Ndërlidhjet

EKIPI I BEOGRADIT KËRKON SHTYRJEN E TAKIMIT TË ARDHSHËM NË VJENË


Albana Isufi, Prishtinë

Pala kosovare për bisedime ka konfirmuar sërish shkuarjen në takimet e radhës në Vjenë, përderisa sipas mediave serbe pala e Beogradit ka kërkuar që takimet e 7 dhe 8 gushtit të shtyhen për një javë.

Zëdhënësja e të dërguarit të OKB-së për statusin Hua Jiang, konfirmon marrjen e një letre nga pala e Beogradit. Por, ajo thotë se datat po vazhdojnë të diskutohen ende me Beogradin.
“Ende po diskutojmë me Beogradin, por ajo që ne jemi duke bërë është se po qëndrojmë pas datave që i kemi përmendur në ftesa. Ne kemi marrë një letër nga Beogradi, që do të donin të shprehnin pikëpamjet mbi datat dhe këtë do ta diskutojmë me ta”, i tha Radios Evropa e Lirë Hua Jiang.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Lutfi Haziri, ka thënë se kërkesa e Beogradit për të shtyrë takimet ka për qëllim zvarritjen e gjithë procesit të negociatave.
“Ne nuk mirëpresim asnjë formë të shtyrjes nga ana e delegacionit të Serbisë, për çfarëdo motivi qoftë. Shtyrjet dhe kërkesat për shtyrje janë vetëm strategji për shtyrjen e krejt procesit”.

Sidoqoftë, zoti Haziri thotë se në takimin e nesërm të ekipit negociator, do të bëjë përgatitjet e fundit rreth bisedimeve mbi decentralizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.
Pala kosovare në raundin e fundit të bisedimeve mbi decentralizimin, pati deklaruar se formula e fundit 5 +1 për formimin e komunave të reja serbe është oferta e fundit dhe këtu është vija e kuqe që nuk mund të kalohet.

Megjithatë, zyra e Ahtisarit ka kërkuar sërish fleksibilitet nga palët.
“E kemi parë atë deklaratë, por në anën tjetër, ka shumë detaje për t’u sqaruar dhe kur të shikojmë në detajet atëherë nevojitet një qasje më fleksibile”, tha Jiang.

Zëvendëskryeministri Haziri, i cili ka kryesuar disa herë delegacionet në Vjenë ka përsëritur qëndrimin e ekipit të unitetit se vijat e kuqe vërtetë nuk do të shkelen.
“Absolutisht, vijat e kuqe të tërhequra nga ekipi i unitetit nuk mund t’i tejkalojë askush, nuk ka autoritet, askush e as ne. Ne bisedojmë për detaje dhe kërkesat janë të një natyre specifike që duhet të punojmë për parimet themelore për decentralizimin, për kompetencat e komunave dhe të krijimit të komunave të reja, si pjesë e angazhimeve”, tha Haziri.

Zyrtarë të ekipit negociator janë shprehur pesimistë se palët do të mund të arrijnë ndonjë marrëveshje për çështje teknike.
Por një marrëveshje e tillë nuk përjashtohet nga zëdhënësja Hua Jiang.
“Ne presim një progres të vazhdueshëm në negociatat mbi çështjet teknike, jo vetëm në fushën e decentralizmit, por edhe në fushën e ekonomisë në atë të mbrojtjes së minoriteteve, e të trashëgimisë kulturore. Këto janë çështjet teknike, në të cilat presim që të ketë progres”, tha Jiang.

Prishtina dhe Beogradi nuk kanë arritur asnjë rezultat konkret në asnjërin nga raundet e bisedimeve teknike të mbajtura deri tani në udhëheqjen e të dërguarit të OKB-së për statusin Marti Ahtisarit.
Pa ndonjë sukses ka kaluar edhe takimi i parë i nivelit të lartë mes dy kryeqyteteve që u mbajt më 24 korrik në Vjenë.



XS
SM
MD
LG