Ndërlidhjet

JANJIQ: BEOGRADI NUK QE I PËRGATITUR PËR BISEDIMET MBI PAKICAT


Dushan JANJIQ, Kryetar i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Janjiq, si i vlerësoni bisedimet e fundit në Vjenë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit lidhur me gjendjen e pakicave në Kosovë?

DUSHAN JANJIQ
Bisedimet vetëm sa i kanë sqaruar pozicionet. Sa i përket palës kosovare, është e qartë se ajo erdhi me një plan dhe program të përgatitur. Sa i përket palës së Beogradit, është e qartë se ajo përpiqet që çështjen e bashkësive etnike ta shtyjë për materjen kushtetuese, respektivisht për bisedimet mbi statusin politik. Mund të thuhet se në këtë çështje, dallimet janë edhe më të mëdha se sa në çështjet tjera si psh. decentralizimi, apo nëse e krahasojmë me bisedimet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të objekteve të Kishës Ortodokse Serbe. Pra, qëndrimet në këtë temë ishin të kundërta.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Janjiq, Oliver Ivanoviq, një nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ka reaguar se në takimin e Vjenës nuk ishin të pranishëm serbët e Kosovës.
Çfarë është komenti juaj për këtë?

DUSHAN JANJIQ
Më duhet të them se Beogradi ka gabuar shumë që ka marrë një vendim të tillë, apo ka lejuar që vendimi i tillë të merret. Mendoj se nuk ka patur argumente të mjaftueshme që serbët e Kosovës të largohen nga Vjena, sepse ata ishin të pranishëm në pjesën e parë të bisedimeve mbi decentralizimin. Ata nuk kishin argumente për disa arsye. Nëse serbët e Kosovës kanë frikë se pranimi i debatit për bashkësitë etnike do të thotë pranim i Kosovës si shtet i pavarur, atëherë mendoj se gabojnë, sepse statusi i bashkësisë etnike është i përcaktuar me Kornizën Kushtetuese dhe me të gjitha dokumentat ndërkombëtare. Gjithashtu, edhe në dokumentin e ekipit negociator të Kosovës flitet për bashkësitë.
Është tjetër punë kur Veton Surroi apo ndonjë politikan kosovar pohon se statusi final do të jetë Kosova e pavarur. Nëse serbët e Kosovës frikësohen nga kjo, atëherë duhej të mbeten aty dhe ta thonë këtë, sepse ky ishte një rast që ata ta shprehin pikëpamjen e tyre.
Sa i përket tezës se serbët janë popull konstituiv, ajo në fakt është e pranuar me konceptin që UNMIK-u e ka zhvilluar në Kornizën Kushtetuese. Në të vërtetë, Kosova trajtohet si vend shumëetnik. Këtu nuk ka popuj konstituivë dhe të tjerë. Ndoshta është e kuptueshme që serbët po kërkojnë garanca plotësuese kushtetuese, por edhe ky ishte një argument shtesë që serbët të mbeteshin e jo të largoheshin nga Vjena. Dhe për fund, mendoj se vendimi i tillë ishte i gabuar, për shkak se krijoi një hapësirë politike për paqartësi, për një mosbesim tjetër ndaj palës serbe, se asaj nuk i intereson aq shumë zgjidhja e problemeve në Kosovë, por zgjatja e procesit. Unë do të doja të besoj se këtë episod Beogradi zyrtar shumë shpejt do ta trajtojë si një incident të vërtetë, ndërsa në bisedimet e ekspertëve do të ofrojë zgjidhje konkrete për pozitën e bashkësive etnike. Kjo nuk është e vështirë sepse në vitin 2002, Qendra Koordinuese zhvilloi një program të decentralizimit, në të cilin përfshihej edhe projekti i mbrojtjes së bashkësive etnike. Mendoj se nëqoftëse ndiqet kjo vijë, që Beogradi ta pranojë këtë projekt si 'Plani B', atëherë shumë shpejt mund të gjendej një marrëveshje me ekipin kosovar.

RADIO EVROPA E LIRË
Po si e vlerësoni propozimin e Prishtinës, i cili parasheh procedura për pengimin e majorizimit, përmbajtje të reja në përdorimin e gjuhëve, si dhe formimin e një Dhome të veçantë për çështjet e pakicave etnike në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës?

DUSHAN JANJIQ
Mendoj se ky propozim është në vijën e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Etnike dhe për Gjuhët Rajonale. Pastaj është në frymën e rezolutave përkatëse. Propozimi mund të përpunohet edhe më tej në çështjen e mbrojtjes institucionale. Përse të mos mendohet për një Dhomë në Kuvend, përveç Këshillit ekzistues për Bashkësitë Etnike, apo për mekanizma të tjerë? Sidoqoftë, ishte një bazë e mirë për të cilën mund të diskutohej dhe mendoj se kishte mjaft hapësirë, të cilën fatkeqësisht, Beogradi këtë herë nuk e shfrytëzoi. Pra, duke patur parasysh propozimin e ekipit negociator kosovar, mendoj se Beogradi duhet të zhvillojë dhe përpunojë një program më të plotë. Sa më përket mua, nëqoftëse ka ndonjë dobësi në propozimin e Kosovës, ato janë mekanizmat e implementimit dhe sanksionet në rast se gjërat nuk zbatohen. Sidoqoftë, kjo është një bazë e mirë për bisedime shumë serioze, të cilat nënkuptojnë edhe bisedime të hapura për pjesëmarrjen e ardhshme të serbëve në institucionet e Kosovës. Por, si duket ky ishte edhe problemi më i ndjeshëm politik për Beogradin.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Janjiq, në bisedimet në Vjenë, delegacioni nga Serbia ka kërkuar që serbët e Kosovës të mos trajtohen si pakica, por si element konstituiv. A nënkupton kjo hyrje në një lloj kantonizimi të ardhshëm të Kosovës?

DUSHAN JANJIQ
Duhet thënë se nëse dikush emërtohet si bashkësi etnike, ashtu siç është në dokumentat aktuale në Kosovë, atëherë ai është popull konstituiv. Koncepti i popujve konstituivë është nga koha e ish Jugosllavisë dhe teoria e BRSS-së. Në thelb, ky koncept nënkupton që ai popull ka të drejtën e vetëvendosjes, pra nuk është pakicë kombëtare. Siç e dimë, ky është argumenti kryesor i së drejtës ndërkombëtare dhe është argumenti, të cilin Beogradi e shfrytëzon kundër kërkesave të shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës. Pra, në këtë rast, kërkesa për popull konstituiv do të thotë që serbët të kenë të drejtën e vetëvendosjes. Kjo nënkupton që në të ardhmen, nëse ata do të ishin të pakënaqur me zgjidhjet e realizuara në Kosovë, atëherë do të mund të organizonin ndonjë referendum për t'u ndarë. Por kam frikë se kjo nuk ishte diçka e paramenduar mirë, por ishte një reagim i keq politik. E para, ndoshta për shkak të mospërgatitjes së duhur të ekipit të Beogradit për bisedimet mbi pakicat. Dhe e dyta, që është më e besueshme, për shkak se Këshilli i Sigurimit e ka mbështetur programin e përgjithshëm që ka hartuar z. Ahtisaari, ndërsa Beogradi këtë e përjeton si një presion jashtëzakonisht të madh.

Intervistoi Vullnet POSHKA

XS
SM
MD
LG