Ndërlidhjet

REGJISTRIMI I PËRGJITHSHËM I POPULLSISË NUK DO TË PËRFSHIJË DIASPORËN E KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Nëse statusi final i Kosovës zgjidhet brenda këtij viti, zyrtarët qeveritarë konsiderojnë se do të lehtësohet regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, që planifikohet të kryhet në prillin e 2007-tës.
Ndryshe, më 30 tetor të këtij viti do të kryhet faza e dytë testuese e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Drejtori i Departamentit të Regjistrimit të Popullsisë të Entit të Statistikave të Kosovës Refik Ramaj, thotë se enti është duke punuar që regjistrimi testues të ketë vlefshmërinë ndërkombëtare.
“Regjistrimi do mbahet në tre komuna; është Peja, ndër komunat më të mëdha, është Kamenica si komunë e mesme dhe Shtërpca një ndër komunat e vogla. Ky regjistrim do t’i nënshtrohet një monitorimi ndërkombëtar dhe po i bëjmë përgatitjet konform rekomandimeve të OKB-së dhe komisionit drejtues të Eurostatit,” thotë zoti Ramaj.

Regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë do t’i nënshtrohen të gjithë ata që kanë qëndruar më shumë se një vit vazhdimisht në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare si pjesëtarët e KFOR-it, apo të zyrave ndërlidhëse. Por, kosovarët që jetojnë në mërgim, nuk do t’i nënshtrohen regjistrimit, por vetëm do të numërohen.

“Në këtë regjistrim testues ne nuk do t’i numërojmë si popullsi vendëse njerëzit që mbi 12 muaj janë jashtë vendit, ndërsa ne do ta aplikojmë një listë shtesë ku do t’i numërojmë ata, d.m.th. do ta dimë se sa i kemi, ku i kemi, kur kanë shkuar, ç’profesion kanë etj”, thotë zoti Ramaj.

Sipas procedurave, regjistrimi mund t’iu rrezikohet edhe kosovarëve, që studiojnë jashtë dhe nuk kanë mundur të kthehen në Kosovë brenda një viti. Sërish Refik Ramaj.
“Ata që janë mbi 12 muaj, sigurisht që iu rrezikohet, këto janë rekomandime ndërkombëtare , këto rregulla vlejnë për tërë botën dhe ne kemi vendosur të mos jemi përjashtim”, thotë zoti Ramaj.

Por, ende nuk është qartësuar saktësisht se si do të regjistrohen të zhvendosurit serbë, që jetojnë jashtë Kosovës dhe nuk dihet nëse edhe për ta vlejnë rregullat e ngjashme.

Refik Ramaj thotë se Enti i Statistikave synon të zbatojë procedura të njëjta për të gjithë, mirëpo, sipas tij kjo do sqarohet edhe më tej në ndryshimet, që po i bëhen ligjit për regjistrimin e popullsisë.

“Tashmë ligji mbi regjistrimin e popullisë është në procedim e sipër, me disa ndërrime, disa çështje nuk kanë qenë të elaboruara saktësisht. Këto do të ridefinohen dhe kjo do të zgjidhë edhe këtë çështje, por parimisht Zyra për Regjistrimin e Popullsisë dhe Komisioni Qëndror konsistojnë që tërë popullata të trajtohet njëlloj”, thotë zoti Ramaj.

Aktualisht nuk ka të dhëna të sakta se sa banorë ka Kosova, ndërkohë që shifrat sillen nga 2 milionë deri në 2 milionë e gjysëm.
Kosova që nga viti 1981 nuk ka pasur regjistrim të pranueshëm ndërkombëtarisht të popullsisë. Refik Ramaj e konsideron regjistrimin e ardhshëm të një rëndësie vitale për Kosovën.

“Rëndësia është e shumanshme, por dua ta sqaroj se regjistrimi i popullsisë nuk ka të bëjë me asnjë implikim politik. Ky është një veprim institucional dhe thjesht profesional. Natyrisht prej rezultatit të regjistrimit do të përfitojnë shumë akterë, MSHP, qeveria e Kosovës, organizatat joqeveritare, akademike etj. Do të jetë e vlefshme edhe për proceset vendimarrëse politike. Por, ky është proces jashtë politikës.”

Regjistrimi i përgjithshëm i popullisë do të kushtojë afërsisht 6 milionë euro. Deri tani janë gjetur ose zotuar rreth 2 milionë e 300 mijë euro. Qeveria e Kosovës shpresën kryesore për të finalizuar regjistrimin e ka tek donatorët nga të cilët kërkohet të dhurojnë rreth 4 milionë euro.
XS
SM
MD
LG