amerikane është duke vepruar që prej dy vitesh në Kosovë. Cilat janë rezultat e deritashme?

MIMOZA KUSARI-LILA
Ka pasur një aktivitet gati dy vjeçar. Ka pasur ngadalësime dhe shpejtësi gjatë këtij aktiviteti. E kisha ndarë pjesën e parë prej mesit të vitit 2004 e deri në fund të vitit 2005, ka pasur disa organizime nëpër panaire dhe konferenca të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të thotë ndërlidhje të drejtpërdrejtë të biznesit kosovar më atë amerikan. Në anën tjetër ka pasur një inkurajim sidomos për diasporën shqiptare në Amerikë për investime në Kosovë. Por, tash prej fillimit të vitit 2006 kemi pasur një intensifikim të aktiviteteve, sidomos të zbatimit të praktikave më të mira të biznesit amerikan. Më konkretisht, në prill të këtij viti është mbajtur panairi i karrierës që mbahet rregullisht nga universitete të ndryshme në Amerikë. Kësaj radhe ne e organizuam me kompanitë anëtare të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, kompanitë lokale dhe disa ndërkombëtare, ku për herë të parë studentët e katër universiteteve, si universitetit publik dhe atyre private në Kosovë, patën rastin që të njihen drejtpërdrejt me aktivitetet e kompanive, dhe si rezultat i saj, një numër i konsiderueshëm i studentëve kanë gjetur mundësi praktike apo pune në këto kompani.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka ndonjë projekt oda të cilën ju e udhëhiqni, që do të zbuste në ndonjë mënyrë papunësinë në Kosovë?

MIMOZA KUSARI–LILA
Po atë që e përmenda më herët, panairi i karrierës, është një prej tyre. Ai do të bëhet tradicional, tjetri pason në vjeshtë, do të mbahet edhe në tetor. Kjo është një mënyrë e drejtpërdrejtë e ndikimit të zbutjes së papunësisë ose ofrimin e shanceve gjeneratave të reja për punësim në kompani kosovare. Mandej janë projektet lidhur me tërheqjen e investimeve. Ne kemi filluar kontaktet e drejtpërdrejta me disa kompani amerikane dhe do të mundohemi që të japim sa më tepër asistencë, si në aspektin administrativ dhe atë teknik për ato kompani, nëse vendosin të vinë dhe të veprojnë në Kosovë. Mendoj se një mënyrë e tillë është një mënyrë e drejtpërdrejtë e ndikimit të ngritjes së investimeve dhe zbutjes së papunësisë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, tashmë kanë deklaruar se institucionet vendore nuk kanë projekte konkrete për të thithur investime të jashtme. Çfarë duhet bëjnë institucionet në këtë drejtim?

MIMOZA KUSARI-LILA
Është e vërtetë se nëse shikohet në aspektin e përgjithshëm, apo nga aspekti i jashtëm i një investitori të huaj se çka mund të ofrojë Kosova, nuk ka ndonjë deklaratë specifike, ose ndonjë slogan apo tërheqje konkrete që thuhet se mund të vini në Kosovë për këto e këto arsye.
Gjithmonë lobohet apo është thënë se Kosova ka popullatën e re, Kosova ka sigurinë, Kosova ka forcat paqeruajtëse. Por, çka është e rëndësishme për kompanitë si vendore, po ashtu të huaja, është se sa mund të bëhet profit, ose sa mund të fitohet në një ambient të caktuar. Tash çka do të ofrojmë është një projekt konkret në ndryshimin ndoshta të sistemit fiskal, që do të jetë më tërheqës për investitorët e huaj. Është vërtet se Kosova ka një stabilitet, por Kosova ka edhe shumë mangësi të tjera, ka mungesë të infrastrukturës, ka mungesë të statusit të zgjidhur. Edhe ky është një fakt që mund të dekurajojë një investitor. Në anën tjetër ka resurse natyrore të cilat janë premtuese. Por, pa një menaxhim të mirë institucional dhe pa një menaxhim të mirëfilltë për tërheqjen e investimeve prapë edhe ato do të dështojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbetemi te Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka paralajmëruar krizë buxhetore për vitin e ardhshëm. A ka gjasa që kjo të evitohet?

MIMOZA KUSARI–LILA
Ka gjasë nëse merren aksione të menjëhershme dhe nëse ka një forcim të këtyre aksioneve, një prej tyre mund të jetë edhe ndryshimi i politikës fiskale. Nuk duhet të frigohemi nëse ndryshon politika fiskale. Ndërkaq vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar, nganjëherë është më pak konzervativ në ndryshimin e këtyre vendimeve. Një karakteristikë e politikës fiskale në Kosovë është se fillimisht kur është dizajnuar, është dizajnuar për vendin, i cili sapo është dalë nga lufta dhe për mbledhjen e mënjëhershme të buxhetit, apo të arkëtimit të mjeteve për buxhetin e konsoliduar të Kosovës, që rrjedhimisht ka sjellë deri tek sjellja e fondeve në dogane mënjëherë. Është një politikë dekurajuese për investitorë, gjithashtu edhe për prodhuesit vendorë, që duhet të paguajnë një shumë të madhe të mjeteve për pajisje, për lëndë të parë dhe për produktet që sapo hynë në kufijtë e Kosovës. Nëse shikohet një ndryshim i politikës fiskale, në kuptimin se bëhet ulja e tatimit në fitim atëherë bëhet një stimulim i prodhimit vendor, atëherë mund të vijë deri tek një efikasitet më i lartë, një profit më i lartë i kompanive vendore, një stimulim për prodhuesit edhe rrjedhimisht një pagesë ndaj obligimeve shtetërore. Këto të dyja duhet të shkojnë paralele. Por, një menaxhim më i mirë i mjeteve publike, i fondeve publike, një kontroll mbi shpenzimet, mund të evitojë një krizë buxhetore të buxhetit të Kosovës. Dimë se raportet e auditorëve kanë treguar se ka pasur një keq menaxhim që ka një shtirje të gjerë, si në aspektin qendror dhe atë lokal, andaj një vetëdije më e lartë e shërbyesve civilë dhe të gjithë pushtet mbajtëseve që janë përgjegjës për mjetet publike, mund të ndihmojë në buxhetin e konsoliduar të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të institucioneve thonë se moszgjidhja e statusit përfundimtar është pengesë për zhvillimin ekonomik. Mendoni se pas statusit do te ketë rritje të mënjëhershme ekonomike?

MIMOZA KUSARI-LILA
Është e vërtetë se statusi deri në një masë ndikon në mosngritjen e zhvillimit ekonomik. Megjithatë nuk duhet të pritet që me shkop magjik, kur do të zgjidhet statusi përfundimtar i Kosovës do të ketë zhvillim të mënjëhershëm ekonomik. Në të kundërtën, ne mund të kemi një krizë ekonomike apo mund të ballafaqohemi edhe me një krizë më të thellë, ose më të rëndë se sa jemi tani. Për arsye se në momentin në të cilin jemi, nuk duhet të harrojmë se edhe administrata ndërkombëtare përbën një punëdhënës mjaft të madh dhe në momentin e largimit të kësaj administrate, automatikisht do të krijohen njerëz të papunë të rinj, nëse ata njerëz nuk sistemohen diku tjetër. Dhe në anën tjetër, Kosovës si shtet i pavarur do t'i mbesin shumë obligime, të cilat do të bartë mbi supet e veta drejtpërdrejtë. Do të thotë, kjo administratë, ky buxhet, i cili edhe gjendet tani. Por në anën tjetër, hapet edhe mundësia e kredive ndërkombëtare, shanc të cilin nuk e ka Kosova deri më tani, e që mund të investohet në fonde zhvillimore. Por gjithsesi duhet të ekzistojnë projektet konkrete, për të cilat nuk jam e informuar nëse ekzistojnë.
Do të thotë puna për zgjidhjen e zhvillimit ekonomik nuk duhet pritur pas statusit, ose nuk duhet shpresuar se ajo menjëherë do të zgjidhet, por duhet të fillohet të punohet që tani, gjë që shpresoj se janë duke e bërë institucionet.

INTERVISTOI: NADIE AHMETI
XS
SM
MD
LG