Ndërlidhjet

UNMIK: PËRFORCIMET E POLICISË U BËNË PËR SIGURINË E KUFIRIT ME SERBINË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarë të policisë ndërkombëtare në Kosovë thanë sot se rritja e numrit të policisë ndërkombëtare në enklavat serbe dhe në pjesën veriore të Kosovës nuk ka të bëjë me ekzistimin apo jo të strukturave paralele të sigurisë, por bëhet për të ndihmuar pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së komisionerit të policisë ndërkombëtare, Wayne Hissong, tha sot në një takim me gazetarët se numri prej rreth 500 policësh ndërkombëtarë që u janë shtuar efektivave aktuale të policisë kosovare në pjesën veriore të Kosovës dhe në enklavat serbe është bërë me kërkesën e qytetarëve në këto zona dhe të udhëheqësve të tyre:

"Programi i sforcimit që është vënë nga komisioneri Vittrup është bërë për të rritur dhe sforcuar sigurinë në enklavat serbe dhe në zonën e Mitrovicës veriore," tha Wayne Hissong, duke theksuar posaçërisht dy incidente të fundit në zonat kufitare Kosovë-Serbi, kur pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës kanë pasur probleme me qytetarë serbë gjatë kryerjes së detyrës.

Zoti Hissong tha se nuk dëshironte të bënte komente lidhur me arsyet e mundshme politike të përforcimeve të policisë në zonat e banuara nga serbët, por nuk mohoi ekzistimin e strukturave paralele të sigurisë në veri:
"Unë besoj se tashmë dihet botërisht se strukturat e tilla ekzistojnë në Kosovë," tha Wayne Hissong.

Rreth një muaj më parë, zyrtarë të komunave veriore të Kosovës patën paralajmëruar edhe mundësinë e vetorganizimit për të garantuar sigurinë e serbëve në veri. Zoti Hissong ka mohuar se përforcimet janë dërguar në veri për t’u përballur me strukturat paralele apo me situata të tjera të papritura:

"Ky koncept nuk është bërë si rezultat i ekzistimit apo jo të strukturave paralele," tha Wayne Hissong, sipas të cilit arsyeja pse është bërë ky koncept ka qenë për të ndihmuar kolegët e Shërbimit Policor të Kosovës.

Ai sidoqoftë nuk ka dashur të komentojë deklaratat e muajit të shkuar të zyrtarëve të komunave veriore me shumicë serbe për shkëputjen e marrëdhënieve me institucionet e Kosovës dhe ato të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Zoti Wayne Hissong tha se ky program i sforcimit të pranisë së policisë ndërkombëtare në veri nuk do të thotë se pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës nuk janë të përgatitur, por duke pasur parasysh kohën relativisht të shkurtër sa e kryejnë këtë punë, ai tha se policisë kosovare i duhet ende aftësim dhe përgatitje.



XS
SM
MD
LG