Zëvendës kryeadministratori i Kosovës, Steven Schook ka thënë se është për t'u habitur se çdo herë kur takohet me liderët e serbëve në veri të Kosovës, ata theksojnë vetëm çështjen e mungesës së sigurisë. Mëtutje, sipas një kumtese nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, zoti Schook ka thënë se ai "e ka kuptuar se shqetësimet e qytetarëve janë të natyrës tjetër dhe kanë të bëjnë me punësimin, mungesën e rrymës dhe të ujit dhe me sistemin e dobët shëndetësor". Ai ka theksuar se "asnjëri nga dhjetëra qytetarët, me të cilët ka biseduar, nuk e ka përmendur sigurinë". Gjatë ditës së djeshme, zoti Schook jozyrtarisht ka vizituar pjesën veriore të Mitrovicës dhe ka biseduar me qytetarë në rrugë dhe në kafene. Ai ka kërkuar nga liderët e serbëve të Kosovës që të ndërpresin politizimin e incidenteve kriminale, të cilat, sipas tij, në të shumtën e rasteve nuk kanë të bëjnë me prejardhje etnike të viktimave apo të përgjegjësve për këto incidente.
Përdorimi i përmbajtjes sonë
⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.
Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.