Ndërlidhjet

KOSOVË: KORRUPSIONI I PRANISHËM NË TË GJITHA SFERAT


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Korporata Energjetike e Kosovës, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit dhe sistemi shëndetësor konsiderohen si institucionet me shkallën më të lartë të korrupsionit në Kosovë. Këto të dhëna rezultojnë në raportin e paralajmërimit të hershëm për Kosovën, të cilën e ka përgatitur Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara.
Të njëjtin mendim ndërkaq e japin edhe disa qytetarë të Kosovës.
Sherif Gjonbalaj, profesor në Fakultetin Teknik në Universitetin e Prishtinës, thotë se në të gjitha institucionet vendore ekziston korrupsioni. Por sipas tij qeveria e Kosovës është ajo që prin me keqpërdorimin e mjeteve publike.
"Në çdo pore të jetës ka korrupsion, më së shumti në qeveri. Etja për pare, për pushtet, mosinteresimi për popull, etj."
Edhe Ibrahim Gashi nga Prishtina thotë se korrupsioni ekziston në institucione, madje me një shkallë të lartë.
"Sa i përket korrupsionit mendimi im si qytetar i Kosovës është që ekziston gjithkund, prej qeveritarëve më të lartë e deri tek nënpunësi më i vogël."
Dukagjin Sahatçia ndërkaq pohon se dukuria e korrupsionit në Kosovë ekziston, por në disa institucione është e shtrirë më shumë e disa më pak.
"Tek ne nuk është vendosur ende sistemi i dhënies së përgjegjësisë për punën e kryer dhe për punën e pakryer. Kur të vendoset që të kërkohet përgjegjësia për çdo punë, atëhere mendoj se do të bëhet hapi i parë në luftimin e korrupsionit".
Derisa në raportin e UNDP-së të anketuarit konsiderojnë se pagat e ulëta janë arsyeja kryesore e korrupsionit, profesori Sherif Gjonbalaj megjithatë thotë se në disa institucione ku pagat e punëtorëve janë të ulëta, nuk ka korrupsion.
"Ata që i kanë pagat e ulëta nuk bëjnë korrupsion, sepse s'munden të bëjnë. Unë për shembull e kam 170 euro rrogën, por veç me vjedh shkumsa se s'kam ç'të vjedh tjetër gjë."
Të anketuarit në raport ndërkaq kanë thënë se korrupsioni ekziston në shërbimet doganore, administratën qëndrore dhe në sistemin gjyqësor. Ndërkaq shkalla e kushtëzimit të shërbimeve publike me mito dhe dhurata, ka treguar rënien në krahasim me marsin e vitit 2006, thuhet në raport. Sidoqoftë qeveria e Kosovës i ka shpallur luftë korrupsionit institucional.
Tolerancë zero ndaj korrupsionit është qëndrimi i qeverisë së Kosovës, përballë atyre që shpërdorojnë detyrën që kanë në institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG