Ndërlidhjet

AGJENCIA KOSOVARE ANTIKORRUPSION NË FUNKSION TË PLOTË PAS 4 MUAJSH


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Evidentimi i pasurisë së udhëheqësve të institucioneve më të larta vendore, do të jetë hapi i parë me të cilin do të fillojë punën Agjencia Kosovare Antikorrupsion. Kështu i tha Radios Evropa e Lirë Hasan Preteni, drejtor i kësaj agjencie, i cili dje u zgjodh me shumicë votash nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Zoti Preteni thotë se bazë për veprimet e agjencisë do të jetë ligji kundër korrupsionit i miratuar vitin e kaluar nga Kuvendi i Kosovës.
"Agjencioni do të jetë një hallkë në zinxhirin e gjatë të luftës së përhershme kundër korrupsionit. Në rend të parë do të evidentohet pasuria e të gjithë personave zyrtarë të lartë, duke filluar nga presidenca, Kuvendi, kryeministria, ministritë. Do të përcillet pasuria e tyre kohë pas kohe".
Ish eprori i Trupave Mbrojtëse të Kosovës Hasan Preteni, pranon se dukuria e korrupsionit është e pranishme në institucionet e Kosovës. Si hap tjetër për të luftuar këtë dukuri, drejtori i sapozgjedhur i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni, paralajmëron përkufizimin dhe pranimin e dhuratave të zyrtarëve të institucioneve.
"Përkufizimet rreth pranimit të dhuratave, përcjellja e asaj që mund të vijë deri tek konflikti i interesave, që personat të cilët kryejnë detyrat e larta zyrtare, të mos të jenë të lidhur me kryerjen e veprimeve të tjera fitimprurëse."
Sipas ligjit kundër korrupsionit, agjencia ka për obligim t'i përcjellë Prokurorisë publike të Kosovës, çdo informatë që ka të bëjë me shkeljet e mundshme korruptuese.
Zoti Preteni beson se punëtorëve që do të punojnë në këtë Agjenci, do t'u kërkohet t'u japin maksimumin që agjencia të lajmërojë rastet në prokurori. Preteni thotë se kjo është një nga mënyrat e vetme për të luftuar apo zvogëluar shkallën e korrupsionit në Kosovë. Korrupsioni luftohet vetëm nëse secili rast i korrupsionit lajmërohet në Prokurori, por edhe në rastin tjetër që po të gjithë të kyçemi në këtë luftë. Agjencioni është vetëm një karrige dhe do të jetë një ndërmjetësues shumë i fortë, i fuqishëm, mes popullatës dhe institucioneve, të cilat duhet ta luftojnë korrupsionin."
Me zgjedhjen e drejtorit, Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit i duhen edhe katër muaj për të filluar punën në mënyrë të rregullt. Sërisht zoti Preteni:
"Tani në agjencion është i punësuar vetëm drejtori. Pas 90 ditëve drejtori i agjencionit ka obligim në bazë të ligjit që këshillit të agjencionit t'i propozojë edhe organikën edhe rregullat procedurale të punës. Kështu që agjencioni pritet që të hyjë në sistem, të jetë funksional, pas 4 muajve."
Një nga 13 kërkesat e Grupit të Kontaktit drejtuar institucioneve të Kosovës, ka qenë edhe emërimi i drejtorit të Agjencisë Antikorrupsion deri më datën 1 korrik. Kuvendi ka përmbushur kërkesën me 17 ditë vonesë.

XS
SM
MD
LG