Ndërlidhjet

MALOKU: NUK DO TË KETË PËRSHKALLËZIM TË SITUATËS NË PRAG TË STATUSIT


Naim Maloku, anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, ditë më parë, drejtuesi i radikalëve të Serbisë, Tomisllav Nikoliq ka deklaruar se Serbia do të luftojë për Kosovën në rast se ajo pavarësohet.
Si e komentoni ju një deklaratë të tillë?

NAIM MALOKU
Është më tepër për konsum të brendshëm. Ne i dimë qëndrimet e radikalëve. Ata e kanë kryetar Sheshelin, i cili është në Hagë dhe është duke u gjykuar për ato veprime që i ka bërë ajo parti nën udhëheqjen e Sheshelit.
Mendoj se, përveç të tjerave, pasoja nuk mund të ketë as për stabilitetin në rajon e as për Kosovën.
Unë nuk e besoj se Serbia zyrtare ka qëndrim të tillë dhe se do të ndërmarrë hapa të tillë, të cilët i çojnë dy popujt në një luftë tjetër.
Pra, jam shumë i bindur që luftërat në rajon kanë përfunduar një herë e përgjithmonë. Ne duhet t’i kthehemi të ardhmes. Po e përsëris, ajo është më tepër për konsum të brendshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, veriu i Kosovës po përballet me vështirësi në komunikim në mes kuvendeve komunale atje dhe institucioneve qendrore të Kosovës.
Sa në fakt kanë qasje forcat e rendit në veri të Kosovës?

NAIM MALOKU
Janë angazhuar forca shtesë edhe të Shërbimit Policor të Kosovës, janë 600 policë shtesë dhe policia e UNMIK-ut. Pra ka forca shtesë në veri të Kosovës.
Normalisht që edhe KFOR-i është duke i ndërmarrë hapat e dislokimit të njësive shtesë në Leposaviç dhe komunat e tjera. Unë mendoj që janë probleme normale në këtë fazë kur po shkohet kah përfundimi i përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Vijat e trasha janë vënë edhe nga Grupi i Kontaktit, nga Këshilli i Sigurimit. Pra, Kosova do të jetë e pavarur.
Unë mendoj që këto janë ato përpëlitjet e fundit të forcave, elementeve radikale, të cilët mendojnë apo tentojnë të tërheqin vëmendjen kah ato dhe ta pengojnë, së paku ta vonojnë, procesin e pavarësimit të Kosovës.
Po shihet qartë se Serbia, kohëve të fundit, më tepër po tenton ta vonojë, ta zhvarrisë vendimin për përcaktimin e statusit.
Ne e kemi parë se politika zyrtare serbe ka kaluar nëpër disa faza. Në fazën menjëherë pas luftës ka tentuar kthimin e forcave serbe në Kosovë, pastaj ka kaluar në fazën e tentimit të krijimit të rrethanave për t'u ndarë Kosova. Pra edhe marsi i vitit 2004 ka shumë elemente. Ne nuk kemi bërë hetime të thella, por ka shumë elemente të implikimit të jashtëm, të cilët kanë tentuar të krijojnë rrethana, ku edhe komuniteti ndërkombëtar do të bindej se nuk ka bashkëjetesë në mes serbëve dhe shqiptarëve dhe se duhet të ndahet Kosova.
Edhe kjo është lëshuar në kohët e fundit dhe tani politika serbe më tepër po i kushton vëmendje dhe kujdes zhvarritjes së vendimit për përcaktimin e statusit. Mendoj se edhe këto gjëra që po ndodhin në veriun e Kosovës, më tepër kanë një qëllim të tërheqjes së vëmendjes dhe të pengimit të marrjes së hapave të fundit të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare drejt përcaktimit përfundimtar të statusit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka ngritur çështjen e krijimit të një ushtrie kosovare. Si e shihni ju këtë çështje?

NAIM MALOKU
Normalisht se edhe kjo nuk është e re. Prej pasluftës, gjatë tërë këtij procesi të angazhimit të UNMIK-ut, të këtij misioni të KFOR-it, është biseduar me liderë të partive politike, me ekspertë për siguri. Edhe unë kam qenë një prej njerëzve me të cilët është biseduar nga nivelet e ndryshme të ICG (Grupit Ndërkombëtar të Krizave) dhe çështja e forcës mbrojtëse është një prej çështjeve që do të përcaktohet me përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.
Do të ketë qëndrime që mos të ketë fare forcë mbrojtëse Kosova, siç kanë qenë qëndrimet e Rusisë në shumë mbledhje të Këshillit të Sigurimit për TMK, pra që të transformohet TMK-ja, ashtu do të ketë qëndrime që të mos ekzistojë kjo forcë. Mirëpo, do të ketë edhe qëndrime pro kësaj force.
Unë e përshëndes analizën e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, por qëndrimi i institucioneve të Kosovës, i grupit negociator të palës kosovare është që kjo forcë të jetë forcë mbrojtëse, në numër prej 5 000 trupash, me detyra të përcaktuara në kuadër të detyrave që do t’i ketë një forcë mbrojtëse, forcë ndërkombëtare (tani është NATO-ja në Kosovë) e dislokuar edhe pas statusit përfundimtar të Kosovës për një kohë bukur të gjatë që do të kalojë 10 vjetëshin e pas statusit.
Pra, Kosova do të ketë nevojë për mbajtjen e një force ndërkombëtare të dislokuar në Kosovë edhe për një periudhë bukur të gjatë pas përcaktimit të statusit përfundimtar të saj dhe në kuadër të detyrave të asaj force do të jenë edhe detyrat e kësaj force mbrojtëse të Kosovës.
Është e nevojshme që Kosova të përgatitet për të pasur një forcë, e cila do të merret me sigurinë e brendshme, do të thotë, që do të jetë pjesë e mekanizmave të sigurisë së brendshme të Kosovës, por edhe që do të ketë rolin që Kosova përmes saj do të jetë e integruar në NATO dhe në bashkësinë ndërkombëtare, përmes angazhimeve të asaj force në misione ndërkombëtare të NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara.
Kosova përmes asaj force do të jetë pjesëmarrëse në misionet ndërkombëtare në kriza në botë. Pra, do t’i ndihmojë Kosovës edhe për t'u krijuar ajo vetëdija e sigurisë kolektive.
Ne do të duhet të hyjmë në fazën e përgatitjes së Kosovës për të qenë pjesë e sigurisë kolektive. Pra, që shumë ingerenca të një force vendore të mbrojtjes, t'i bartim në një instancë, e cila merret me sigurinë kolektive.
Të gjitha shtetet e BE-së i kanë bartur shumë kompetenca të ministrive të mbrojtjes së këtyre shteteve, dhe janë duke u përgatitur t'i bartin në një siguri të përbashkët kolektive. Të gjitha shtetet që janë brenda NATO-s i kanë bartur shumë ingerenca të forcave të veta që kanë ushtarake, secili shtet anëtar i NATO-s, për shkak se kanë hyrë në kuadër të një sigurie kolektive. Edhe Kosova, përmes kësaj force do të bëhet pjesë e sigurisë kolektive të NATO-s ose të BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Për ta përmbledhur në fund, zoti Maloku, nuk janë të rralla spekulimet mbi një përshkallëzim të mundshëm të situatës gjatë negociatave për statusin e Kosovës. Sipas jush, a kanë bazë këto spekulime?

NAIM MALOKU
Unë mendoj që përveç tentimeve të vogla, shumë të lokalizuara, nuk do të ketë përshkallëzime. Personalisht mendoj se mund të ketë ndonjë tentim eventual, për shembull sikur që janë këto deklarata që ndoshta i paraprijnë ndonjë inicimi të ndonjë organizimi të mundshëm të ndonjë segmenti apo grupi të vogël.
Mund t’ju them se inkurajuese është deklarata e shumë politikanëve të Kosovës, ndryshe nga kjo deklaratë e Nikoliqit, që Kosovës më nuk i duhet luftë. Pra edhe mendimi i shumë politikanëve serbë të Kosovës është që serbët e Kosovës më nuk do të bien pre e manipulimeve nga Beogradi.
E ardhmja e serbëve të Kosovës është këtu në Kosovë, së bashku me ne, në institucione të Kosovës dhe ta ndajmë bashkë fatin e të ardhmes së Kosovës.

Intervistoi: BEKIM BISLIMI



XS
SM
MD
LG