Ndërlidhjet

SI DO TË MBROHEN OBJEKTET FETARE PAS STATUSIT?


Albana Isufi, Prishtinë

Prishtina dhe Beogradi kanë qëndrime të përafërta rreth mbrojtjes në të ardhmen të objekteve të trashëgimisë religjioze, përkatësisht të kishave dhe manastireve ortodokse.
Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare është njëra nga çështjet që po diskutohet mes palës kosovare dhe asaj serbe në bisedimet e Vjenës për statusin e Kosovës.

Anëtari i delegacionit kosovar për bisedime, Ylber Hysa, thotë se mbrojtja e objekteve të trashëgimisë kulturore fillimisht do të bëhet nga forcat e NATO-s.
"Me siguri se nuk do të jetë JNA ajo që do ta kryejë këtë punë. Kjo është shumë e qartë. Ne kemi bërë propozime të qarta në Vjenë që për një periudhë të caktuar do të jenë KFOR-i dhe NATO ata që do ta kenë një pjesë të këtyre obligimeve", tha Hysa.

Pothuajse e njëjta gjë pohohet edhe nga anëtari i delegacionit serb për bisedimet për statusin e Kosovës Dragan Batakoviq.
"Siç janë gjërat tani, është e logjikshme që këtë mbrojtje të vazhdojë ta bëjë KFOR- dhe forcat ndërkombëtare, megjithatë është shumë me rëndësi, që të gjendet një mekanizëm për mbrojtje edhe pas shkuarjes së tyre", thotë Batakoviq.

Anëtari i delegacionit kosovar për bisedime për statusin Ylber Hysa, thotë se gradualisht do të krijohet një forcë në kuadër të SHPK-së, e cila do të merret me ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore krahas forcave ndërkombëtare.

"Do të ndërtohet një forcë e veçantë në kuadër të SHPK-së, e cila do të merret në mënyrë të veçantë me mbrojtjen e manastireve, ku do jenë edhe një numër i pakicave. Konsiderojmë që në fazën tranzitore, këtë obligim ta kryejnë bashkë me NATO-n, më pas, kur të rritet mirëbesimi kjo do ishte obligim i këtyre forcave multietnike në Kosovë,."tha Ylber Hysa.

Batakoviq për një forcë të tillë multietnike kërkon që të ketë garanci ndërkombëtare.
„Duhet qysh tani të kemi marrëveshje ndërkombëtare me garanci të qarta se në atë periudhë, derisa forcat ndërkombëtare do të sigurojnë pasuritë tona dhe në anën tjetër në marrëveshje me shqiptarët, të gjejmë zgjidhje që edhe pas kësaj të ruhet vazhdimësia e një mënyre të njëjtë të mbrojtjes. Natyrisht, ato do të jenë disa forca policore dhe është e mundur që ato të jenë të përziera, serbe dhe shqiptare, në mënyrë që të parandalohet që manastiret përsëri të jenë objekte sulmi“, thotë Batakoviq.

Sado që për aspektin e sigurisë së kishave dhe manastireve palët nuk janë shumë larg njëra-tjetrës, në dy takimet e zhvilluara deri tash rreth mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Vjenë nuk është arritur asnjë përparim mes tyre. Ylber Hysa kritikon Beogradin se ka politizuar çështjen dhe për hir të këtij politizimi ka sakrifikuar trashëgiminë.

„Në kuadër të kësaj Beogradi është në kundërshtim me vetë metodologjinë që ka propozuar në takimin e Deçanit, sipas së cilës do të vendoset një mision me ekspertë ndërkombëtarë, i cili edhe ka ndodhur, në bazë të të cilit është bërë edhe një sugjerim për propozimet në zona dhe Beogradi me faktin se nuk i ka pëlqyer një propozim i tillë nga ekspertët ndërkombëtarë përfshirë ata nga UNESCO e Këshilli i Evropës, ka vendosur prapë ta ripolitizojë këtë çështje" tha Ylber Hysa.

Hysa thotë se futja e konceptit të territorialitetit nga ana e Beogradit ka ripolitizuar tërë çështjen e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore e fetare.

"Pra duke insistuar që kjo të lidhet me restitucionin e pronës dhe nëse ndodh kjo në zonat e parapara, t’i jepet kishës me çmimin e tregut me të cilin ata do ta blinin, kjo qartazi tregon se s’ka të bëjë me mbrojtjen e trashëgimisë, por një koncept puro politik, i cili dëshiron që të mbështetet mbi territoret për ta parë të lidhur çështjen e decentralizmit dhe të kishave," thotë Hysa.

Dragan Batakoviq i ekipit negociator serb thotë se qëndrimi i palës serbe mbetet i pandryshuar.
"Sa i përket kësaj çështjeje kërkesat tona mbesin të pandryshuara dhe kanë të bëjnë me krijimin e zonave te mbrojtura. Pala jonë kërkon që në pakon që garanton sigurinë të përfshihet edhe kthimi i pasurisë së kishave, një mbrojtje e brendshme e zonave dhe në të njëjtën kohë të krijohet një mekanizëm i veçantë i sigurisë“, thotë Batakoviq.

Arritja e marrëveshjeve për çështje teknike deri në mesin e shtatorit është parë si një nga prioritet kryesore nga negociatorët ndërkombëtarë të përfshirë në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Pala kosovare thotë se prioritet i saj që për çështjet teknike t’i përafrojë qëndrimet dhe t’i këtë të pranueshme ato me zyrën e të dërguarit të OKB-së për statusin Marti Ahtisarit.



XS
SM
MD
LG