Ndërlidhjet

MOORE:"AGJENDA SERBE DUHET TE DOMINOHET NGA DEFICITI DEMOKRATIK DHE JO KOSOVA"


Patrick Moore, analist i Radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Ministri i Jashtëm slloven, Dimitrije Rupel këto ditë ka thënë se duhet të ketë ndërlidhje mes bisedimeve të Bashkimit Evropian me Serbinë dhe statusit të Kosovës. Por, emisari special Marti Ahtisari ka vënë në pah se nuk sheh ndërlidhje mes këtyre dy proceseve. Si e komentoni ju këtë çështje?

PATRIK MOORE
Ahtisari ka plotësisht të drejtë dhe kjo është një çështje që ka qenë e ditur gjithë kohën. Dihet shumë mirë se që nga rënja e komunizmit, Bashkimi Evropian i kishte bërë të qartë çdo vendi që aspironte anëtarësimin në BE se duhej të përmbushte listën shumë të gjatë të kërkesave politike, ekonomike dhe juridike.
Nuk ka "rrugë të shkurtër" dhe kjo u është thënë shumë herë, në shumë forma dhe të gjithë të interesuarve. Rupeli do të duhej ta dinte këtë gjë, sepse kështu i është thënë para anëtarësimt në BE edhe Sllovenisë. Jam shumë i befasuar që ai një gjë të tillë e ka thënë publikisht dhe mbase i vetmi shpjegim është nëse Rupeli e ka njërin sy te mbrojta e bizneseve të Sllovenisë në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Vojisllav Koshtunicës është duke sinjalizuar qendrat ndërkombëtare se nëse Kosova do të pavarësohet, Serbia do të bjerë në duart e radikalëve. Por, një hulumtim i fundit në Serbi dhe Kosovë dëshmon se më shumë se 60 për qind e serbëve që jetojnë në Serbi do ta toleronin pavarësinë e Kosovës...?

PATRICK MOORE
Fillimisht duhet analizuar se çfarë paraqesin hulumtimet e opinionit në Serbi. Duhet thënë se hulumtimet që bëhen në Serbi është vështirë të kuptohen, sepse një numër i madh i të anketuarve, nganjëherë deri 40 për qind, refuzojnë të përgjigjen ose përgjigjen me "Nuk e di".
Dhe me këtë rast më duhet thënë se radikalët në Serbi sipas hulumtimeve të fundit gëzojnë mbështetjen e 36 për qind të popullatës. Ky është rrezultat i ngjashëm me votat që i kishin marrë në zgjedhjet parlamentare në dhjetorin e vitit 2003 dhe në zgjedhjet presidenciale në mesin e vitit 2004. Kjo sugjeron se ata kanë një shtresë shumë të gjerë dhe shumë besnike të mbështetësve, por ata kanë pak mbështetje jashtë këtij grupi. Dhe me këtë rast duhet thënë se pak është për të besuar se pjesa tjetër, pra 64 për qind të të tjerëve, janë të interesuar për zhvillimet në Kosovë. Madje edhe në kohën kur Serbia kontrollonte Kosovën, vetëm 21 për qind e serbëve të Serbisë kishin shprehur interesim që të vizitonin në cilësinë e turistëve Kosovën. Dua të them se shumica e tyre, qofshin me ose kundër radikalëve, para së gjithash janë të interesuar për vende pune dhe kushte më të mira jete.

RADIO EVRIOPA E LIRË
Shumë analistë thonë se aktualisht kemi dy Serbi – njëra që është konservative dhe nacionaliste, dhe tjetra që është liberale, moderne dhe progresive. Javorja "Economist" pohon se në politikën aktuale, Serbia konservative dhe nacionaliste është në ofenzivë, ndërsa ajo liberale në defanzivë. Cila do të fitonte më shumë nëse brenda këtij viti zgjidhet statusi i Kosovës?

PATRICK MOORE
Kjo çështje mund të debatohet nëse agjenda e tyre politike do të hartohet dhe fokusohet rreth çështjes së Kosovës. Unë nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Më duhet të them se një gjë e tillë nuk do të ishte e urtë për askë, me përjashtim të nacionalistëve në Beograd.
Mbase çështja duhet shtruar se çfarë duhet të bëjnë vetë forcat liberale në Serbi dhe çfarë faktorët e jashtëm në të dy anët e Atlanikut që ata të ndihmohen. Mendoj se ata do të bënin shumë mirë nëse në agjenden e tyre inkuadrojnë çështjet reale në mënyrë që të heqin qafe fatamorganën nacionaliste. Agjenda e tyre do të duhej të ishte e foksuar në çështjen se kush ka idetë më të mira për t'u ballafaquar me varfërinë, krimin, korrupsionin dhe deficitin demokratik në Serbi. Kjo është çështja qendrore që aktualisht shtrohet në Serbi.

Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG