Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: BOJKOTI NUK DO TË MBËSHTETET NGA NDËRKOMBËTARËT


Pozicioni i palës kosovare për minoritete "është korrekt si nga ana politike ashtu dhe nga ana ligjore dhe për dallim nga politika e bojkotit të serbëve të Kosovës, kjo qasje do të fitoj vëmendjen dhe përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar. Mendoj se është e rëndësishme, siç e tha zoti Surroi, që serbët e Kosovë të mësohen me faktin se janë pjesë përbërëse e Kosovës së re, që nuk janë më pjesë e Serbisë dhe që më nuk duhet të drejtohen nga Beogradi apo t'i lejojnë politikanët në Beograd, që të marrin vendime për ta", thotë analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur raporte për diferenca të mëdha ndërmjet delegacionit të Kosovës dher atij të Serbisë në bisedimet e fundit për të drejtat e pakicave në Vjenë. Serbët e Kosovës nuk ishin të pranishëm në këtë takim me shpjegimin se ata nuk e pranojnë statusin e minoritetit. Si e komentoni këtë çështje?

PATRICK MOORE
Siç e dime, e gjithë rrënja e problemit serb në ish Jugosllavi, pas vitit 1990, ishte që serbët, të cilët ishin popullësi pakicë në pjesë të ndryshme të Jugosllavisë së vjetër, nuk mund ta pranonin idenë që do të bëheshin pakicë në një shtet, që dominohej nga popuj të tjerë. Kjo ndodhi në Kroaci, kjo ndodhi në Bosnjë dhe ky është edhe rasti i Kosovës. Ata kanë qenë të mësuar të jenë pjesë e klasës qeverisëse dhe, siç e dimë, nga shumë shembuj në gjithë botën, është e dhembshme humbja e pushtetit dhe e privilegjeve, kur je i mësuar që t'i kesh ato. Këtë sjellje, të shfaqur kohët e fundit, e shoh si një akt dëshpërimi, e jo si një akt force. Kjo tregon që serbët po e kuptojnë se po u kalon koha dhe u duhet që ta bëjnë poentën politike në një mënyrë tepër demonstrative. Nuk mendoj se kjo sjellje apo ky bojkot, sido që ta quajmë, do të gjejë mbështetje në komunitetin ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryesuesi i delegacionit të Kosovës, zoti Surroi tha se "secili qytetar është pjesë përbërëse e Kosovës së re". Në përgjithësi, si e komentoni ju qëndrimin e palës kosovare në bisedimet e Vjenës për të drejtat e minoriteteve?

PATRICK MOORE
Ky pozicion është korrekt si nga ana politike ashtu dhe nga ana ligjore dhe për dallim nga politika e bojkotit të serbëve të Kosovës, kjo qasje do të fitoj vëmendjen dhe përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar. Mendoj se është e rëndësishme, siç e tha zoti Surroi, që serbët e Kosovë të mësohen me faktin se janë pjesë përbërëse e Kosovës së re, që nuk janë më pjesë e Serbisë dhe që më nuk duhet të drejtohen nga Beogradi apo t'i lejojnë politikanët në Beograd të marrin vendime për ta. E dime, nga shembuj të panumërt, që politikanët e Beogradit kanë qëllime politike të ndryshme, nganjëherë edhe tepër të ndryshme nga interesat e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe kanë jetuar aty me gjenerata dhe, me gjasë, do të jetojnë aty edhe në të ardhmen. Nëse një pjesë e serbëve, që janë pakicë, nuk zgjedhin të bëhen pjesë përbërëse e Kosovës së re, kur të ndërpritet lidhja me Beogradin, ndoshta shumë prej tyre do të largohen, por do të jetë ky vendim i tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara, zoti Schlagheck tha se Beogradi po kërkon që këto bisedime për të drejtat e pakicave të përfshihen në bisedimet për status. Sipas jush, çka do të thotë kjo konkretisht?

PATRICK MOORE
Do të thotë gjithçka dhe asgjë. Siç kemi dëgjuar nga zoti Peterssen, para se të largohej dhe nga të tjerët në komunitetin ndërkombëtar, është mjaft e qartë që çdo marrëveshje që delë nga këto bisedime, do të ketë parime të mjaftueshme për sigurinë e pakicave. Kam dyshim se ajo që po ndodhë këtu me Beogradin është një lloj përpjekjeje e vonuar që të përpiqet ta bllokoj pavarësinë, por besoj dhe jam shumë i sigurt, që njerëzit në Beograd e dinë se nuk do t'ia dalin. Çdokush e di që të drejtat e pakicave janë një çështje shumë e rëndësishme dhe sigurisht që do të përfshihet në formulën e pavarësisë së kushtëzuar, e cila, siç duket, do të dalë si rezultat në fund të procesit. Siç e kemi diskutuar edhe më parë, kur të mbyllen bisedat për status, Kosova do të fitojë një formë të pavarësisë, por do të ketë garanca ndërkombëtare dhe ndoshta një prani ndërkombëtare për pakicat. Kjo do të jetë e tëra dhe jo diçka më tepër substanciale se kjo.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG