Ndërlidhjet

VJENË


Sot në Vjenë ka përfunduar takimi mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë për pakicat. Ky ishte takimi i parë mbi këtë temë, dhe pasoi atë të djeshmin mbi decentralizimin.
Udhëheqësi i delegacionit kosovar Veton Surroi tha se ka dallime thelbësore në qëndrimet midis dy palëve. Surroi tha se delegacioni serb, në të cilin nuk marrin pjesë përfaqësues të serbëve të Kosovës, nuk i përmbahet agjendës së bisedimeve dhe më tepër flet për të kaluarën.
Gjatë paraditës, Surroi shpjegoi se Prishtina ka propozuar një sërë masash për mbrojtjen e komuniteteve, duke filluar nga procedurat që pengojnë majorizimin dhe format e reja të përdorimit të gjuhëve, të cilat i tejkalojnë edhe standardet evropiane.
Sipas tij, është paraparë që përveç serbishtes, gjuhë zyrtare të jenë turqishtja dhe gjuha rome, ndërkohë që planifikohet krijimi i një dhome të veçantë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila do të merrej vetëm me çështjen e pakicave.
Para fillimit të takimit, nga ekipi serb është prononcuar vetëm Dushan Batakoviç, këshilltar i presidentit të Serbisë Boris Tadiq.
Batakoviç tha se serbët e Kosovës nuk marrin pjesë në takimin e sotëm sepse sipas tij, ata nuk e shohin veten si pakicë, por si popull konstituiv me të drejta tjera nga pakicat klasike.
"Derisa komunitetet tjera në Kosovë duan të kenë status të pakicave kombëtare, për serbët kjo është e papranueshme, sepse ata nuk janë pakicë as për nga historia, as për nga numri e as për nga meritat", ka thënë Batakoviç.
XS
SM
MD
LG