Ndërlidhjet

DELEGACIONI I KOSOVËS KTHEHET NGA VJENA


Bekim Bislimi, Prishtinë

Pavarësia e Kosovës është vizioni për të ardhmen e Kosovës dhe këtë vizion si zgjidhje, e cila përmbush vullnetin e popullit të Kosovës, e ka parashtruar ekipi negociator nga Kosova, në takimin e nivelit të lartë përfaqësues me palën serbe dhe me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare në Vjenë.

Kështu kanë deklaruar sot anëtarët e delegacionit nga Kosova pas kthimit nga Vjena. Kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se takimi ishte mjaft i rëndësishëm dhe delegacioni i Kosovës ka parashtruar para bashkësisë ndërkombëtare vizionin e saj për ardhmërinë e Kosovës si shtet të pavarur.

"Natyrisht dëshirojmë që me këtë të ndërtojmë një shtet të pavarur, shtet modern dhe demokratik, në cilin do të sundojë ligji, në cilin do të ketë respekt ndaj gjithë qytetarëve, në të cilin natyrisht do të ketë një kujdes të veçantë edhe ndaj minoriteteve. Në këtë aspekt mund të them se të gjithë anëtarët e delegacionit kanë shprehur në mënyrë të denjë qëndrimet tona të përbashkëta dhe po ashtu kemi patur dhe një pjesë të debatit edhe me delegacionin tjetër që ka qenë delegacioni i Serbisë, natyrisht në vizionin që ata kanë parashtruar dhe që është i papranueshëm për ne. Ne e kemi theksuar sepse kemi këtë mandat dhe me këtë mandat do të ecim përpara", tha Fatmir Sejdiu.

Ndërkaq Hashim Thaçi, lider i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i delegacionit të Kosovës në takimin e Vjenës, theksoi se delegacioni kosovar ka parashtruar vizionin se si do të duket shteti i pavarur i Kosovës, si shtet që do të sjellë paqe dhe stabilitet, si dhe i integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

"Unë kam besim se ky vit, viti 2006 do të jetë viti që do të nxjerrë komuniteti ndërkombëtar vendimin për të respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran. Për Kosovën është vetëm një zgjidhje, ajo zgjidhje është shtet i pavarur dhe sovran. Është argument i pakontestueshëm dhe unë besoj fuqishëm se do të jetë i respektuar prej komunitetit ndërkombëtar. Është niveli i sakrificës së qytetarëve të Kosovës për shtet, por dhe gjenocidi i Serbisë që e ka bërë në Kosovë", tha Hashim Thaçi.

Ndërsa Veton Surroi, drejtues i partisë Ora dhe po ashtu anëtar i delegacionit kosovar në takimin e Vjenës, shprehin mendimin se në këtë takim, ekipi nga Kosova ka lënë përshtypjen se procesi i ardhshëm do të jetë më intensiv dhe më serioz dhe se duhet të përgatitet edhe më tepër se deri më tash. Zoti Surroi tha se ndërkohë palën kosovare e presin sfidat:

"Kemi sfida të ndryshme që nga vendime që duhet të marrim në proceset e decentralizimit, e deri tek çështjet e tjera që kanë të bëjnë me rregullimin e marrëdhënieve brenda Kosovës, trajtimin e minoriteteve etj. Çështja kryesore besoj, sfida kryesore për të gjithë ne duhet të jetë që të krijojmë një dinamikë politike dhe një dinamikë negociatore, e cila i përshtatet momentit," tha Veton Surroi.

Pritet apo jo një zgjidhje e imponuar nga bashkësia ndërkombëtare duke patur parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të palës kosovare dhe asaj serbe në takimin e Vjenës, si dhe në gjithë procesin negociator, zoti Surroi theksoi:

"Ne kemi një obligim ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Duhet ta kalojmë tërë procesin negociator me të. Është partneriteti të cilin e kemi me bashkësinë ndërkombëtare, është çështje e Beogradit të vendosë nëse do na bashkangjitet në rrugën e pavarësisë apo jo," theksoi Surroi.

Sidoqoftë, sipas anëtarëve të delegacionit kosovar muaji gusht do të jetë siç është thënë, i fortë në procesin negociator, dhe se ky proces gjatë shtatorit pritet se do të intensifikohet edhe më tepër.
XS
SM
MD
LG