Ndërlidhjet

EMIN AZEMI: PADREJTËSI NDAJ BDI-SË DHE VOTUESVE


"Unë mendoj se partitë dhe politikanët duhet të ulen dhe të vendosin një rregull, para së gjithash mes shqiptarëve. Mendoj që shqiptarët këtu kanë një hile mes vetes. Ata nuk do duhej të shpejtojnë se cili do të shkojë në qeveri, por do të duhej të merren vesh mes vete", thotë, pos tjerash, anlisti nga Shkupi, Emin Azemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë duket se situata është disi më e qartë dhe në qeverinë e Maqedonisë do ta kemi Partinë Demokratike Shqiptare dhe jo koalicionin BDI-PPD. A mendoni se kjo është e siguritë se do të ndodhë, apo ende mund të ketë hapësirë për ndryshime?

EMIN AZEMI
Deri para pak kohe ka pasur dilema nëse do të hyjë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim në qeveri apo jo. Mirëpo pas deklaratës së vetë mandatarit Gruevski, se në qeverinë e ardhshme nuk do të ketë vend për BDI-në, tanimë gjithçka është e qartë.
Ka pasur komente dhe dilema rreth kësaj nëse është apo s'është mirë. Një pjesë e analistëve të cilët kanë përkrahur opinionin, sidomos maqedonas dhe një pjesë e shqiptarëve, e krijuan një opinion se qeveria, mandatari ka të drejtë të ftojë në koalicion cilëndo parti politike dhe kjo është në rregull deri diku. Mirëpo kur të marrin parasysh situatën e votave dhe të vullnetit të popullit, atëherë mendoj se lënia jashtë e një partie politike, e cila ka marrë shumicën e votave, është një padrejtësi, jo vetëm ndaj asaj partie, por edhe ndaj votuesve, të cilët ia kanë dhënë besimin asaj partie politike. Tani shtrohet pyetja si të veprohet në të ardhmen… a do të shkojnë shqiptarët sipas logjikës se cila parti maqedonase fiton dhe ata do të shkojnë pastaj në koalicion? Apo do të vazhdohet me atë që unë mendoj se duhet të jetë, që shumica e votave e përcakton edhe pushtetin dhe hyrjen në qeveri.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju pak më parë shtruat dhe vetë pyetjen se çfarë efekti dhe çfarë ndikimi do të ketë ky rast në proceset e ardhshme zgjedhore në Maqedoni?

EMIN AZEMI
Unë mendoj se partitë dhe politikanët duhet të ulen dhe të vendosin një rregull, para së gjithash mes shqiptarëve. Mendoj që shqiptarët këtu kanë një hile mes vetes. Ata nuk do duhej të shpejtojnë se cili do të shkojë në qeveri, por do të duhej të merren vesh mes vete. Dhe është një provokim do të thosha unë i vetë politikanëve maqedonas, të cilët përmes lëvizjeve të tilla, duan që shkaktojnë dy efekte. Duan të bëjnë një përçarje në kampin politik shqiptar dhe duan të bëjnë një riformulim të proceseve të deritanishme politike që kanë ndodhur në Maqedoni. Kjo, për arsye se partia që erdhi në pushtet në Maqedoni, njihet si kritikuesja më e fuqishme e reformave në procesin politik që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve në Maqedoni. Unë, ashtu si një pjesë e madhe e shqiptarëve, brengosemi se mund të ketë stagnim të këtyre proceseve pas 2001-shit me Marrëveshjen e Ohrit dhe me ndryshimet kushtetuese, e kështu me rradhë. Në të mirë të qytetarëve të Maqedonisë do të ishte megjithatë që partitë që dalin nga vullneti i plotë të elektoratit, ato të jenë dhe bartëse dhe vazhduese të proceseve politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra të supozojmë se përbërja e qeverisë, siç thatë ju më pare, është ajo që është, do të thotë me PDSH-në dhe pa BDI-në. Sa mendoni se do të funksionojë kjo qeveri dhe do t'i shtyjë përpara reformat për të cilat ju folët pak më parë?

EMIN AZEMI
Kjo qeveri, sipas mandatarit, para së gjithash, ka një platformë të mirë ekonomike, siç e ka prezantuar deri tani dhe në Maqedoni ka se çfarë të punohet edhe në sferën ekonomike, sepse politika deri tani ka qenë shenja dalluese e të gjitha proceseve. Mirëpo unë frikësohem se nën këtë angazhimin ekonomik do të ngelin nën hije disa procese politike, që lidhen me avancimin e mëtejshëm të të drejtave të shqiptarëve, kur dihet se në Maqedoni ende nuk ka një ligj për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet, kur në Maqedoni ende nuk ka një ligj që përcakton statusin e forcave të policisë në njësitë e administrimit lokal dhe nuk ka një ligj për shenjat shtetërore siç është hymni, stema e kështu me radhë. Prandaj unë kam frikë se në këtë aspekt do të ketë tensionime të brendshme në parlament dhe këto ligje që i përmenda unë nuk do mund të kalojnë as me shumicën e Badinterit, që mungon tani për tani. Dhe kjo nuk do të arrihet pa ndihmën e Bashkimit Demokratik për Integrim. Mendoj që është një qeveri që do të funksionojë me probleme dhe me kriza të vogla brenda parlamentit dhe brenda institucioneve të shtetit.
Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG