Ndërlidhjet

RYKER EMËROHET SHEF I UNMIK-UT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Prishtina ka përshëndetur emërimin e diplomatit gjerman, Joakim Ryker, në postin e shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ryker në Kosovë nuk është një figurë e panjohur, pasi ai deri në emërimin e tij në postin e shefit të UNMIK-ut, ka qenë zëvendës shef i administratës ndërkombëtare, përkatësisht udhëheqës i shtyllës për ekonominë.

Kontributi i diplomatit gjerman vlerësohet lart sidomos për shkak të rolit që ka luajtur në zhbllokimin e procesit të privatizimit. Duke e çmuar punën e Rykerit në krye të shtyllës së katërt të UNMIK-ut, zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës, Ulpiana Lama, shpreson që ai të jetë i suksesshëm edhe në detyrën e re.

“Nëse duhet thënë që miqtë provohen për çdo ditë, Ryker ka pasur mjaft kohë për ta provuar vetveten gjatë kohës sa ka qenë në krye të shtyllës së katërt të UNMIK-ut. Besojmë se i njëjti pozitivitet do ta shoqërojë edhe gjatë mandatit si shef i UNMIK-ut”, theksoi Lama.

Ngjashëm me qeverinë, edhe opozita, përkatësisht partia e dytë opozitare, PDK-ja, sipas zyrtarit të lartë të saj, Bajram Rexhepit, e vlerëson lartë kontributin e Rykerit në zhbllokimin e procesit të privatizimit, pikërisht në kohën kur shpresat për një gjë të tillë ishin zvogëluar. Por, njëkohësisht Rexhepi ka tërhequr dhe vërejtjen se detyra e re e Rykerit do të dallojë shumë nga ajo që kishte deri më tani në kuadër të administratës ndërkombëtare:

“Funksioni i tij nuk do të jetë krejt i njëjtë si i paraardhësve të tij. Ai do të merret më tepër me çështjen e përfundimit të misionit të UNMIK-ut dhe përgatitjen e Kosovës për një prezencë ndërkombëtare pas statusit. Mendoj se do të jetë i suksesshëm, por për këtë duhet presim rezultatet”, tha Bajram Rexhepi.

Ndërkohë që kryesuesi i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq, thotë se në kohën kur bisedimet për statusin po intensifikohen është mirë që në krye të UNMIK-ut është emëruar një njohës i rrethanave ekonomike:

”Është mirë që Ryker ka punuar në sferën ekonomike sepse mendoj që ai vjen në kohën kur seriozisht duhet të merremi me ekonomi. Mendoj se njohurit e tij për këtë çështje do të jenë të dobishme. Por ne do ta njohim më mirë pas një kohe, në bazë të asaj se çfarë do të punojë si Përfaqësues Special“, pohoi Ivanoviq.

Joakim Ryker, është kryeadministratori i gjashtë ndërkombëtar i Kosovës. Ai e ka pasuar në këtë post, ish-kryeadministratorin Soren Jessen Petersen i cili u largua nga Kosova në fund të muajit qershor. Duke u ndërlidhur në procesin negociues për statusin dhe zotimet e Grupit të Kontaktit se definimi i statusit do të ndodhë gjatë këtij viti, në qendrat politike kosovare besohet se Ryker do të jetë dhe kryeadministratori i fundit ndërkombëtar, i cili pritet të mbyllë misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i vendosur që nga 12 qershori i vitit 1999 përmes Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit.



XS
SM
MD
LG